Flamuri i Bashkimit Evropian Flamuri i Bashkimit Evropian 

Françesku: vala populiste në Evropë po i bën parimet e vëllazërisë të zhduken

Pjesëmarrësve në Forumin Alpbach, në vazhdim deri më 30 gusht, Papa u dërgon një mesazh në të cilin ndan shqetësimet e tij për përhapjen në rritje të lëvizjeve, që rrezikojnë t’i lënë në hije më të ligshtit. "Shoqërive në Evropë u kërkohet të gjejnë mënyra dhe mjete për të reduktuar polarizimin brenda vetes dhe për të qenë gjithnjë të hapura për botën rreth tyre".

R. SH. - Vatikan

Frenoni forcat populiste në Evropë dhe çdo polarizim që i shkapërderdh vlerat themeluese të Bashkimit. Ky është thelbi i mesazhit të Papës Françesku drejtuar pjesëmarrësve në Forumin Evropian Alpbach (17-30 gusht): platformë që bashkon të rinjtë e kontinentit të vjetër dhe të gjithë botës, për të diskutuar reflektimet dhe veprimet me drejtuesit mendimtarë dhe analistë në fushën e politikës, biznesit, shoqërisë civile, kulturës.

Lëvizjet populiste po i lënë mënjanë të dobëtit

Në dritën e qëllimit të Forumit - të udhëheqë idetë për një Evropë të fortë dhe demokratike - Françesku shpjegon disa nga arsyet e shqetësimit për fatin e kontinentit që po jeton - pohon Françesku - "një kohë në të cilën lëvizje të ndryshme populiste gëzojnë popullaritet të madh". Sipas Papës, ka faktorë ekonomikë dhe politikë pas kësaj tendence, që po thellohet gjithnjë e më shumë.

[...] Në Evropë, pas kësaj “vale” populiste, disa ideale u zhdukën dhe disa parime, që kanë të bëjnë me sjelljen ndaj anëtarëve më të dobët të shoqërisë, u flakën në prapavijë”.

Evropa nuk duhet të humbasë vlerat universale të vëllazërisë

Pyetja e parashtruar nga Papa është ajo që ka të bëjë me parimet e dinjitetit njerëzor dhe të vëllazërisë, domethënë, "të lidhura me Ungjillin": çka po ndodh me to? Fjalët e Bergoglios janë, nga njëra anë, fjalë sigurie, sepse edhe në një kontekst të shekullarizuar, i cili - "nuk duhet të jetë befasues apo i frikshëm" - Kisha mund të vazhdojë të veprojë ("Zoti është i pranishëm edhe atje"); nga ana tjetër, ato janë fjalë që shërbejnë për të bërë një thirrje:

“Me motivim të ripërtërirë, përpiqemi, si të krishterë, të sjellim pasurinë e doktrinës shoqërore katolike me pretendimin e saj për universalitet. Edhe Bashkimi Evropian, që nga themelimi i tij, pati tipare universaliste dhe urohet të mos i humbasë. [...] Shoqëritë në Evropë janë të thirrura të gjejnë mënyra dhe mjete për ta reduktuar polarizimin brenda vetes dhe për të mbetur të hapura për botën që i rrethon”.

24 gusht 2024, 15:52