Medjugorje, Françesku për të rinjtë: me Ungjillin ndërtoni një njerëzim të ri

Papa u drejtohet me një mesazh pjesëmarrësve në Festivalin e 35-të të Rinisë, që mbahet në shenjtërore nga 1 deri më 6 gusht. Dëgjojeni Fjalën e Zotit, i këshillon ai, mbajeni Ungjillin me vete dhe bëhuni "lajmëtarë të shpresës, të dashurisë dhe të paqes në botë"

R.SH. – Vatikan

         Françesku u shkruan pjesëmarrësve në Festivalin e 35-të të Rinisë që u hap më 1 gusht, në Medjugorje me temën e marrë nga Ungjilli sipas Lukës: "Maria zgjodhi pjesën më të mirë". Pikërisht duke u nisur nga këto fjalë të shqiptuara nga Jezusi, Papa dëshiron t'u ofrojë të rinjve "disa këshilla të shkurtra", që mund t'i shërbejnë zhvillimit të tyre shpirtërore dhe angazhimit "në Kishë dhe në botë".

Dëgjojeni Fjalën e Zotit

Aspekti i parë, që nënvizon Papa, është "sjellja e dishepullit të vërtetë", i cili e dëgjon Fjalën e Zotit. Maria, motra e Lazrit, e bëri këtë duke u vënë në këmbët e Zotit për ta dëgjuar. Jezusi e vlerësoi vendimin e saj, duke e quajtur "pjesa më e mirë". Por, shkruan Françesku, ka edhe një "një dishepull tjetër të vërtetë", Maria e Nazaretit, e cila e pranoi Fjalën e Hyjit, “duke vënë në dispozicion gjithë vetveten", deri nën kryq e deri në ditën e Rrëshajëve, bashkë me apostujt.

Duke e lejuar Fjalën e Zotit të hyjë në zemrën e saj, Virgjëra Mari e kreu misionin me besnikëri. Edhe ajo zgjodhi pjesën më të mirë: Zotin Jezus. Në të njëjtën mënyrë, ju, miq të dashur, jeni të thirrur të bëheni dishepuj të vërtetë të Krishtit.

Ungjilli si busull

Françesku u thotë të rinjve të meditojnë mbi Fjalën e Zotit dhe ta lënë atë t’u ndriçojë mendjet dhe zemrat për të zbuluar se çfarë dëshiron Hyji për secilin.

Për këtë arsye, ju inkurajoj të krijoni një lidhje të ngushtë me Ungjillin dhe ta keni atë me vete, në mënyrë që ai të jetë busull për ju, duke ju treguar rrugën që duhet të ndiqni.

Guximi për ta sjellë Krishtin në jetën e përditshme

"Injoranca për Shkrimin Shenjt është injorancë për Krishtin", pohonte Shën Jeronimi i cituar nga Papa, i cili më pas fton djemtë dhe vajzat e pranishme në Medjugorje që t'i drejtohen Eukaristisë dhe sakramentit të Pajtimit, duke ua transmetuar edhe të tjerëve Mbretërinë e Zotit. Së fundi, Ati i Shenjtë i këshillon të jenë ndërtues të një humaniteti të ri, "lajmëtarë të shpresës, të dashurisë dhe të paqes në botë"

02 gusht 2024, 18:48