Mëkat i rëndë t’i refuzosh migrantët: detet e shkretëtirat nuk janë varreza
R.SH. / Vatikan
Deti dhe shkretëtira. Dy skena fatale për shumë emigrantë të detyruar t'i kapërcejnë në ikje nga luftërat, varfëria dhe dëshpërimi, e në kërkim të sigurisë dhe stabilitetit. Për këtë foli Papa sot, në audiencën e përgjithshme, mbajtur paradite në Vatikan, duke nisur një reflektim dhe duke përsëritur një thirrje që, në një farë mënyre, krijon një pushim të shkurtër në ciklin e zakonshëm të katekizmit javor.
Janë dëshmitë e shumta që merr, ato që e shtyjnë Papën ta dënojë trafikimin e poshtër të emigrantëve dhe të lavdërojë ata që punojnë për t'i ndihmuar. Deti dhe shkretëtira bëhen simbole të të gjitha atyre trojeve të paarritshme, kritike, të cilat në shumicën e rasteve shndërrohen në rreziqe e në kurthe. "Ne i njohim mirë disa nga këto rrugë, sepse tepër shpesh janë në qendër të vëmendjes - vëren Papa - të tjerat, shumica prej tyre, janë pak të njohura, por jo më pak të shkelura".
“Për Mesdheun kam folur shumë herë, sepse jam Ipeshkëv i Romës e edhe sepse është emblematik: mare nostrum, vend komunikimi ndërmjet popujve dhe qytetërimeve, është shndërruar varrezë. Dhe tragjedia është se shumë, shumica e këtyre vdekjeve, mund të ishin shpëtuar. Duhet thënë qartë: ka nga ata që punojnë sistematikisht dhe me çdo mjet për t’i larguar emigrantët. Dhe kjo, kur bëhet me ndërgjegje e përgjegjësi, është mëkat i rëndë”.
Emigrantë, këta të padukshëm
Duke cituar fjalët e Psalmeve, Bergoglio kujton se deti dhe shkretëtirat janë vende biblike, në të cilat u zhvillua historia e shëlbimit, zbuluese të një Zoti që e shoqëron popullin në rrugën e lirisë, që "nuk rri larg, jo", por “e jeton dramën e mërgimtarëve, është aty me ta, vuan me ta, qan e shpreson me ta”. Gjithsesi, Papës i vjen keq për paradoksin e mirëfilltë e të vërtetë të epokës moderne:
“Në epokën e satelitëve dhe të dronëve, ka burra, gra dhe fëmijë emigrantë që nuk duhet t'i shohë askush. I sheh vetëm Zoti, vetëm Ai i Lumi e dëgjon britmën e tyre”.
Jo ligjeve kufizuese dhe militarizimit të kufijve
Duke u nisur nga hamendja se “emigrantët e sotëm nuk duhet të jenë në ato dete dhe në ato shkretëtira vdekjeprurëse”, Françesku rendit gjithçka është në kundërshtim me të drejtën humanitare dhe nuk e lehtëson ndjekjen e rezultatit: ligje më kufizuese, militarizim i kufijve, refuzime. Kujton edhe mënyrat e duhura:
“Ne do ta arrijmë këtë duke zgjeruar rrugët e sigurta dhe të rregullta të hyrjes për migrantët, duke lehtësuar strehimin për ata që ikin nga luftërat, dhuna, persekutimi dhe fatkeqësitë e ndryshme; do ta arrijmë këtë duke favorizuar në çdo mënyrë qeverisjen globale të migracionit, të bazuar mbi drejtësinë, vëllazërinë dhe solidaritetin. E edhe duke bashkuar forcat për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore e për të ndaluar trafikantët kriminelë, që shfrytëzojnë pa mëshirë mjerimin e të tjerëve”.
Të mos lejojmë të infektohemi nga kultura e indiferencës
Së fundi, Papa lavdëron shumë samaritanë të mirë, të cilët “bëjnë ç’është e mundur për t’i ndihmuar dhe për t’i shpëtuar emigrantët e plagosur dhe të braktisur në rrugët e shpresës së dëshpëruar, në pesë kontinente”. Vepra, që janë shenjë guximi nga ana e asaj pjese të njerëzimit “e cila nuk e lejon veten të infektohet nga kultura e keqe e indiferencës dhe e flakjes”. Askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga ajo, që Papa e konsideron si luftë qytetërimesh. Mjafton një lutje! Vetëm lutja! Është tejet e nevojshme:
“T'i bashkojmë zemrat dhe forcat tona, që detet dhe shkretëtirat të mos jenë varreza, por hapësira ku Zoti mund të hapë rrugë lirie dhe vëllazërimi”.