Papa Françesku Papa Françesku

“Na i fal fajet/borxhet tona: na jep paqen tënde”, tema e Ditës së Paqes 2025

Ky, titulli i zgjedhur nga Papa për mesazhin e Ditës së 58-të Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar. Ajo është frymëzuar nga enciklikat “Laudato Sí” dhe “Fratelli tutti” dhe përqendrohet në konceptet e shpresës dhe të faljes, në zemër të Jubileut

R.SH. – Vatikan

         “Na i fal fajet/borxhet tona: na jep paqen tënde”: kjo është tema e zgjedhur nga Papa Françesku për Ditën Botërore të Paqes 2025, që do të kremtohet më 1 janar të vitit të ardhshëm. Në një notë, Dikasteri vatikanas për nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor shpjegon se kjo temë është bashkëtingëllim i natyrshëm i kuptimit biblik dhe atij kishtar të vitit jubilar dhe frymëzohet veçanërisht nga letrat enciklike “Laudato Sí” dhe “Fratelli tutti”, duke vënë në pah veçanërisht konceptet e shpresës dhe të faljes, në zemër të Jubileut. Një thirrje për kthesë, që nuk synon dënimin, por pajtimin dhe arritjen e paqes.

Duke u nisur nga realiteti i konflikteve dhe i mëkateve shoqërore që e mundojnë njerëzimin sot, nënvizon nota, duke parë shpresën e natyrshme në traditën jubilare të shlyerjes së mëkateve/faljes së borxheve dhe në reflektimin e Etërve të Kishës, mund të shfaqen orientime konkrete, që çojnë në ndryshime shumë të nevojshme në sferat shpirtërore, morale, shoqërore, ekonomike, ekologjike dhe kulturore.

Vetëm nga një kthesë e vërtetë, personale, komunitare dhe ndërkombëtare, mund të lulëzojë paqja e vërtetë, e cila nuk manifestohet vetëm nga përfundimi i konflikteve, por nga një realitet i ri, ku plagët shërohen dhe secilit i njihet dinjiteti.

08 gusht 2024, 17:03