2024.08.27 Papa Francesco in preghiera davanti la Madonna dei pellegrini nella basilica di sant'Agostino 2024.08.27 Papa Francesco in preghiera davanti la Madonna dei pellegrini nella basilica di sant'Agostino

Papa në Kishën e Shën Augustinit te varri Shën Monikës

Sot pasdite, Papa vizitoi Kishën e Shën Agustinit në Romë dhe u ndal në lutje në kapelën ku ruhen eshtrat e Shenjtës Monikë dhe më pas u lutë përballë fugures së Zojës së Shtegtarëve (Madonna dei Pellegrini). Teksa u largua nga Bazilika e Shën Augustinit Papa përshëndeti fretërit, murgeshat dhe shtegtarët e pranishëm dhe më pas u kthye në Vatikan.

R.SH. / Vatikan

“Sot pasdite, në përkujtimin liturgjik të Shën Monikës, Papa Françesku shkoi në Kishën e Shën Augustinit në Romë dhe u ndal për t'u lutur në kapelën ku ruhen eshtrat e Shenjtës Monikë dhe, më pas, përpara fugurës së ‘Zojës së Shtegtarëve’ (Madonna dei Pellegrini) të Caravaggios. Lajmi u dha nga zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë. Papa "duke u larguar përshëndeti fretërit, murgeshat dhe shtegtarët e pranishëm dhe më pas u kthye në Vatikan".

Vizita e Bergoglios kujton atë të bërë në vitin 1963 nga Papa Gjoni XXIII gjithnjë në Kishën e Shën Augustinit, e cila mbahet mend në fotot e ekspozuara pranë Madonna del Parto (Zojës së Lindjes), një statuje veçanërisht të nderuar në Romë, e cila gjendet në kundërfasadën e Bazilikës.

Në shumë raste Papa Françesku ka kujtuar lidhjen e tij të veçantë me Shën Monikën. Ky përkushtim buron, siç tha edhe vetë Papa, nga një ndjenjë e trashëguar nga nëna e tij, e cila ishte pjesë e një grupi nënash të krishtera, që e nderonin shenjtën, duke e marrë atë si model jete.

Kështu, kur si ipeshkëv dhe kardinal, Françesku ishte në Romë për impenjime meshtarake, pati vizituar varrin e Monikës, që ruhet në Bazilikën e Shën Augustinit në Campo Marzio, në Romë, për të kërkuar ndërmjetësimin e saj për familjet në vështirësi. Ai gjithashtu e vizitoi varrin e Shën Monikës edhe në ditët para Konklavit në mars të vitit 2013, që e zgjodhi si të 226-in Papë të Kishës Katolike.

Lotët e nënave, për kthimin e bijve


“Sa nëna derdhin sot lot si Shën Monika, duke u lutur që bijtë e tyre të kthehen tek Krishti? Mos e humbisni shpresën në hirin e Zotit!”. Kështu pati shkruar Papa Françesku në një tweet të 28 gushtit  në faqen papnore të internetit @Pontifex, Françesku u rikthye tek një dashuri, që e ka shumë për zemër: dashuria e nënës për birin e vet. Dashuri, që të pushton plotësisht, kjo e nënës, të cilën Papa e kujtoi edhe me vizitën e sotme, të papritur në Basilikën e Shën Augustinit, pikërisht në ditën kur Kisha katolike romake përkujton Shën Monikën, nënën e Ipeshkvit të madh të Iponës.

Vetë i biri, Augustini flet për këta lot në kryeveprën e  tij “Rrëfimet”. “Ti, o Zot  - shkruan Shën Agostini në “Rrëfimet” - në thellësinë e planeve tua e dëgjove pikën më jetike të dëshirës së saj”, domethënë, kthimin, pendimin e birit, që u pagëzua në vitin 387 mbas Krishtit.

Është një temë, kjo e kujdesit të nënave për jetën shpirtërore e fizike  të fëmijëve, që Papa Françesku e kujton shpesh. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të dielën më 20 gusht 2017, u ndalua tek Ungjilli që flet për gruan kananease, që i kërkon me ngulm Jezusit t’ia shërojë të bijën e munduar nga djalli. E kjo e bën të besojë në forcën e grave. “Forca shpirtërore e kësaj gruaje, që kapërcen çdo pengesë, buron nga dashuria amtare e nga besimi i patundur se Jezusi do ta ndihmojë. Mund të themi se dashuria e vë në lëvizje fenë, e feja, nga ana e saj, bëhet çmimi, që meriton dashuria”.  

Këtë grua të përvuajtur Jezusi e paraqet si shembull i një feje të patundur. Lutja e saj këmbëngulëse drejtuar Krishtit, që të ndërhyjë, na nxit edhe ne të mos e humbasim kurrë guximin, të mos dëshpërohemi, kur shtypemi nën barrën e provave të jetës. Zoti nuk e kthen kurrë kokën mënjanë, përballë nevojave tona.  

Nga dashuria për ne, Zoti doli nga vetvetja, për të ardhur e për të na takuar në këtë shkretonë, ku s’kish kurrfarë kuptimi të kalonte. Zoti na deshi, edhe kur ishim në gabim. E, për ta kuptuar dashurinë e Zotit për ne, Papa kujton pikërisht dashurinë e nënave që shkojnë në burg për të takuar bijtë e tyre. Nëna vijon ta dojë me gjithë shpirt të birin, edhe kur është në pranga. Në burg nëna nuk kërkon shfuqizimin e drejtësisë njerëzore, sepse çdo gabim duhet shlyer, por vijon të vuajë për të birin. E do fort, edhe kur është mëkatar. Zoti bën të njëjtën gjë me ne: “jemi bijtë e tij të dashur! (audienca e përgjithshme e 14 qershorit 2017).

Në audiencën e parë të përgjithshme të 2017-tës, Papa Françesku na përshkruan edhe figurën biblike të Rakeles, që qan të bijtë në mërgim. Në qendër të vëmendjes, në audiencë, një figurë gruaje, që flet për shpresë, e mbytur në lot: është Rakela, gruaja e Jakobit, që vdes duke nxjerrë në dritë fëmijën e saj të dytë. Pas këtij rrëfimi biblik kaq prekës, Papa pohon:

“Përballë tragjedisë së humbjes të të bijve, një nënë nuk mund të pranojë fjalë a gjeste ngushëllimi, gjithnjë të papërshtatshme, të paafta për ta lehtësuar dhimbjen e një plage, që nuk mund e as nuk do të mbyllet. Një dhimbje që, ashtu si dashuria, nuk shprehet dot me fjalë. Të gjitha nënat e dinë mirë këtë: e janë shumë edhe sot, nënat që vajtojnë e s’ka gjë që t’i ngushëllojë për humbjen e fëmijëve të tyre”: “Nëse dëshiron t’i flasësh njeriut të dëshpëruar për shpresë, duhet ta jetosh dëshpërimin e tij; e për të terë një lot nga fytyra e njeriut, që vuan, duhet të lotosh bashkë me të. Vetëm kështu fjalët tona mund të jenë vërtet të afta të japin sadopak shpresë”.  

E lotët e nënës lindin pikërisht shpresë. Gjë aspak e lehtë për t’u kuptuar. Por gjithsesi, e vërtetë. Shpesh herë në jetën tonë, lotët mbjellin shpresë, shndërrohen në farë shprese.

27 gusht 2024, 17:06