Anëtarët e misionit Mediterranea Saving Humans Anëtarët e misionit Mediterranea Saving Humans  

Papa: e bekoj Mediterranea Saving Humans dhe ata që shpëtojnë emigrantët

Mesazh i Françeskut drejtuar Don Mattia Ferrarit, famullitar i OJQ-së, anija e së cilës Deti Jon punon këto ditë në misionet Sar, në bashkëpunim me Fondacionin e Konferencës Ipeshkvnore Italiane

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku i dërgoi një mesazh Don Mattia Ferrarit, famullitar i Mediterranea Saving Humans, në bordin e Detit Jon, me "bekimin për ekuipazhin e Mediterranea Saving Humans dhe për Migrantët". “Lutem për ju”, shkruan Françesku, duke e falënderuar OJQ-në e impenjuar në shpëtimin e emigrantëve, “për dëshminë tuaj”, duke kërkuar për ju bekimin e Zotit dhe të Zojës.

Pikërisht sot, misioni i ri i shpëtimit i Mediterranea Saving Humans,  organizatë humanitare e themeluar nga Luca Casarini, e cila që nga viti 2018 ka shpëtuar njerëzit që provonin kalimin e rrezikshëm të detit, u largua nga Trapani, Siçili. Misioni i sotëm është i pari që organizohet së bashku me Fondacionin e Migrantëve të Konferencës Ipeshkvnore Italiane.

Falë mbështetjes së ipeshkvijve, “Detit Jon” – rimorkiator i përdorur për operacionet SAR të Mesdheut - do t'i shtohet edhe një anije mbështetëse që transporton vullnetarë të tjerë dhe personel mjekësor, si dhe një ndërmjetës kulturor e një grup i vogël gazetarësh.

“Kjo është pjesë tjetër e bashkëpunimit me Kishën, e cila ka vite që vazhdon dhe që përbëhet, mbi të gjitha, nga shumë marrëdhënie edhe në nivele të ndryshme nga famullitë, në dioqezat e tek Kisha universale”, nënvizon Don Mattia Ferrari në Vatikan News.

Një bashkëpunim, shpjegon akoma famullitari i Mesdheut, i cili "i shikon të bashkuar Kishën dhe njerëzit vullnetmirë, ardhur nga botë të ndryshme shoqërore dhe kulturore, të bashkuar në një dashuri të përbashkët shpirtërore, siç na e kujton Ungjilli, ndaj vëllezërve dhe motrave tona migrante". Është udhëtim që ndërmerret së bashku, shton Ferrari, “edhe përmes shpëtimit në det e, sidomos, shpëtimit të njerëzve nga mbytjet e anijeve e nga refuzimet. “Ne mishërojmë vëllazërinë, atë vëllazëri universale që nuk mund të mbetet vlerë abstrakte, por duhet të mishërohet nga ne, nga trupat, nga jetët tona, marrëdhëniet tona”. Të dalësh në det, pra, do të thotë edhe "ta shembësh murin e cinizmit dhe të indiferencës", për të "zgjuar ndërgjegjet, sepse shoqëria është shumë e hutuar dhe ne nuk mund të vazhdojmë ta tolerojmë këtë masakër të pandalshme me mbytje anijesh dhe refuzime".

24 gusht 2024, 12:16