Kërko

2024.08.03 Seminario Maggiore di Getafe 2024.08.03 Seminario Maggiore di Getafe  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa Françesku seminaristëve spanjollë: dëgjoni, falni e zgjidhni të varfrit

Duke pritur sot në audiencë bashkësinë e seminarit të madh spanjoll të Getafe-s, Papa kujtoi se meshtaria është "dhuratë". Në vijim, i ftoi priftërinjtë e ardhshëm të kenë "kujdes të veçantë për ata që vuajnë më shumë", duke ndjekur shembullin e Shën Gjonit Maria Vianney

R. SH. - Vatikan

“Po ta kuptonim mirë se çfarë është prifti mbi tokë, do të vdisnim; jo nga frika, por nga dashuria": mendimi i Shën Gjon Maria Vianney, i njohur më mirë si "Curé of Ars", kujtimi liturgjik i të cilit bie nesër, 4 gusht, - është fil rouge – apo filli i kuq i fjalimit në spanjisht të Papa Françesku drejtuar bashkësisë së  seminarit madhor "Zoja e Apostujve" të Getafe, Spanjë, pritur sot, 3 gusht, në audiencë. Rreth pesëdhjetë meshtarë të ardhshëm u pritën në Sallën Klementine, të shoqëruar nga ipeshkvi i Getafe, Imzot Ginés García Beltrán dhe ipeshkvi ndihmës, Imzot José María Avendaño. Së bashku me ta, edhe rektori si dhe pedagogët e seminarit, në shtegtim tek varret e Pjetrit e të Palit, me rastin e tridhjetëvjetorit të themelimit të institutit.

Katër aspekte themelore të dhuratës meshtarake

Në tekstin e fjalimit, Françesku u kërkon meshtarëve të ardhshëm të përgatiten "që një ditë të marrin dhuratën e meshtarisë" dhe të dëgjojnë "thirrjen e dashurisë së Zotit". “Rruga drejt Jezusit” - nënvizon Papa - “nuk është pa vështirësi”. Për këtë arsye, është e nevojshme që seminaristët të kujdesen për "katër aspekte themelore, që janë jeta shpirtërore, studimi, jeta në bashkësi dhe veprimtaria apostolike":

“Është e domosdoshme të mos e humbisni harmonizimin që duhet të keni me këtë realitet të katërfishtë, sepse Zoti dhe Kisha presin që ju, seminaristët, të jeni para së gjithash njerëz me integritet dhe bujarë në përgjigjen e thirrjes, gjithnjë të gatshëm për të dëgjuar e për të falur, të vendosur për t’ju kushtuar tërësisht Perëndisë dhe vëllezërve tuaj, me kujdes të veçantë për ata që vuajnë më shumë, për të varfërit dhe të përjashtuarit”.

Formojeni zemrën tuaj si do Zoti

Françesku kujtoi më pas se seminari kryesor i Getafe-s ndodhet në të ashtuquajturën "Kodra e Engjëjve", një vend në jug të Madridit "i cili konsiderohet tradicionalisht si qendra gjeografike e gadishullit Iberik". E kjo nuk është rastësi:

“ I lutem Zotit Jezus të jetë qendra e jetës për secilin prej jush, ta modelojë zemrën tuaj sipas zemrës së Tij e t'ju mbajë gjithmonë shumë pranë  saj”.

Për rrugë drejt Jubileut

Së fundi, Françesku shpreson se "shtegtimi romak" i ndërmarrë nga priftërinjtë e ardhshëm në këto ditë, do t'i ndihmojë "në përgatitjen shpirtërore për të festuar me gëzim" Jubileun e afërt të 2025-ës.

03 gusht 2024, 12:30