Lutja e Papës drejtuar Zojës: ndërmjetëso për Romën dhe për paqen në botë
R.SH. – Vatikan
Për herë të parë, një Papë shkon në kremtimin, që kujton mrekullinë e dëborës, në vendin ku Zoja kërkoi ndërtimin e një kishe, duke ia përcaktuar kufijtë pikërisht duke dërguar mbi atë sipërfaqe flokë dëbore në vapën e gushtit. Por, nuk ishte pa dyshim hera e parë në këtë kishë për Papën Françesku, që sot pasdite mori pjesë në Mbrëmësoret në Bazilikën e Zojës së Madhe në Romë, ku mbajti homelinë e qe i pranishëm ndërsa përsëritej reshja e flokëve të borës, realizuar me petale lulesh të bardha, gjatë këndimit të himnit marian “Magnificat”. Ati i Shenjtë, siç e dinë tashmë të gjithë, shkon në atë bazilikë si përpara, ashtu edhe pas shtegtimeve të tij apostolike, për t’i kërkuar Zojës, që aty nderohet në fuguren e Salus Populi Romani, mbrojtjen para udhëtimeve e për ta falënderuar pas tyre.
Mrekullia e dëborës
Njëkohësisht me mrekullinë e dëborës kremtohet sot kushtimi i Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe. Është shenjtërorja mariane më e lashtë e Perëndimit, ndërtuar me urdhrin e Papës Siksti III, pak pas Koncilit të Efezit në vitin 431, kur Maria u shpall solemnisht Nëna e Zotit.
Kujtojmë se në Romë gjinden njëqind kisha kushtuar Zojës së Bekuar, por më e madhja nga të gjitha është Bazilika e Shën Marisë së Madhe. Gojëdhëna tregon se natën e 5 gushtit të vitit 358, Zoja e Bekuar iu duk njëherësh Papës Liberi e patricit romak, Gjonit dhe i ftoi t’i ndërtonin një kishë në atë vend, ku do të binte dëborë atë natë të nxehtë romake. E dëbora ra. Të nesërmen, në prani të një turme romakësh, Papa ravijëzoi në dëborë perimetrin e asaj kishe, që do të bëhej bazilika e parë e ndërtuar në këtë vend. Çdo 5 gusht në bazilikë kremtohet festa e Mrekullisë së Dëborës. E në të njëjtën ditë, edhe shugurimi i bazilikës. Gjatë të dyja kremtimeve, sipas traditës, mbi besimtarët reshet nga lart një shi me petale të bardha trëndafilash, në kujtim të flokëve të dëborës, që ranë mrekullisht natën e largët të vitit 358.
Hiri i Nënës së Zotit
E kështu ndodhi edhe sot. Herën e parë, petalet u reshën mbi besimtarët në meshën e orës 10.00, kryesuar nga kryeprifti i bazilikës, kardinali Stanisłaë Ryłko. E më pas, në mbrëmësoret e orës 17.30, në praninë e Papës Françesku, i cili vuri në dukje dy aspekte: kujtimin e reshjes së dëborës dhe fuguren e Zojës – Salus Populi Romani, për të cilën ka devocion të madh. Nënvizoi se përsëritja e mrekullisë së dëborës nuk është thjesht foklor, por simbolizon hirin e Zotit, që nuk mund të blihet, as nuk mund të meritohet, por merret vetëm si dhuratë prej Hyjit, prandaj është i paparashikueshëm, ashtu si dëbora e shekujve më parë, që përcaktoi kufijtë e bazilikës. Zgjon admirim e mahnitje e, pikërisht me sy plot admirim e mahnitje, Papa Françesku ftoi të shihet fugurja e Zojës – Shpëtim i Popullit Romak, e Nënës me të Birin në krah, nga ku buron hiri, të cilin vijnë ta kërkojnë besimtarët sa herë, që ndalen para saj. Së fundi, Ati i Shenjtë uroi që ky hir të kërkohet edhe gjatë Jubileut 2025 nga të gjithë shtegtarët, që do të vijnë në Romë, duke iu lutur Zojës për bekimin e saj, por edhe për ndërmjetësimin që të vendoset paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme në botë.
“Shenjtja Nënë e Zotit, lutu për ne”
Papa Françesku e përfundoi homelinë duke iu drejtuar Virgjërës së Bekuar me fjalët e Shën Cirilit të Aleksandrisë.
“Të falem o Mari, Nënë e Zotit, ti që barte dritën, o më e pastërta. Të falem, Virgjëra Mari, Nënë e shërbëtore. Virgjër, nëpërmjet Atij që lindi prej teje; Nënë, për Atë që ke mbajtur në krahë. …Të falem o Mari, thesar i tokës; llambë që nuk fiket; nga ti lindi dielli i drejtësisë” (Homelia 11: PG 77). Nëna e Shenjtë e Zotit, lutu për ne”.