Kërko

2024.08.24 Partecipanti all'Incontro promosso dall'International Catholic Legislators Network 2024.08.24 Partecipanti all'Incontro promosso dall'International Catholic Legislators Network  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Papa: kapërceni pabarazitë dhe padrejtësitë shkandulluese që nxisin konfliktet

Françesku pret në audiencë pjesëmarrësit në takimin vjetor të Rrjetit Ndërkombëtar të Ligjvënësve Katolikë, të cilëve u përsërit se lufta është dështim. Nënvizon më pas se askush nuk mund të dalë i vetëm nga krizat, prej nga “dilet me të tjerët”: duke ndjekur negociatat, ndërmjetësimin dhe arbitrazhin. Tërheq vëmendjen kundër mesazheve cinike, "janë të tmerrshme!" dhe shpreson baza ligjore gjithnjë e më të forta, për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare humanitare

R. SH. - Vatikan

Me rastin e takimit të 15-të vjetor të Rrjetit Ndërkombëtar të Ligjvënësve Katolikë (ICLN), mbajtur në Frascati dhe në Romë nga 22 deri më 25 gusht me temë "Bota në luftë: kriza dhe konflikte të përhershme - Çfarë do të thotë kjo për ne?", audienca me Papën e rreth 170 pjesëmarrësve ishte e favorshme për Françeskun, që të prekte temën e "luftës së tretë botërore, të luftuar pjesë-pjesë". Në këtë horizont, tri janë linjat, apo propozimet që Papa ofroi si ushqim për të menduar në prani të një ekipi, i cili punon për t'u siguruar të krishterëve që mbajnë poste publike, mjete dhe formime për udhëheqje "të virtytshme dhe efektive".

Si të ndërtohet bota e vëllazërisë, e drejtësisë dhe e paqes

Vërejtja kryesore që bën Papa në fjalën e tij, është se konfliktet në shkallë të gjerë krijuan një luftë të tretë botërore të luftuar pjesë-pjesë ("por që është luftë të tretë botërore") e cila "duket e përhershme dhe e pandalshme". Shqetësimi i Papës është të formulojë përgjigje për t'i ndarë me të gjithë burrat dhe gratë vullnetmira, veçanërisht të frymëzuarat nga një vizion ungjillor i unitetit të familjes njerëzore.

Kriza në vijim i kërcënon seriozisht përpjekjet e durueshme të bëra nga Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht përmes diplomacisë shumëpalëshe, për të inkurajuar bashkëpunimin në përballimin e padrejtësive të rënda dhe sfidave urgjente sociale, ekonomike dhe mjedisore, me të cilat përballet familja njerëzore.

Duhet hequr dorë nga lufta, për t’i zgjidhur konfliktet

Papa citon Fratelli tutti, ku përsëritet se çdo luftë është “dështim i politikës dhe i njerëzimit”. Duke folur lirisht shton se "dorëzim nuk është ai i një vendi tek tjetri, dorëzim është vetë lufta. Është me të vërtetë disfatë". Papa vëren se "kapaciteti i madh shkatërrues i armatimeve bashkëkohore i bëri të vjetëruara kriteret tradicionale për kufizimin e luftës" dhe se në shumë raste, "dallimi ndërmjet objektivave ushtarake dhe civile bëhet gjithnjë e më i paqëndrueshëm".

“Ndërgjegjet tona nuk mund të mos preken nga skenat e vdekjes dhe të shkatërrimit, që i kemi çdo ditë para syve tanë. Duhet të dëgjojmë britmën e të varfërve, të vejave dhe jetimëve, për të cilat flet Bibla, të shohim humnerën e së keqes që ndodhet në zemër të luftës dhe të vendosim me çdo mjet të mundshëm zgjedhjen e paqes”.

Vijoni rrugën drejt paqes, përmes negociatave

Pika e dytë që prek Papa, ka të bëjë me mënyrat se si - me këmbëngulje dhe durim, virtyt proverbial i të fortëve, kujton – do të mund të ndiqet rruga e paqes, "në çdo rast të volitshëm dhe të pavolitshëm"- Ne duhet t'i drejtohemi, rekomandon, negociatave, ndërmjetësimit dhe arbitrazhit. Duke kujtuar një fragment nga fjalimi i këtij viti para Trupit Diplomatik, rithekson rëndësinë e dialogut për frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar “të lehtësuar - shton ai - nga besimi i ri në strukturat e këtij bashkëpunimi”. Këto janë struktura të cilat, mendon Bergoglio, kanë nevojë për reforma të vazhdueshme për t'iu përshtatur rrethanave në zhvillim:

[...] Vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet mbështetjes së së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe sigurimit të saj me baza ligjore gjithnjë e më solide. Kjo kërkon natyrshëm të punohet për një shpërndarje gjithnjë e më të barabartë të të mirave të tokës, duke siguruar zhvillimin integral të individëve dhe të popujve dhe duke kapërcyer kështu pabarazitë e padrejtësitë skandaloze që nxisin konflikte afatgjata e bëjnë gabime dhe akte të mëtejshme dhune në mbarë botën.

Nevoja e dialogut, për të mirën e përbashkët

Përballë copëzimit dhe shpërbërjes së shoqërisë, Papa Françesku vijon të citojë Gaudium et spes, duke treguar rrugën e dëshiruar për të parandaluar këtë shpërbërje të strukturës së marrëdhënieve në nivel global, si dhe në situatat më të kufizuara të veprimeve tona të përditshme.

Ndonjëherë konfliktet mund të jenë të pashmangshme, por ato do të mund të zgjidhen me fryt vetëm në frymën e dialogut dhe të ndjeshmërisë ndaj të tjerëve si dhe arsyeve të tyre, e edhe në një angazhim të përbashkët për drejtësinë në kërkim të së mirës së përgjithshme. Mos e harroni këtë: nuk mund të dilni vetëm nga konflikti. Jo. Mund të dilni vetëm me të tjerët. Askush nuk mund të dalë i vetëm nga konflikti.

Bota, e lodhur nga lufta, ka nevojë për shpresë

Së fundi, Françesku inkurajon delegacionin që të jetë shembull për brezat e rinj. Bota jonë - pohon - "ndonëse e lodhur nga lufta, e që duket se nuk mund të jetojë pa luftë, duhet të ripërtërijë frymën e shpresës që çoi në themelimin e strukturave të bashkëpunimit në shërbim të paqes, të nesërmen e Luftës II Botërore". Dhe shton:

Lufta nuk është shpresë, lufta nuk jep shpresë. Përkushtimi juaj për të mirën e përbashkët, i mbështetur nga besimi në premtimet e Krishtit, le të shërbejë si shembull për të rinjtë tanë. Sa e rëndësishme është që ata të shohin modele shprese dhe idealesh që kundërshtojnë mesazhet e pesimizmit dhe të cinizmit – të mos harrojmë mesazhet cinike: ato janë të tmerrshme – si dhe mesazhet e dëshpërimit, pesimizmit dhe cinizmit ndaj të cilave ekspozohen kaq shpesh të rinjtë!

Misioni i rrjetit

Duhet t’u japësh të krishterëve të punësuar në zyrat publike formim të vazhdueshëm feje, si dhe një bashkësi të krishterë referimi, për t'i mundësuar të ushtrojnë "udhëheqje të virtytshme dhe efektive", të përkushtuar ndaj dinjitetit të çdo qenieje njerëzore: ky është qëllimi i ndjekur nga 'ICLN i cili funksionon sipas parimeve të pavarësisë, jo të partiakësisë dhe konfidencialitetit të Chatham House Rule. “Jetojmë në kohë të kolapsit të lidershipit moral, mungesës së përgjegjësisë politike dhe rënies së shpejtë të legjislacionit të drejtë”, vërehet në të njëjtin kanal, duke shpjeguar se sot nevoja e një realiteti të tillë imponohet për të formuar një lidership “pavarësisht nga përkatësia politike e individëve”. Synimi është t’i edukojmë në shërbim të vendeve të veta, duke respektuar standardet më të larta etike dhe profesionale.

24 gusht 2024, 13:52