Kërko

Papa Etërve Kapuçinë: si Shën Françesku, jini "njerëz të paqes"

Punoni për vëllazërinë dhe takimin, gjithnjë pranë të varfërve. Duke pritur pjesëmarrësit në Kapitullin e 86-të të Përgjithshëm të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, Papa Françesku kujtoi tri përmasat themelore të përshpirtërisë françeskane: vëllazërinë, gatishmërinë dhe angazhimin për paqen. "Duhet të jeni njerëz të dashurisë, të faljes, të pajtimit".

R.SH. / Vatikan

“Veprimtarë specialistë të paqes, të thjeshtë, vëllazërorë, të lirë dhe të gatshëm, gjithnjë pranë të varfërve: kështu i quajti Papa Françesku  Fretërit e Vegjël Kapuçinë, duke shpresuar të mbeten gjithmonë kështu. Me rastin e Kapitullit të 86-të të Përgjithshëm të Urdhrit të tyre, Papa i priti në Sallën e Koncistorit në Vatikan pjesëmarrësit, të shoqëruar nga gjenerali i tyre, vëllai Roberto Genuin.

 "Mistika e bashkëpunimit"

Atmosfera e takimit ishte shumë e përzemërt. Papa, duke folur lirisht, kujtoi menjëherë, me nderim, fretërit që i takoi në Buenos Ajres të Argjentinës, "rrëfyes të mirë" dhe në veçanti, pa përmendur emrin e tij, kujtoi atë frat, që e krijoi kardinal - Luis Pascual Dri - i cili "fal gjithçka", aq sa më pas shqetësohet dhe i kërkon Zotit falje, sepse ka falur në tepri. Pastaj Françesku shprehu gëzimin për takimin e mëngjesit të sotëm. Kapitulli, u shpreh duke lexuar fjalimin e përgatitur, është një mundësi për të parë "gjërat e mrekullueshme që Zoti vazhdon të bëjë përmes jush", por edhe për të pyetur veten se si të vazhdojmë të ecim sot "në gjurmët e të Vobegtit të Asizit". Nga përshpirtëria françeskane, Papa nënvizoi përmasën e vëllazërisë dhe kujtoi se shpallja e Ungjillit për Shën Françeskun lindte në vëllazëri.

 Vëllazëria në plan të parë

Më pas Papa Françesku i ftoi ta njohin njëri-tjetrin si vëllezër, të shoqëruar nga Ati e ta lënë t’i prijë në këtë rrugë:

 “Në takimet tuaja ju ftoj të siguroheni që burimet ekonomike, llogaritjet njerëzore apo realitete të tjera të këtij lloji të mos vihen kurrë në qendër: ato janë të gjitha mjete të dobishme, për të cilat është gjithashtu e nevojshme të shqetësoheni, por gjithmonë parë si mjete, kurrë si qëllime. Në qendër janë njerëzit: ata që të dërgon Zoti dhe ata me të cilët të mëson të jetosh, të jesh e mira e tyre, shpëtimi i tyre”.

Është vëllazëri, shpjegon Papa, e cila duhet të jetë gjithmonë në qendër të familjes françeskane, vëllazëri që duhet nxitur edhe në Kishë e në botë: “Vetë Shën Françesku, siç e dimë, u bë njeriu i paqes që e njeh e gjithë bota duke nisur nga takimi i tij me lebrozët, në përqafimin me të cilët zbuloi dhe pranoi plagët e tij më të thella e në praninë e të cilëve takoi Krishtin, Shëlbuesin e tij. Kështu, nga i falur, u bë mbartës i faljes, nga i dashur, shpërndarës i dashurisë, nga i pajtuar, nxitës i pajtimit”.

Edhe ju duhet të jeni të tillë, njerëz të dashurisë, të faljes, të pajtimit - ripohoi Papa, duke kujtuar sërish se feja ka dhe do të ketë gjithmonë “lidhje jetike afërsie me të fundmit”.

Më pas i falënderoi për të gjitha të mirat që bën në Kishë Urdhri i Fretërve të Vegjël Kapuçinë, duke i porositur të vijojnë këtë  rrugë "me besim dhe shpresë".

31 gusht 2024, 12:46