Papa: katekistët të jenë kudo dëshmitarë të guximshëm
R.SH. / Vatikan
E kishte këtë si shqetësim të lindur dhe kish nisur ta modelonte veprimtarinë e tij meshtarake, që kur ishte famullitar i ri. Don Giuseppe Sarto, djalosh i fortë, i cili e shkriu energjikisht veten në zonën e Trevisos, në Itali, në mijëra detyrat që iu besuan nga ipeshkvi, kishte pasion për katekizimin, nevojë urgjente për të rrënjosur fenë në shpirtin e besimtarëve përmes kurseve të përgatitura, njëherësh me praktikën e Sakramenteve. Urgjencë e cila, sapo u zgjodh Papë me emrin Piu X, në vitin 1903, e nxiti që, ndërmjet shumë veprimtarive të tjera, të punonte për krijimin e një katekizmi të ri, me serinë e pyetje-përgjigjeve të menduara për të ndihmuar edhe njerëzit më pak të shekullarizuar për t’i përvetësuar themelet e jetës së krishterë.
Shpesh "i pari për të përhapur fenë "
Pikërisht duke pasur parasysh punën e katekistëve, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, 21 gusht, Papa Françesku kujtoi figurën e Papës Sarto, në ditën kur Kisha përkujton Papën të cilin Piu XII e shpalli Shenjt më 1954: “Sot, festa e Shën Piut X, në shumë vende të botës kremtohet dita e katekistit. Të mendojmë për katekistët tanë, që kryejnë kaq shumë punë dhe janë, në disa vende të botës, të parët që çojnë përpara fenë. Të lutemi, prandaj, sot për katekistët: Zoti i bëftë të guximshëm dhe të aftë për të ecur përpara”.
Në veçanti, në përshëndetjen drejtuar grupeve gjermanishtfolëse të pranishme në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku vuri në dukje, me fjalë të tjera, nxitjen apostolike, ngulm i papnisë së Shën Piut X.
Rikthimi i Jezu Krishtit në qendër të vëmendjes së të gjithë besimtarëve ishte edhe dëshira e madhe e Shën Piut X, kujtimin e të cilit e kremtojmë sot. Nëpërmjet ndërmjetësimit të tij, Zoti ju ndihmoftë të provoni gjithnjë përvojën e afërsinë e tij të dhembshur.