Papa: Kishat nuk e prekin njëra-tjetrën. Kush dëshiron, të lutet!
R.SH./ Vatikan
Është shqetësim i fortë ky, që Papa Françesku e shpreh duke folur menjëherë pas lutjes së Engjëllit: shqetësim për ata që duan të luten, por nuk lejohen "në atë, që e konsiderojnë si kisha e tyre". Kujton, kështu, vendimin e Parlamentit të Ukrainës për të ndaluar Kishën Ortodokse të lidhur me Patriarkanën e Moskës:
“Vazhdoj të ndjek me dhimbje luftimet në Ukrainë dhe në Federatën Ruse e, duke menduar për ligjet e miratuara së fundmi në Ukrainë, kam frikë për lirinë e atyre që luten, sepse ata që luten me të vërtetë gjithmonë luten për të gjithë. Ti nuk bën keq, pse lutesh. Nëse dikush bën të keqen kundër popullit të tij, ai do të jetë fajtor për këtë, por nuk mund ta ketë bërë të keqen sepse është falur. Dhe pastaj le të luten ata që duan të luten në atë që e konsiderojnë Kishën e tyre. Ju lutemi, mos e shfuqizoni drejtpërdrejt ose tërthorazi asnjë kishë të krishterë: Kishat nuk e prekin njëra-tjetrën”.
Vendimi i Kievit
Projektligji i miratuar 20 gushtin e kaluar në Kiev me një shumicë dërrmuese, që u jep famullive të përfshira nëntë muaj për të ndërprerë lidhjet me Kishën Ortodokse Ruse, ngjalli reagimin e menjëhershëm të Moskës, e cila e komentoi duke theksuar se qëllimi është “për ta shkatërruar ortodoksinë e vërtetë kanonike dhe për ta zëvendësuar me një surrogat, domethënë, me një kishë të rreme”.