JAPAN-US-NUCLEAR-ANNIVERSARY-WWII

Papa kujton Hiroshimën dhe Nagasakin: lutemi për viktimat e të gjitha luftërave

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi bombardimin tragjik të dy qyteteve japoneze në vitin 1945, më pas kërkoi lutje për paqen në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, Sudan dhe Mianmar: "Ne vazhdojmë t'ia besojmë Zotit viktimat e këtyre ngjarjeve dhe të gjitha luftërave".

R.SH. - Vatikan

Ishte kujtimi i rreth 220 mijë të vdekurve, viktima të njërës prej tragjedive më të rënda të njerëzimit, bombës atomike të hedhur në Hiroshima dhe Nagasaki, e edhe dhimbja për qindra mijëra vdekje sot, të shpërndara copa-copa në këtë "luftë III botërore" që po luftohet në të katër anët e botës! Fjalët e Françeskut në përfundim të Engjëllit këtë të diel, 11 gusht, ishin të shkurtra, por të ngarkuara me dhimbje. 

Përvjetori i një tragjedie

Duke parë nga dritarja e Pallatit Apostolik, Papa, pas katekizmit dhe lutjes mariane, në radhë të parë kujtoi përvjetorin e bombardimeve atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit (6 dhe 9 gusht 1945), dy qyteteve japoneze që i vizitoi në Nëntor 2019 me rastin e shtegtimit apostolik në Tokën e Diellit që lind. U ndalua edhe në Memorialin e Paqes, në Hiroshima, ku  përshëndeti edhe disa të mbijetuar; çast ky, që i la “mbresa të thella”  Papës, siç u shpreh edhe ai vetë publikisht. Përvjetori i tragjedisë së gati tetëdhjetë viteve më parë i krijoi Ipeshkvit të Romës mundësinë t'i naltojë Zotit lutjen për viktimat e çdo lufte, të çdo vendi e çdo kohe:

“Ndërsa ne vazhdojmë t'ia besojmë Zotit viktimat e atyre ngjarjeve dhe të të gjitha luftërave, përsërisim lutjen tonë për paqen, veçanërisht për Ukrainën e martirizuar, Lindjen e Mesme, Palestinën, Izraelin, Sudanin dhe Mianmarin”.

Lutjet për Ukrainën, Lindjen e Mesme, Sudanin, Mianmarin

Si gjithmonë në lutjen e Engjëllit dhe në audiencat në përgjithësi, edhe sot Papa Françesku përshkroi listën e trojeve ku po zhvillohet dhuna brutale: Ukrainën, ku numri i të vdekurve vazhdon për shkak të sulmeve me dronët rusë dhe lufta merr forma të reja; Lindjen e Mesme, nga e cila dje mbërritën fotografitë dhe lajmet e një prej sulmeve më dramatike të këtyre dhjetë muajve të luftës: në shkollën Al-Tabai'een, në sektorin Al-Sahaba në qytetin e Gazës, me të paktën 100 viktima dhe dhjetëra të plagosur, përfshirë fëmijë, siç raportojnë autoritetet palestineze. Më pas Sudanin, ku konflikti po përhapet, duke i detyruar banorët dhe të gjithë misionarët të ikin, dhe Mianmari, krizë e harruar shpesh nga opinioni publik, tokë e munduar dhe e vuajtur në të cilën kanë ndodhur tragjedi të tilla, si sulmi i djeshëm me dron kundër Rohingya-ve, në ikje drejt Bangladeshit fqinj,  që vrau dhjetëra njerëz. Mes tyre, edhe familje me fëmijë.

Për të gjithë këta njerëz, Papa kërkon lutje. Ashtu siç na kërkon të lutemi për viktimat e rrëzimit të avionit në Brazil më 9 gusht.

Përshëndetje shtegtarëve dhe besimtarëve

Së fundi, duke parë shtegtarët e pranishëm në sheshin e  mbushur plot e duke pasur parasysh periudhën e mesit të gushtit, Papa kujtoi festën e sotme të Shën Kjarës së Asizit. Më pas përshëndeti të gjitha Klariset, veçanërisht ato të Vallegloria, me të cilat, kujtoi, "më lidh një miqësi e bukur". Është fjala për manastiri në Spello, Umbria, të cilin Papa e vizitoi papritur më 2019 dhe 2021, si pjesë e vizitave të tij në Asizi.

Përshëndeti edhe studentët e Seminarit Minor të Bergamos, të cilët mbërritën në këmbë në Romë, nga Asizi, pas një shtegtimi disaditor. "A u lodhët?" - i pyeti Papa. "Jo" gjegjen djemtë në kor. "Jo? Jeni të mirë”- përgjigjet Francesco.

Prej këndej, urimi drejtuar të gjithëve për një "të dielë të gëzuar" dhe kërkesa e zakonshme e lutjes për të.

11 gusht 2024, 13:18