Kërko

Beirut: la zona del porto esplosa il 4 agosto 2020 (ph. Lorenzo Trombetta) Beirut: la zona del porto esplosa il 4 agosto 2020 (ph. Lorenzo Trombetta)

Papa: Libani është mesazh paqeje, vërtetësie e drejtësie në dramën e portit të Bejrutit

Françesku priti në Vatikan familjet e viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi në kryeqytetin libanez katër vjet më parë. Populli ka “të drejtën e fjalëve dhe të veprave që tregojnë përgjegjësi dhe transparencë”. Bëj thirrje për t'i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme dhe që "Toka e Kedrave" të vazhdojë të jetë besnike ndaj thirrjes së saj si tokë ku "fetë dhe besimet e ndryshme takohen në vëllazëri"

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku, i prekur thellësisht, priti në audiencë, në Pallatin Apostolik në Vatikan, familjet e viktimave të shpërthimit që, më 4 gusht 2020, shkatërroi portin e Bejrutit dhe një pjesë të qytetit, duke shkaktuar vdekjen e 235 vetëve, 6500 të plagosur, 300 mijë viktima dhe rreth 3 miliardë dëme. Ngjarje, dinamika e së cilës dhe përgjegjësia mbeten pa përgjigje.

Interesat kontradiktore peshojnë, por e vërteta duhet të  dalë në shesh

Papa kujton se është lutur dhe vazhdon të lutet për ta dhe se bashkohet me lotët e tyre, të cilët janë edhe më të dhimbshëm nga mendimi i vdekjes dramatike dhe të parakohshme të më të voglës nga viktimat, Aleksandrës, e cila vdiq atë ditë në moshën tre vjeçare. Prindërit u përpoqën me guxim, së bashku me shumë të tjerë, ta shndërrojnë vuajtjen e tyre në veprim politik, në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë. Janë pikërisht këto që priti Papa. Deri tani askush nuk është ndjekur penalisht për atë që ndodhi (shpërthimi, sipas autoriteteve, u shkaktua nga një mjet ndezës në një magazinë ku ishte ruajtur prej vitesh pleh me bazë nitrat amoniumi). Shoqata e anëtarëve të familjes u ankua në atë kohë se një sërë funksionarësh, politikanësh dhe policësh kishin penguar hetimet:

Me ju kërkoj të vërtetën dhe drejtësinë që nuk ka arritur, të vërtetën dhe drejtësinë. Të gjithë e dimë se çështja është e ndërlikuar dhe e mprehtë dhe se fuqitë e interesat konfliktuale rëndojnë mbi të. Por e vërteta dhe drejtësia duhet të mbizotërojnë mbi gjithçka. Kanë kaluar katër vjet; populli libanez, dhe ju së pari, keni të drejtën e fjalëve dhe fakteve që tregojnë përgjegjësi dhe transparencë.

Libani është, e duhet të mbetet projekt paqeje

Papa citon një fragment nga Fratelli tutti (i njëjti i përmendur tashmë të shtunën e kaluar në audiencën në Rrjetin e Ligjvënësve Katolikë) ku thuhet se lufta është dështim i politikës dhe i njerëzimit duke përsëritur rishtas se ndjen dhimbje kur shikon çdo ditë "shumë të pafajshëm që vdesin" për shkak të luftës në Palestinë dhe Izrael. E shton me hidhërim: “Çmimin e paguan Libani”:

Me ju kërkoj nga Qielli paqen që njerëzit përpiqen ta ndërtojnë në tokë. Lutem për Lindjen e Mesme dhe Libanin. Libani është dhe duhet të mbetet  projekt paqeje. Mos harroni atë që pati thënë një Papë: ‘Libani është mesazh dhe ky mesazh është projekt për paqen’. Vokacioni i Libanit është të jetë tokë, ku bashkësitë e ndryshme jetojnë bashkërisht, duke e vënë të mirën e përbashkët mbi avantazhet e veçanta, ku fetë dhe besimet e ndryshme takohen vëllazërisht.

Libani është vend i torturuar, po nuk do t'ju lëmë vetëm

Papa bëhet zëdhënës i dashurisë dhe afërsisë të gjithë Kishës. Falënderon Barinjtë, rregulltarët e rregulltaret, që vijojnë t’u sigurojnë afërsinë atyre, të cilët humbën të dashurit e tyre në atë tragjedi dhe, duke folur lirisht, jashtë tekstit, shton: "Ne ndjejmë dhe mendojmë se Libani është vend i torturuar". Së fundi, inkurajimi: “Nuk jeni vetëm dhe nuk do t'ju lëmë  vetë, por do të solidarizohemi me ju përmes lutjes dhe bamirësisë konkrete”:

Tek ju shoh dinjitetin e fesë, fisnikërinë e shpresës. Ashtu si dinjiteti dhe fisnikëria e kedrit, simbol i vendit tuaj! Kedrat na ftojnë të ngremë shikimin lart, drejt qiellit: në Zotin është shpresa jonë, ajo që nuk të zhgënjen:

Virgjëra Mari, nga shenjtërorja e saj e Harisës, qoftë gjithmonë mbi ju dhe popullin libanez.

26 gusht 2024, 10:51