Papa: mesazh shprese për popullin kinez, mjeshtër i shpresës
R. SH. - Vatikan
“Jam mesazh shprese” e edhe “bekim për gjithë popullin kinez”: “kjo është zemra e intervistës dhënë nga Papa Françesku Atit Pedro Chia, drejtor i zyrës së shtypit të Provincës Kineze të Shoqërisë së Jezusit, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik. Intervista - e publikuar në kanalet përkatëse sociale - u realizua më 24 maj, në kujtim të Zojës së Bekuar, Ndihma e të Krishterëve, Pajtrore e Shenjtërores së Sheshanit, në Shangai. Edhe pikërisht në këtë shenjtërore dëshiron të shkojë Papa, siç shprehet në bisedën, karakterizuar nga një frymë e fortë shpirtërore, një mori kujtimesh personale, edhe nga reflektimet e tij për të ardhmen e Kishës.
Të çohet përpara trashëgimia
Në vendin aziatik - pohoi Françesku - do të dëshironte të takonte "popullin e Zotit, tejet besnik". Është popull besnik - shton - Jetoi shumë gjëra e, megjithatë, mbeti besnik”. Për të rinjtë katolikë kinezë, në veçanti, Papa ripërsërit konceptin e shpresës, edhe nëse, thotë ai, "më duket tautologjike t'i jap mesazhin e shpresës një populli, që është mësues shprese" dhe "durimi në pritje". E kjo, nënvizoi, “është një gjë shumë e bukur”. Kina është "popull i madh" që "nuk duhet ta humbasë trashëgiminë e saj", shton Françesku, përkundrazi: "Ajo duhet të çojë me durim përpara këtë trashëgimi".
Kritika dhe rezistencë
Gjatë intervistës, Papa ndalohet edhe te papnia e tij, e realizuar – shpjegon - me bashkëpunimin, dëgjimin dhe këshillimin e krerëve të Dikastereve dhe të gjithëve. “Kritika ndihmon gjithmonë, edhe nëse nuk është konstruktive”, saktëson, sepse “është e dobishme, na bën të reflektojmë për mënyrën se si veprojmë”. E "pas rezistencës mund të ketë edhe kritika të mira". Ndonjëherë duhet “të presësh e të durosh” edhe “me dhimbje” si atëhere kur gjen rezistencë “kundër Kishës, siç po ndodh këto çaste” nga “grupe të vogla”. “Çastet e vështirësisë a të shkretimit - përsëriti Papa – zgjidhen gjithmonë me ngushëllimin e Zotit.
Luftërat dhe sfidat e tjera
Përsa i përket "sfidave" të shumta të jetuara deri tani në fronin e Pjetrit, Papa kujton në veçanti "sfidën e madhe" të pandemisë, si dhe "sfidën aktuale" të luftës, veçanërisht në Ukrainë, Myanmar dhe Lindjen e Mesme. “Përpiqem gjithnjë t’i zgjidh problemet përmes dialogut - shpjegon ai -. E, kur nuk funksionon, me durim e edhe me sens humorizmi”, sipas mësimeve të Shën Thomas More.
Krizat personale në të kaluarën
Duke rrëmuar në ngjarjet e panumërta, Papa kujton se ka jetuar disa "kriza" gjatë jetës së tij fetare si jezuit. Fakt normal - shpjegon - "përndryshe nuk do të isha njeri". Por krizat kapërcehen në dy mënyra: ato ndiqen dhe kalohen "si nëpër një labirint", duke dalë "nga lart", e, më pas "nuk del kurrë i vetëm, por më tepër i ndihmuar, i shoqëruar", sepse "ta pranosh ndihmën është shumë e rëndësishme”. Zotit, vazhdon Françesku, “i kërkoj hirin që të më falë, të jetë i durueshëm me mua”.
Ushtrime shpirtërore, të varfër, të rinj, shtëpi e përbashkët
Papa ndalohet edhe në katër preferencat universale apostolike të jezuitëve, të caktuara në vitin 2019, për dhjetë vitet e ardhshme: ushtrimet shpirtërore dhe aftësia dalluese, ecja me të varfërit dhe me të përjashtuarit, shoqërimi i të rinjve në krijimin e një të ardhmeje plot shpresë dhe kujdesi për shtëpinë e përbashkët. Këto janë katër parimet "e integruara", që "nuk mund të ndahen", thotë ai, duke nënvizuar edhe se shoqërimi, aftësia dalluese dhe shpirti misionar janë gurët e themelit të Shoqërisë së Jezusit.
Klerikalizmi dhe bota, dy plagë të Kishës
Duke parë, më pas, të ardhmen e Kishës, Papa kujton se, sipas disave, ajo do të jetë "gjithnjë më e vogël" dhe do t’i duhet "të jetë e kujdesshme, që të mos bjerë në murtajën e klerikalizmit dhe të frymës së botës" që përfaqëson, në fjalët e kardinalit të Lubac, cituar nga Papa, "të keqen më të keqe që mund ta godasë Kishën, më e keqe edhe se koha e papëve konkubinarë". Së fundi, Françesku i kujton Papës, që do të jetë pasardhësi në fronin e Pjetrit, rëndësinë e lutjes, sepse "Zoti flet në lutje".