Kremtim eukaristik Kremtim eukaristik 

Françesku: ndërmjet të shkurajuarve, të krishterët të dëshmojnë mëshirën e Zotit

Në një mesazh drejtuar Kongresit kombëtar eukaristik, në Antsiranana- Madagaskar nga 23 deri më 25 gusht, Papa uron që ngjarja t'i ndihmojë pjesëmarrësit "të kultivojnë mëshirën, bamirësinë dhe solidaritetin ndaj të gjithëve e, në veçanti, ndaj atyre që jetojnë çaste të vështira". Papa u kërkon anëtarëve të "Lëvizjes Eukaristike Rinore", që kremton njëqindvjetorin, t’i ndihmojë të tjerët "që ta bëjnë jetën e tyre dhuratë për Zotin" e njohur, të dashur dhe të shërbyer".

R. SH. - Vatikan

Bëhuni misionarë të dashurisë së Krishtit: ky, inkurajimi që Papa Françesku u jep pjesëmarrësve të Kongresit Kombëtar Eukaristik në Antsiranana-Madagaskar nga data 23 deri më 25 gusht. Në mesazhin drejtuar kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Marie Fabien Raharilamboniaina, Papa nënvizon se takimi, i organizuar me synimin që t'i rikthejë besimtarët "në problemet themelore, duke i ndihmuar të rizbulojnë kuptimin e adhurimit eukaristik, dëshirën për ta kaluar kohën me Krishtin”, dhe në synimin që të rriten si të krishterë, merr një vlerë të veçantë kur përgatitet për përfundimin e Sinodit mbi sinodalitetin. "Ju ndihmoftë të rizbuloni rëndësinë e takimit, të lutjes dhe të angazhimit me dhe për të tjerët, në gjurmët e Jezusit në Eukaristi" - uron Papa, duke kujtuar, siç pati thënë gjatë fjalës mbajtur në Komitetin organizativ të Kongresit Kombëtar Eukaristik të SHBA, më 19 qershor 2023, se: “Eukaristia na shtyn drejt një dashurie të kushtuar fort ndaj fqinjit”.

Njëqindvjetori i Lëvizjes Eukaristike Rinore

Në vitin në të cilin kremtohet njëqindvjetori i "Lëvizjes Eukaristike të Rinisë", Françesku thekson se sot "besimi në praninë e vërtetë të Zotit është sfidë e madhe" dhe i fton anëtarët të ndihmojnë të tjerët "për ta jetuar Jezusin në Eukaristi". “Ndihmojini që edhe ta bëjnë jetën e tyre ofertë për Zotin - shkruan Papa - të bashkuar me jetën e Jezusit në altar, në mënyrë që Ai të njihet, të duhet dhe të shërbehet më mirë”.

Kultivoni ndjenjat e bamirësisë dhe të solidaritetit ndaj të gjithëve

Dëshira e Françeskut për pjesëmarrësit në Kongresin Eukaristik është që takimi t'i ndihmojë të gjithë "të kultivojnë ndjenjat e bamirësisë dhe solidaritetit ndaj të gjithëve, e veçanërisht ndaj atyre që janë në vështirësi, për të cilët rruga e jetës bëhet gjithnjë e më e vështirë". Shumë "njerëzve të çkurajuar, që e shikojnë të ardhmen me skepticizëm dhe pesimizëm, të bindur se nuk ka asgjë që mund t’i bëjë të lum”, shton Papa duke cituar Spes non confundit në Bulën e tij, që shpall Jubileun e 2025, është e nevojshme t'u çosh "shpresën të Zotit”. “Jini dëshmitarë të dhembshurisë së tij dhe të dashurisë së tij të mëshirshme”, përfundon Papa, i cili në fund i lutet Virgjërës për ndërmjetësim, në mënyrë që të gjithë “ta thellojnë ditë për ditë” marrëdhënien e tyre me Krishtin.

24 gusht 2024, 11:29