Kërko

Papa: pa Shpirtin Shenjt, Kisha nuk shkon përpara, nuk rritet, nuk mund të predikojë

Audiencat e përgjithshme të së mërkurës rinisën sot, 7 gusht. Në katekizëm, Françesku vazhdoi reflektimin mbi praninë e Shpirtit Shenjt, duke u nisur nga akti i Krijimit e, më pas, duke kaluar në Testamendin e Ri, a në Besëlidhjen e Re. Shpirti Shenjt është protagonist në Mishërimin e Fjalës: Maria bëhet Nëna e Krishtit, figurë e Kishës. Përballë vështirësive, Papa na fton të përsërisim: "Asgjë nuk është e pamundur për Zotin"

R. SH. - Vatikan

Veprimi i Shpirtit Shenjt në veprën e Shëlbimit, domethënë të Jezu Krishtit: në audiencën e sotme të përgjithshme, më 7 gusht, në Sallën Pali VI, Papa rifilloi katekizmat e ndërprera në muajin korrik, me titullin e përgjithshëm: "Shpirti dhe Nusja. Shpirti Shenjt i prin popullit të Zotit kah Jezusi, shpresa jonë". Këtë herë tema është Shpirti Shenjt në Mishërimin e Fjalës. Papa flet për Marinë, nusen e Shpirtit dhe figurën e Kishës, që e merr forcën nga Shpirti për të shpallur Fjalën e Hyjit, mbasi e ka mirëpritur:

"Engjëlli i tha [Marisë]: ‘Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir te Ati; dhe ja, do të mbetesh shtatzënë me një djalë, do ta lindësh dhe do ta quash Jezus’. [...] Atëherë Maria i tha engjëllit: ‘Si mund të ndodhë kjo? mbasi unë nuk njoh burrë?’. Engjëlli iu përgjigj: ‘Shpirti Shenjt do të zbresë mbi ty dhe fuqia e Tejet Lartit do të të mbulojë me hijen e tij". (Lk 1,30-31,34-35)”.

Maria, shtatzënë përmes veprës së Shpirtit Shenjt

Reflektimi i Papës niset nga e dhëna themelore e fesë, e vendosur nga Kisha, me Koncilin Ekumenik të Kostandinopojës, në vitin 381, në qendër të "Besojmës" domethënë nga zbritja e Shpirtit Shenjt mbi Marinë që , nëpër veprën e saj, do të bëhet Nëna e Krishtit. Ky, njoftimi i engjëllit.

E Françesku pohon:

“Bëhej fjalë për një fakt ekumenik feje, që të gjithë të krishterët të pohonin së bashku të njëjtin Simbol. Feja katolike, qysh prej kohëve që nuk mbahen mend, nxori prej tij një nga lutjet e saj të përditshme, atë të Engjëllit të Tënzot”.

Maria, figurë e Kishës

Është - vazhdon Françesku - neni i besimit "që na lejon të flasim për Marinë si Nusja par excellence, figurë e Kishës". Lumen gentium - vëren akoma Papa – e merr këtë paralelizëm ndërmjet Marisë, e cila lind të Birin "nën hijen e Shpirtit Shenjt" - dhe të Kishës. Duke cituar Kushtetutën Dogmatike, Papa pohon:  

“Kisha, duke soditur shenjtërinë misterioze të Virgjërës, duke imituar dashurinë e saj dhe duke përmbushur vullnetin e Atit, nëpërmjet Fjalës së Zotit të pranuar me besnikëri, bëhet edhe nënë, pasi me predikimin dhe pagëzimin lind për një jetë të re dhe të pavdekshme bijtë, të zënë për virtyt të Shpirtit Shenjt e të lindur nga Zoti”.

"Po kjo, si është e mundur?"

Duke vazhduar paralelizmin ndërmjet Marisë dhe Kishës, Françesku nënvizon më tej se, ashtu si Virgjëra e mirëpriti fillimisht Jezusin në vetvete dhe më pas e lindi, kështu edhe Kisha duhet së pari ta mirëpresë Fjalën e Zotit "për ta nxjerrë më pas në dritë me jetë e me predikim”. Ashtu siç ishte për Marinë, "edhe Kisha përball detyrave përtej fuqisë së saj, natyrshëm bën të njëjtën pyetje: "Si është e mundur?":

“Si është e mundur t'ia shpallim Jezu Krishtin dhe shëlbimin e tij një bote, që duket se kërkon vetëm mirëqenie? Përgjigjja është gjithnjë e njëjtë, si atëherë: ‘Do të merrni forcë nga Shpirti Shenjt’. Pa Shpirtin Shenjt Kisha nuk mund të ecë përpara, Kisha nuk mund të rritet, Kisha nuk mund të predikojë”.

"Asgjë nuk është e pamundur për Zotin"

Dhe jo vetëm Kisha, por çdo i pagëzuar, secili prej nesh - pohoi Papa -  e pyet veten "si mund ta përballoj këtë situatë?". Do të jetë e dobishme - përfundon - të kujtojmë përgjigjen e engjëllit:

“Vëllezër e motra, ta nisim edhe ne, përherë, udhën tonë me këtë siguri ngushëlluese ndër zemra: ‘Asgjë nuk është e pamundur për Zotin’. E nëse do ta besojmë këtë, do të bëjmë mrekulli. Sepse, s’ka gjë të pamundur për Zotin!”.

07 gusht 2024, 11:09

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >