Papa: shumë të rinj jetojnë vetëm për dukje, vetëm për vete
R.SH. / Vatikan
Fshehja, atësia dhe vëmendja ndaj të fundmëve: janë këto tri përmasat e jetës së Shën Jozefit, të rëndësishme për jetën fetare dhe shërbimin ndaj Kishës. Ndër to u përqendrua Papa Françesku në audiencën e sotme me pjesëmarrësit në Kapitullin XVIII të përgjithshëm të Kongregatës së Oblatëve të Shën Jozefit, jozefinëve të Asti-t të Shën Jozef Marello-s, që u pritën në audiencë sot, 26 gusht, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, në Vatikan. Përpara reflektimit të rastit, Papa kujtoi "origjinën astigjane", duke pranuar se ka "rrënjë të përbashkëta në atë tokë të Piemontit" ku lindi Shën Giuseppe Marello; “tokë e bukur, ajo, e verës së mirë”, shtoi duke folur lirisht.
Të rrënjosësh jetën tënde në Krishtin
Në fjalimin e tij, Papa, duke pasur para sysh fshehjen, citoi një nga motot e themeluesit të Oblatëve të Shën Jozefit: "çertozinë në shtëpi, e apostuj jashta shtëpisë”. Duke u frymëzuar pikërisht nga këto fjalë, Papa i nxiti rregulltarët ta venë Krishtin në qendër të jetë së tyre:
Pa Të ne nuk mund të qëndrojmë në këmbë, asnjë prej nesh: secili ka brishtësinë e tij dhe pa Zotin që të na mbështesë ne nuk do të mbaheshim dot. Prandaj ju inkurajojmë të kultivoni një jetë intensive lutjeje (...) përmes pjesëmarrjes në Sakramentet, dëgjimit dhe meditimit të Fjalës së Zotit, Adhurimit Eukaristik, si personal ashtu edhe komunitar.
Papa më pas, këmbënguli në adhurimin, “Heshtjen përpara Zotit”, të cilën duhet ta bëjnë të gjithë besimtarët dhe nënvizoi se sa e rëndësishme është të qëndrosh i palëkundur në Krishtin sepse, kur nuk është pranë Zotit, njeriu bie në mëkat", ndërsa "ai që është pranë Zotit e di ku duhet të mbahet, për të mos rënë”.
T’i ndihmojmë të rinjtë të takohen me Zotin
"Të jesh me Krishtin, ta dëgjosh, t'i flasësh, të jetosh me Të jetën e çdo dite” sjell fryte në apostullim - vazhdoi Papa Françesku - veçanërisht përkrah të rinjve që duan ta takojnë Zotin.
Të rinjtë nuk kanë nevojë për ne: kanë nevojë për Zotin! Dhe sa më shumë jetojmë në praninë e tij, aq më shumë jemi në gjendje t'i ndihmojmë ta takojnë atë, pa protagonizëm të panevojshëm dhe duke pasur në zemër vetëm shëlbimin dhe lumturinë e tyre të plotë. Të rinjtë tanë - por në të vërtetë pak a shumë të gjithë ne - jetojmë në një botë që shikon vetëm nga jashtë. Për të, ajo që ka rëndësi, është dukja, vlerësimi i jashtëm, përvoja gjithnjë e më e re. Por një jetë e jetuar tërësisht “jashtë”, të lë hapësira boshe përbrenda.
Ftesa e Papës për Oblatët e Shën Jozefit është, pra, që t'i bëjnë bashkësitë dhe strehët e tyre fetare "vende ku mund të ndihet dhe të ndahet bashkë ngrohtësia e njohjes me Zotin dhe ndërmjet vëllezërve".
Përkrah breznive të reja
Për sa i përket atësisë, Papa Françesku vë në dukje vëmendjen e Shën Jozef Marello-s ndaj të rinjve, për të cilët ndjente keqardhje të thellë, sepse ishin "shumë të braktisur dhe të lënë pas dore", "në mëshirën" e rastësisë. Ai dinte ta kuptonte "potencialin e madh për të mirën" që mund të "lulëzojë dhe të japë fryte tek të rinjtë, nëse mbështetet dhe shoqërohet nga udhërrëfyes të mençur, të durueshëm dhe bujarë" - theksoi Papa - i cili i nxiti Jozefinët e Astit të jenë "të vëmendshëm për të mirën e gjithanshme të të rinjve, konkretisht të pranishëm pranë tyre dhe familjeve të tyre, specialistë të artit mjeshtror të mësuesve të mirë, duke respektuar kohën dhe mundësitë e secilit".
Mirëpritje për të fundmit
Së mbrami, përsa i përket vëmendjes ndaj të fundmëve, Papa Françesku vuri në dukje besimin dhe bamirësinë me të cilën Shën Jozefi priti "Marinë dhe Foshnjën e saj", duke e njohur "Zotin, në varfërinë e tyre". E kjo do të thotë "të mirëpresim të fundmit”, përfundon Papa, "të mos përkulemi në mënyrë paternaliste" duke i konsideruar ata si inferiorë, por duke ndarë me ta "të njëjtën varfëri". Kjo na mëson "të bëhemi të varfërit e Zotit", gjë që Shën Jozef Marello e mësoi mbi të gjitha duke u kujdesur "për fëmijët më problematikë", e që "Zoti na thërret ta bëjmë edhe sot".
E, në përfundim të audiencës, duke u kthyer tek figura e Shën Jozefit, Papa Françesku tregoi se piktura që e portretizon atë duke fjetur, të kujton faktin se “në jetën e tij nuk mund të flinte, vuante nga pagjumësia, sepse pikërisht çastet kur ishte përgjumshëm, ia kishin ndryshuar jetën". “Njeriu që e la të ndryshojë jetën” - e quan Papa, duke na ftuar për të reflektuar edhe ne për guximin e tij.