Papa: situatë shumë e rëndë në Gaza. Ndaloni zjarrin, mos e përhapni konfliktin!
R.SH. / Vatikan
“Ankthet” e “dhimbjet” e shumë vendeve të botës, të copëtuara nga tensionet sociale dhe luftërat që duket se nuk kanë zgjidhje, duke nisur nga Lindja e Mesme ku ka shumëzim vdekjesh dhe tensionesh, Papa Françesku i lëshon tek këmbët e Virgjërës Mari. Asaj, Mbretëreshës së Paqes, Ngjitja e së cilës në Qiell kremtohet sot, më 15 gusht, nga Kisha universale, Papa i drejtohet gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, duke rinisur edhe një herë një thirrje të fuqishme për paqe, armëpushim, negociata, ndalim brutaliteti:
“Mendoj posaçërisht për Ukrainën e martirizuar, Lindjen e Mesme, Palestinën, Izraelin, Sudanin dhe Mianmarin. Uroj që Nëna jonë Qiellore t’i ngushëllojë të gjithë me një të ardhme të qetë e të harmonishme”.
Në Gaza, situatë jashtëzakonisht e rëndë humanitare
Në veçanti, Papa shprehu, me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në vapën e verës, shqetësimin për "situatën shumë të rëndë humanitare në Gaza". Vetëm në orët e fundit Hamasi informoi se në dhjetë muaj lufte, pra që nga 7 tetori, dita kur filluan bombardimet në Rrip si kundërpërgjigje ndaj masakrës së Hamasit në Izrael, është tejkaluar pragu i 40 mijë vdekjeve:
“Kërkoj edhe një herë që zjarri të ndalet në të gjitha frontet, të lirohen pengjet, të ndihmohet popullata e rraskapitur”.
Mënyrat e bisedimeve
Ndërsa bisedimet janë duke u zhvilluar në Doha të Katarit, për një armëpushim të mundshëm në Gaza, Françesku - si në thirrjet e tij publike ditët e fundit - rikthehet për t'u lutur që të mos shndërrohet e gjithë Lindja e Mesme në fuçi baruti, duke zgjeruar kufijtë e konfliktit. Ndërkaq, sulmi i mundshëm i Iranit kundër Izraelit është pritur prej ditësh, si kundërpërgjigje e vrasjes, në Teheran, të liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh. “Konflikti nuk duhet të përhapet”, thotë Ipeshkvi i Romës:
“I inkurajoj të gjithë të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar që konflikti të mos përhapet dhe të ndjekin rrugën e negociatave, në mënyrë që kjo tragjedi të përfundojë shpejt”.
Lufta është disfatë
“Të mos harrojmë - shton në përfundim Papa, duke folur lirisht – lufta është disfatë”. Gjithmonë, e për të gjithë!”.