La statua della Vergine Maria distrutta dall'Isis nella Piana di Ninive La statua della Vergine Maria distrutta dall'Isis nella Piana di Ninive

Papa: sot më shumë se kurrë bota ka nevojë për paqe, mikpritje dhe vëllazëri

Papa Françesku i shkruan Komitetit “Nazarat”, i cili që dhjetë vjet, pas dëbimit të të krishterëve nga Rrafshi i Ninives në Irak nga ISIS, ka promovuar lutjen e Rruzares më 20 gusht të çdo muaji për të gjithë të përndjekurit në botë, të krishterë dhe jo. Mesazhe edhe nga nga Ignazio Youssef III Younan, Patriarku siro-katolik i Antiokisë dhe nga famullitari i komunitetit latin të Halepit në Siri

R.SH. / Vatikan

Data 20 gusht 2024 do të shënojë dhjetë vjet nga fillimi i një gjesti "sui generis", që ka karakteristikat e veta të veçanta, i cili lindi spontanisht në Rimini dhe i zgjeruar me kalimin e kohës në trembëdhjetë qytete të tjera, jo vetëm në Itali, dhe me përfshirjen e njëzet e shtatë kuvendeve dhe manastireve në Itali dhe Evropë. Kjo është një nismë lutjeje, shkëmbimi dëshmish dhe grumbullimi të ndihmave të quajtura “Apel për njerëzimin” që u drejtohet të krishterëve të persekutuar dhe veçanërisht atyre që jetojnë në Lindjen e Mesme.

Papa: faleminderit për dëshminë tuaj

Në një mesazh me rastin e përvjetorit, Papa thotë se gëzohet të mësojë për aktivitetet ndërgjegjësuese të realizuara nga Komiteti për të krishterët e persekutuar, i quajtur Nazarat, “me një vëmendje të veçantë ndaj vëllezërve dhe motrave të shumta që jetojnë në toka të prekura nga konfliktet e tmerrshme”. Shkruan Ati i Shenjtë:

Faleminderit për dëshminë e bamirësisë, të afërsisë dhe veçanërisht të bashkimit me dhimbjen e popullsive të plagosur nga padrejtësia, shtypja, urrejtja dhe grykësia. I gjithë njerëzimi, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për Lajmin e Mirë të paqes dhe çdo i krishterë është i thirrur ta shpallë dhe ta bashkëndajë atë.

Promovues të një kulture respekti

Shpresa e Papës Françesku është se "ata që i bashkohen nismës do të vazhdojnë të promovojnë një kulturë respekti ndaj të gjithëve, një kulturë të mikpritjes dhe të një vëllazërie gjithëpërfshirëse" me ndihmën e Marisë Virgjër, Nënës Ndihmëtare.

Ajo e ndeztë në shpirtrat tanë dritën e shpresës për të na dhënë forcën për një të ardhme në qetësi dhe harmoni.

Dhjetë vjet Rruzare në sheshin e Riminit për paqen botërore

Manifestimi "Apel për njerëzimin" lindi në gusht të vitit 2014 pas dëbimit të të krishterëve nga Rrafshi i Ninives në Irak nga ISIS, që ndodhi natën midis 6 e 7 gushtit të vitit 2014. Brenda pak orësh 125 mijë të krishterë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre dhe të nisen drejt Kurdistanit të brendshëm, ndërsa 110 mijë të tjerë mbetën si refugjatë në zonën e Erbilit dhe Duhokit. Shtëpitë e familjeve të krishtera shënoheshin nga milicët islamikë me shkronjën fillestare të fjalës Nazarat, d.m.th. Nazarenas. Më 20 gusht të të njëjti vit 2014, në sheshin qendror të Riminit, në Itali, disa qindra njerëz u mblodhën për të lutur Rruzaren për ata të krishterë, për të dëgjuar disa dëshmi dhe për të mbledhur ndihma. Në këto dhjetë vjet, Nisma Nazarat ka mbledhur disa dhjetëra mijëra euro si ndihmë për të mbështetur qindra familje në vështirësi e të persekutuara, veçanërisht në Siri dhe Irak.

Pse Rimini?

Që nga viti 2014, me datë 20 të çdo muaji në “kryeqytetin” e turizmit veror të Italisë, Rimini, njerëzit luten për të krishterët e përndjekur dhe për paqen në botë. Kështu “Rimini është një qytet me vokacion ndërkombëtar dhe me projeksione drejt Lindjes, historikisht dhe gjeografikisht është një qendër mikpritjeje dhe takimi: nuk mund të mos lëviznim, të mos bënim asgjë”, shpjegojnë nismëtarët. Persekutimet kundër të krishterëve dhe pakicave të tjera fetare në dhjetë vitet e fundit janë shfaqur jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në zona të tjera të Azisë dhe Afrikës, "prandaj – vazhdojnë promotorët e nismës Nazarat - momenti i lutjes në shesh çdo muaj ka shërbyer për t’u njohur dhe për t’u ndërgjegjësuar për kushtet e jetesës të atyre që persekutohen në Siri, Irak, Nigeri, Kenia, Pakistan, Bangladesh, për çka dëshmojnë nga laikë, priftërinj, rregulltarë, ipeshkvij, gazetarë etj”.

Në takimin e lutjes, të martën e ardhshme më 20 gusht në orën 20.30, në Piazza Tre Martiri në Rimini, do të jetë i pranishëm edhe ipeshkvi i dioqezës së Riminit, Imzot Nicolò Anselmi.

 

16 gusht 2024, 12:13