Kërko

 monsignor Antuan Ilgit con i giovani del vicariato apostolico dell'Anatolia all'incontro di Trebisonda, 2024.08.17 monsignor Antuan Ilgit con i giovani del vicariato apostolico dell'Anatolia all'incontro di Trebisonda, 2024.08.17

Papa, të rinjve të Turqisë: angazhohuni për një botë më të drejtë dhe më vëllazërore

Në një letër dërguar kampit veror të organizuar nga Vikariati Apostolik i Anadollit, në të cilin morën pjesë fëmijë nga bashkësi të ndryshme të krishtera në vend, Françesku u kërkon atyre "të ecin gjithmonë përpara me gëzim dhe shpresë" dhe të mos çkurajohen përballë fatkeqësisë. Ipeshkvi imzot Ilgit: Ati i Shenjtë është shumë i interesuar për situatën tonë, veçanërisht që nga tërmeti i vitit të kaluar

R.SH. / Vatikan

Erdhën në Trabzon, Turqi, nga bashkësitë e ndryshme të Vikariatit Apostolik të Anadollit, për të marrë pjesë në kampin veror 2024, të organizuar nga 10 deri më 15 gusht në Kishën e Shën Marisë, ku u vra misionari italian don Andrea Santoro më 5 shkurt 2006. Rreth gjashtëdhjetë të rinj u takuan për të jetuar çaste reflektimi, lutjeje dhe ngjarje kulturore së bashku, të udhëhequr nga Imzot Antuan Ilgit, ipeshkvi ndihmës i Vikariatit, i ndihmuar nga rregulltarë maristë dhe kapuçinë dhe 14 murgesha nga Instituti i Fjalës së Mishëruar.

Papa shprehu afërsinë me ta në një letër, duke i inkurajuar "të ecin gjithmonë përpara me gëzim dhe shpresë" dhe të angazhohen "për të ndërtuar një botë më të drejtë, më vëllazërore dhe më të bukur". “Është gjithmonë mirë të mblidhemi së bashku për t'u lutur, për t'u njohur dhe për të ndarë gjithçka me njëri-tjetrin” - shkruan Papa. E letra e Françeskut, të cilën imzot Ilgit e përktheu në turqisht për t'ua lexuar të gjithë pjesëmarrësve në takim, ishte një dhuratë e papritur për të rinjtë. Ata deshën ta falënderonin Papën, duke i shkruar me radhë, u kujton Imzot Ilgit mediave të Vatikanit, duke i siguruar se tekstin do t’ua dorëzojë së shpejti.

Imzot Ilgit cili është bilanci i ditëve të kaluara me të rinjtë?

Në Vikariatin tonë ne organizojmë dy takime të mëdha, njëri përkon me festën e Kthimit të Shën Palit që kremtojmë në Tarsus, tjetri. me festën e Shën Pjetrit e Shën Palit, më 29 qershor. E organizojmë në Antiokia, sepse Vikariati është shumë i madh, i madh sa Italia. Fëmijët nuk kanë mundësi të takohen dhe kështu, duke organizuar këto dy takime, ne u japim mundësinë të shohin njëri-tjetrin, të shkëmbejnë ide dhe madje të bëjnë miq. Këtë vit djemtë më kërkuan t'i nxirrja nga zona e tërmetit dhe kështu zgjodhëm Detin e Zi, bregun tjetër të Turqisë, gjithashtu të Vikariatit, dhe u transferuam në Trabzon, ku shumë vite më parë u vra don Andrea Santoro. Takimi filloi më 10 gusht dhe zgjati pesë ditë. Morën pjesë shumë të rinj vendas, të krishterë nga Vikarati Apostolik, por edhe shumë refugjatë të krishterë. Reflektuam pak fjalët e Marisë Virgjër në takimin me engjëllin Gabriel – “U bëftë sipas fjalës sate” – me shumë momente heshtjeje, reflektimesh, ndarjesh, por edhe me lojëra e teatër. Vizituam edhe vendet me rëndësi për krishterimin, të cilat tani përdoren si muze ose janë shndërruar në Xhami.

Me rastin e këtij takimi ju morët një letër nga Papa...

Ati i Shenjtë, pas tërmetit, u interesua shumë për Vikariatin Apostolik të Anadollit dhe gjithmonë donte të informohej për situatën, por edhe për aktivitetet tona në lidhje me rininë. Kështu e paralajmërova për këtë takim dhe ai donte të shkruante disa rreshta për të inkurajuar të rinjtë. Letra, të cilën e përktheva në turqisht dhe e ndava me të rinjtë, me të vërtetë gjallëroi të gjithë kampin.

Çfarë ju shkroi Papa?

 Shkroi se është i lumtur kur e di se fëmijët mblidhen për t'u lutur dhe për të reflektuar dhe i inkurajoi të shikojnë përpara me shpresë, pa u dekurajuar.

Si i pritën të rinjtë këto fjalë?

Të rinjtë patën çaste reflektimi për letrën, nga që e dinin se në anën tjetër të Detit të Zi është Ukraina, se atje po zhvillohet një konflikt i madh dhe se më pas do të ndihet edhe në afërsi të shtëpive të tyre; atje është edhe Siria e është edhe çështja Izrael-Gaza. Ne reflektuam për luftën, për paqen, të inkurajuar edhe nga fjalët e Atit të Shenjtë Bergoglio. Në fund, në mënyrë sinodale, i shkruan një letër të cilën unë, sapo të kem mundësi, do t'jua dërgoj.

Çfarë i shkruan të rinjtë Papës?

Të rinjtë u gëzuan shumë kur morën letrën. Ata shprehën gëzimin e tyre duke shkruar se e lexuan me shumë mirënjohje, se ishte një nder i madh dhe burim force për ta të jetonin afërsinë e tij shpirtërore dhe t’ia besonin vetveten lutjeve të tij.

17 gusht 2024, 16:28