Kërko

Papa Françesku Papa Françesku

Papa: në këto kohë konflikti dhe trazirash, lutuni për drejtësi dhe paqe

Mesazh i Françeskut, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar Kalorësve të Kolombit, mbledhur në Quebec City për takimin me temë "Për misionin". Papa shpreh mirënjohje për ndihmën e dhënë popullsive të Lindjes së Mesme dhe Ukrainës dhe të persekutuarve për fenë. Falënderon edhe për "mbështetjen e jashtëzakonshme" në mbrojtjen e jetës në çdo fazë të zhvillimit, në mbrojtjen e dinjitetit të martesës dhe në misionin e Kishës në vendet në zhvillim

R.SH. – Vatikan

         “Në këto kohë të shënuara nga luftëra të reja, konflikte dhe trazira shoqërore”, Papa Françesku përsërit edhe një herë thirrjen drejtuar gjithë të krishterëve që “të luten për drejtësi, paqe dhe pajtim në familjen njerëzore”. E bën këtë në një mesazh të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar Patrick E. Kelly, eprorit të Kalorësve të Kolombit, me rastin e takimit të tyre të 142-të, që filloi më datën 6 e përfundon sot, 8 gusht, në Quebec City.

Mbështetje për popullsitë në luftë, mbrojtje e jetës dhe e martesës

Në veçanti, Papa shpreh mirënjohjen "për përpjekjet e Kalorësve, që kujdesen për nevojat e vëllezërve dhe motrave tona në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, ndër bashkësitë e krishtera të Lindjes së Mesme dhe ndër të gjithë ata, që persekutohen për fenë e tyre në Krishtin. Janë "çështje, që i ka veçanërisht për zemër si Bari i Kishës Universale", lexohet në mesazhin, që vijon: "Së bashku me veprimtaritë bamirëse të Këshillave të tij lokale në mbarë botën, Urdhri juaj vazhdon të japë mbështetje dhe inkurajim të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e jetës – dhuratë e Zotit - në çdo fazë të zhvillimit të saj, për dinjitetin e institucionit të martesës dhe për të çuar përpara misionin e Kishës në vendet në zhvillim”.

Centraliteti i familjes

Teksti ndalet veçanërisht në temën e ngjarjes, “Në mision”, "përqendruar në përmasën misionar të dishepujve të krishterë, që Ati i Shenjtë e ka nënvizuar që në ditët e para të papnisë së tij". Më pas citohet “Evangelii Gaudium”: “Çdo i krishterë është misionar në masën me të cilën ka takuar dashurinë e Hyjit në Krishtin Jezus”. Pikërisht "nevoja urgjente për ta dëshmuar këtë dashuri, veçanërisht në shërbim të të varfërve dhe në zellin apostolik për ndërtimin e Kishës në unitet, në vëllazërim dhe në besnikëri ndaj së vërtetës shëlbuese të Ungjillit" është baza e Kalorësve të Kolombit. “Në ndjekjen e këtyre objektivave fisnike, Urdhri juaj, që në zanafillë, i ka kushtuar vëmendje të madhe formimit të anëtarëve të tij si njerëz të fesë e të familjes”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit. “Gjatë brezave, Kalorësit kanë punuar për ta forcuar jetën familjare përmes katekizmit e formimit shpirtëror, kanë dëshmuar publikisht për centralitetin e familjes si qelizë themelore e shoqërisë dhe kanë mbështetur një sërë nismash për misionin e domosdoshëm shoqëror dhe edukativ të familjeve”.

Rreziqet për të rinjtë

Ky impenjim historik përfshin edhe “shqetësimin e veçantë për transmetimin e fesë te brezat e rinj, duke rrënjosur vlerat e shëndetshme dhe duke i shoqëruar të rinjtë drejt maturisë, si burra e gra me integritet, urti e në shërbim të bashkësive ku jetojnë”. Në fjalimet e shkrimet e tij, Papa Françesku i paraljmëron pikërisht të rinjtë për "rrezikun, që në shoqërinë e sotme fluide dhe shpesh joserioze, të shkëputen nga rrënjët fetare dhe kulturore të identitetit të tyre më të thellë". Për këtë arsye, Françesku inkurajon veçanërisht nismën “Cor” të Kalorësve.

Shtegtimi Eukaristik në SHBA

Mesazhi kujton gjithashtu shtegtimin eukaristik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, organizuar nga Urdhri, i cili " dha një dëshmi mbresëlënëse jo vetëm për besimin e Kishës në fuqinë shëlbuese të flijimit të Krishtit në kryq, por edhe për shoqërimin e vazhdueshëm të Kishës nga ana e Birit të Hyjit, në shtegtimin e saj në histori”. Papa u kërkon kalorësve dhe familjeve të tyre të vazhdojnë të ofrojnë lutje dhe meshë "për triumfin e paqes së Krishtit në zemrat e gjithë njerëzve dhe për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë".

Drejt Jubileut

Së fundi, duke pasur parasysh Jubileun 2025, Papa vë në dukje se shtegtarët e shumtë, që do të kalojnë Portën Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit, do të sodisin baldakinin e Berninit mbi altarin, nën të cilit ndodhet apostulli i madh, restauruar “falë bujarisë së Kalorësve të Kolombit”.

08 gusht 2024, 16:14