Kërko

Logo Viaggio Papa Papua Nuova Guinea, Indonesia, Timor del Est e Singapore Logo Viaggio Papa Papua Nuova Guinea, Indonesia, Timor del Est e Singapore

Papua Guinea e Re përgatitet për vizitën e Papës Françesku, me dritën e qirinjve

Përpara arritjes së Papës Françesku në Papua Guinenë e Re, më 6 shtator, Kisha Katolike vendase përgatitet ta mirëpresë me një vigjilje me qirinj ndezur.

R.SH. / Vatikan

Kisha Katolike në Papua Guinenë e Re po përgatitet për një vigjilje me qirinj ndezur më 6 shtator, për të mirëpritur Papën Françesku dhe shoqëruesit e tij. Ndezja e qirinjve, sipas një gazete lokale, do të jetë ngjarja e parë e vizitës tre-ditore të Papës në vend. Mbrëmësorja, që do të kremtohet jashtë, pas perëndimit të diellit, me pjesëmarrjen e të gjithëve, synon t’i tërheqë së bashku katolikët, edhe anëtarët e besimeve të tjera të krishtera.

“Për t’u siguruar që kjo vizitë të jetë e paharrueshme për ne e edhe për Papën, përgatitja është e rëndësishme edhe pse, në moshën 87-vjeçare e pa marrë parasysh shqetësimet shëndetësore, Ati i Shenjtë nuk hoqi dorë nga dëshira për ta vizituar Papua Guinenë e Re”- kujton kardinali John Ribat i Port Moresby i cili, duke nënvizuar përpjekjet e  Papës për paqen, lutjen dhe punën misionare, shpjegon se vizita është zyrtare, shtetërore dhe mision baritor.

Prelati thekson edhe se shtegtimi i Papës në Papua Guinenë e Re sjell bekime e shpresë, mes sfidave të vazhdueshme të kombit. Papa Françesku do të jetë Papa i dytë që viziton PNG-në, pas Gjon Palit II, i cili e vizitoi vendin më 1984 dhe 1995.

Të shtunën, më 7 shtator, dita e Papës do të fillojë në orën 9.45 me një vizitë kortezie te guvernatori i përgjithshëm në “Shtëpinë e Qeverisë”. Takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik në “Apec Haus” është planifikuar për në orën 10.25. Në orën 17:00, vizita tek fëmijët e “street ministry” dhe “callan services” në “Shkollën e Mesme Teknike Caritas”. Në orën 17.40 takimi me ipeshkvijtë e Papua Guinesë së Re dhe Ishujve Solomone, priftërinjtë, diakonët, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët dhe katekistët, në Shenjtëroren e Marisë Ndihmëtare.

Të dielën, më 8 shtator, Papa do të udhëtojë në Vanimo, ku do të kryesojë një kremtim eukaristike. Më pas do të marrë pjesë në një tubim të të rinjve në stadiumin Sir John Guise, përpara nisjes së tij, më 9 shtator.

17 gusht 2024, 11:45