2024.08.14 martiri della Repubblica Democratica del Congo 2024.08.14 martiri della Repubblica Democratica del Congo

RD Kongos: shembulli i të Lumve të rinj favorizon shtigjet e paqes

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Françesku kujtoi lumnimin e sotëm, 18 gusht, në Uvira, të tre rregulltarëve të Shoqërisë së Devotshme të Shën Françesk Saverit për misionet e huaja dhe të një prifti dioqezan, të cilët e vunë gjithë jetën në shërbim të Zotit dhe të vëllezërve. Kremtimi u kryesua nga kardinali Ambongo Besungu. Në predikim, thirrja e Kardinalit: kurrë më luftëra e dhunë, gjithnjë rrugë dialogu dhe zgjidhje paqësore e konflikteve.

R.SH. / Vatikan

U lanë trashëgim njerëzve dashuri dhe frymë vëllazërore. U vranë më 28 nëntor 1964, sepse zgjodhën rrugën e fesë së tyre, të etur për të bërë mirë në misionet e Kivu-së Jugore, në Republikën Demokratike të Kongos, gjatë rebelimit mulelist kundër qeverisë, në rrethana ateiste dhe antifetare. Sot, 18 gusht, fratel Vittorio Faccin, Atë Luigi Carrara dhe Atë Giovanni Didoné, misionarë Saverianë si dhe Dom Albert Joubert, prift dioqezan, u shpallën të lum nga Kardinali Fridolin Ambongo Besungu, kryeipeshkëv i Kinshasës, përfaqësues i Papës në Uvira, në zonën e përparme të Katedrales së Shën Palit.

Ndërkaq Françesku i kujtoi të Lumtë e rinj në lutjen e Engjëllit, duke theksuar se:

"…martirizimi i tyre ishte kulmi i një jete të kaluar për Zotin dhe për vëllezërit, me shpresën se shembulli dhe ndërmjetësimi i tyre mund të favorizojnë rrugët e pajtimit dhe të paqes për të mirën e popullit kongolez”.

Mjaft më me dhunë, vrasje dhe vdekje në tokën kongoleze!

"Jam i bindur se gjaku i dëshmorëve tanë të lum do të marrë për ne, nga Zoti, dhuratën e paqes"- theksoi kardinali Besungu në predikimin e tij, duke shtuar se "jeta e tyre na sfidon sot"  e duke bërë një thirrje të fortë: "Mjaft më me dhunën! Me barbarizmin! Mjaft me vrasjet dhe vdekjet" në tokën kongoleze, "dhuna dhe luftërat janë rezultat i marrëzisë".

Për kryeipeshkvin e Kinshasës "rebelët i udhëheqin njerëz që distancohen nga rruga e inteligjencës, njerëz të pamend, që nuk kanë as frikë nga Hyji dhe as respekt për njeriun e krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit". "Zoti nuk i do luftërat - vazhdoi ai - Zoti nuk e do dhunën. Zoti nuk i do konfliktet. Meqenëse konfliktet e armatosura e degradojnë njeriun dhe e privojnë nga dinjiteti i birit të Zotit, dhuna, konfliktet dhe luftërat janë vepër e djallit dhe e bashkëpunëtorëve të tij, që mbjellin shkretim dhe vdekje". Kardinali Ambongo Besungu kërkoi të braktiset "marrëzia e etjes për pushtet" dhe "të favorizohet rruga e dialogut dhe zgjidhja paqësore të konflikteve".  

Çfarë frytesh i sjellin kishës kongoleze këto lumturime?

Albert Joubert është prifti i parë dioqezan nga Kongoja, që u shpall i Lum. I nxit kongolezët për t’i bërë vetes një mori pyetjesh, posaçërisht të mendojnë për pyetjet që bëjnë ndonjëherë fëmijët: po pse shenjtorët kujtohen shpesh në Kishat e kontinenteve të tjera, ndërsa tejet rrallë këtu, në Kongo? Kemi apo s’ kemi edhe ne kujtesë? E edhe shenjtorë?

Pyetje shumë të thjeshta në lidhje me shenjtërinë e kanonizuar, që nuk i bëjmë aq shpesh, sa duhet. E megjithatë, njohja e këtyre martirëve si të lum po hap një rrugë shprese, duke kujtuar edhe të vërtetën se çdo gjë nuk përfundon pas vdekjes.  

18 gusht 2024, 17:38