Takimi në Rimini, Papa: besimi në Jezusin është themelor në jetë

Në Mesazhin e nënshkruar nga kardinali Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit me rastin e takimit vjetor “për miqësinë ndërmjet popujve”, Papa Françesku fton për ta bërë tokën “tempull vëllazërie”, ndërsa rreth nesh fryjnë “erërat e ftohta të luftës”, të cilave u shtohen "dukuri të përsëritura të padrejtësisë, të dhunës dhe të pabarazisë" si dhe një "emergjencë serioze klimatike"

R.SH. / Vatikan

Jezusi është kryesori, e kthimi tek Ai "kushti për t'u zhytur vërtet në histori, për ta përballuar, pa ikur nga sfidat e saj, për të gjetur guximin të rrezikosh dhe të dashurosh, edhe kur duket se kjo nuk ia vlen". Këtë thekson Papa Françesku në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, për Takimin e 45-të të Miqësinë ndërmjet Popujve, i cili fillon nesër në Rimini dhe do të zgjasë deri më 25 gusht, me temë "Nëse nuk jemi në kërkim të gjërave themelore, atëherë çfarë kërkojmë?”. Një temë kjo, që Papa e vlerëson, "sepse synimi për themeloren na ndihmon ta kontrollojmë jetën tonë dhe ta bëjmë mjet dashurie, mëshire dhe dhembshurie, duke u bërë edhe ne vetë shenjë bekimi për të tjerët".

Krijimi i vendeve, ku mund të jetohet prania e Krishtit

Sot, të tunduar nga çkurajimi për shkak të "ndërlikimit të krizës aktuale" dhe përballë "sfidës së një paqeje që duket e pamundur", Papa "i nxit të gjithë të jenë protagonistë të përgjegjshëm të ndryshimit, duke bashkëpunuar aktivisht në misionin e Kishës, për t'i dhënë jetë së bashku vendeve ku prania e Krishtit mund të shihet dhe të preket". Ky është angazhim, që mund të krijojë "një botë të re, ku Dashuria e Krishtit për ne më në fund triumfon dhe i gjithë planeti bëhet tempull vëllazërie".

Kërkoni atë, që vë në pah bukurinë e jetës

Në Mesazhin e Papës nënvizohet se, në epokën aktuale "të ngarkuar me probleme të ndryshme dhe sfida të dukshme", përballë së cilës ndonjëherë jetohet "një ndjenjë ligështie, një qëndrim disfatist dhe pasiv që mund të çojë në 'zvarritjen e jetës', në hutimin e kalimtarit e deri në humbjen e kuptimit të çdo gjëje", është me rëndësi vendimtare të synohet kërkimi i "misterit të jetës". Prandaj Ati i Shenjtë Françesku inkurajon "përpjekjen për të kërkuar, me pasion dhe entuziazëm”, atë që “e bën të dukshme bukurinë e jetës”. Dhe më pas "ndërsa fryjnë erërat e akullta të luftës", të cilave u shtohen "dukuri të përsëritura të padrejtësisë, dhunës dhe pabarazisë", "emergjenca serioze klimatike" dhe "një ndryshim i paparë antropologjik", "çka ia vlen të jetosh dhe të shpresosh, është takimi me Zotin”.

Miqësia me Zotin

Ftesa e Papës është t'ia hapim zemrën Zotit për t'u "ndërgjegjësuar për veten, për të afërmin, për realitetin", e "për t'u bërë lypës të themelores", asaj që i jep kuptim jetës, duke u zhveshur "nga çka e rëndon jetën e përditshme". Në këtë mënyrë mund të zbulohet "se vlera e ekzistencës njerëzore nuk gjindet në gjërat, në sukseset e arritura, në garën e konkurrencës", por në "miqësinë me Zotin" - "marrëdhënie dashurie, që na mban, duke e rrënjosur ecjen tonë me besim dhe shpresë – e që "pastaj pasqyrohet në të gjitha marrëdhëniet e tjera njerëzore, duke na dhuruar gëzimin që nuk do të na mungojë kurrë".

Teksti i Papës dërguar në Takimin e Riminit kujton fjalët e Don Luigi Giussanit "për studentët e rinj të universitetit: "Ju jeni të dashur" [...]. Ky është Jezu Krishti në historinë e njeriut". Përmbledhtas, themeluesi i lëvizjes kishtare 'Comunione e Liberazione' (Bashkim dhe Çlirim) shpjegon se jeta është të jesh i dashur, fati është të jesh i dashur. Dhe "në të njëjtën gjatësi vale, Papa Françesku kujton - siç tha në fjalimin e tij në seancën plenare të Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, 26 janarin e kaluar - se "më themelor, më i bukur, më tërheqës dhe në të njëjtën kohë, më i nevojshëm është besimi në Krishtin Jezus".  Sepse "vetëm Zoti e shpëton njerëzimin tonë të brishtë dhe, në mes të fatkeqësisë, na bën të jetojmë një gëzim, që përndryshe do të ishte i pamundur".

Kërkoni themeloren

Duke parë "programin e pasur të Takimit" në Rimini, shpresa e Françeskut - i cili u dërgon bekimin e tij organizatorëve, vullnetarëve dhe pjesëmarrësve - është që "propozimet e shumta e edhe gjuhët e ndryshme të mund të ngjallin te shumëkush dëshirën për t'u bërë kërkuesit e themelores e të bëjnë që të lulëzojë në zemra pasioni për shpalljen e Ungjillit, i cili na largon "nga çdo skllavëri" dhe është "forcë që e shëron dhe e shndërron njerëzimin".

19 gusht 2024, 14:00