Kërko

Ada Miotti Parolin, në të majtë Ada Miotti Parolin, në të majtë

Afërsia e Papës me kardinalin Parolin pas vdekjes së nënës së tij Ada

Në një telegram, Françesku shpreh afërsinë e tij shpirtërore për zinë, që ka prekur familjen e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, me origjinë nga Schiavon, në zonën e Viçencës, duke e siguruar për lutjet e tij “në këtë moment të veçantë vuajtjeje njerëzore”. Funerali u kremtua sot paradite në Schiavon nga vetë kardinali

R.SH. – Vatikan

Në një telegram drejtuar Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, Papa Françesku, “i informuar për ndarjen nga jeta të nënës së tij të dashur, zonjës Ada”, të shtunën më 31 gusht, merr pjesë shpirtërisht “në zinë, që ka prekur familjen”, duke siguruar afërsinë e tij “në këtë moment të veçantë vuajtjeje njerëzore”. Dhe ndërsa ia beson "prindin e dashur mëshirës së Atit që dhuron jetën” – siç shkruan Papa – i larton lutjen Zotit “që ta mirëpresë atë në gëzimin e amshuar”, ndërsa për të gjithë familjarët, që vajtojnë për vdekjen e saj, kërkon “ngushëllimin në besimin në Krishtin e ngjallur”, duke iu dërguar “me gjithë zemër bekimin atëror".

Ada Miotti Parolin ishte 96 vjeç. Funerali u kremtua nga vetë kardinali, paraditen e sotme 3 shtator, në orën 9.30, në kishën famullitare të Schiavon-it, në dioqezën e Viçencës. “Faleminderit nënë, në gjunjët e tua mësuam ta njohim Ungjillin”, tha kardinali Parolin gjatë homelisë, me zërin e mbytur nga emocioni, duke nënvizuar se tek e ëma “sot, u realizua ajo fe në ringjalljen, në të cilën besojmë. Ajo, që tani na sheh këtu, do të ishte e lumtur dhe mirënjohëse për pjesëmarrjen tuaj të madhe", iu drejtua prelati të pranishmëve, para se të gjithë të shkonin në varrezat e fshatit, ku do të prehen eshtrat e nënës së Sekretarit të Shtetit të Vatikanit.

03 shtator 2024, 12:37