Kërko

Françesku: vëllazërimi është përgjigjja për komplotet e urrejtjes dhe të luftës

Në audiencën e përgjithshme, Papa flet sërish për udhëtimin e tij të fundit apostolik në Indonezi, Papua Guinenë e Re, Timorin Lindor dhe Singapor: gjeta një Kishë të madhe dhe të gjallë, e cila nuk bën prozelitizëm, por i tërheq njerëzit. Dhembshuria është mënyra për të dëshmuar Krishtin

R.SH. – Vatikan

Katekizimi i sotëm i Papës Françesku në audiencën e përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, fillon me një episod të shkurtër të paplanifikuar: Ati i Shenjtë njofton se dy lexues do të martohen të shtunën e ardhshme, duke thënë se "është bukur të shohësh kur dashuria krijon një familje të re: prandaj desha t'i prezantoj këta të dy, për të falënderuar Zotin".

Më pas, Papa reflektoi mbi përvojën dhe emocionet e udhëtimit të tij të fundit në Azi dhe Oqeani, “udhëtim apostolik, sepse nuk është turizëm”, sqaroi ai. Qëllimi është “të çohet Fjala e Zotit, të bëhet i njohur Zoti, si edhe të njihet shpirti i atyre popujve". Për çdo etapë, Françesku tregoi përshtypjet e tij dhe shpjegoi se deshi të ndiqte shembullin e Papës Pali VI, i cili në vitin 1970 vizitoi "Filipinet dhe Australinë, por u ndal edhe në vende të ndryshme aziatike e në ishujt Samoa". Nga 2 deri më 13 shtator, Papa shkoi në Indonezi, Papua Guinenë e Re, Timorin Lindor dhe Singapor e sot, e falënderoi Hyjin, që ia mundësoi këtë, pavarësisht nga mosha. Si jezuit i ri, kujtoi, do të kishte dashur të ishte misionar në Lindjen e Largët.

“Një reflektim i parë, që vjen spontanisht pas këtij udhëtimi, është se kur mendojmë për Kishën jemi ende shumë eurocentrikë, ose, siç thuhet, ‘perëndimorë’. Por në të vërtetë, Kisha është shumë më e madhe, shumë më e madhe se Roma dhe Evropa, shumë më e madhe!, e edhe - guxoj të them - shumë më e gjallë, në ato vende! E përjetova me emocion gjatë takimit me ato bashkësi, duke dëgjuar dëshmitë e meshtarëve, murgeshave, laikëve, veçanërisht të katekistëve - katekistët janë ata që ungjillëzojnë. Kisha që nuk bëjnë prozelitizëm, por rriten përmes ‘tërheqjes’, siç thoshte me urti, Benedikti XVI”.

Dhembshuria është rruga e të krishterëve

Papa foli para së gjithash për Indonezinë, ku "të krishterët janë rreth 10% dhe katolikët 3%", megjithatë Kisha është "e gjallë, dinamike, e aftë të jetojë dhe të transmetojë Ungjillin". Një komb, "i cili ka një kulturë shumë fisnike, të prirur për t’i harmonizuar ndryshimet" dhe që ka "numrin më të madh të myslimanëve në botë".

“Në këtë kuadër, pashë se dhembshuria është rruga, në të cilën mund dhe duhet të ecin të krishterët për të dëshmuar Krishtin Shëlbues e njëkohësisht, rruga e takimit të traditave të mëdha fetare dhe kulturore”.

Duke folur për dhembshurinë, Papa ftoi të mos harrojmë "tri karakteristikat e Zotit: afërsinë, mëshirën dhe dhembshurinë", duke shtuar se “kur i krishteri nuk ka dhembshuri, nuk duhet gjë". E, më pas, nënvizoi se, siç pa në Indonezi, “vëllazërimi është e ardhmja, është përgjigjja për antiqytetërimin, për komplotet djallëzore të urrejtjes e të luftës, si edhe për sektarizmin”.

Një model zhvillimi i gjithanshëm

Në Papua Guinenë e Re, ku "grupet e ndryshme etnike flasin më se tetëqind gjuhë" – pra, në një “ambient ideal për Shpirtin Shenjt, të cilit i pëlqen ta bëjë të tingëllojë mesazhin e Dashurisë në simfoninë e gjuhëve", Papa theksoi se zbuloi bukurinë e “Kishës misionare në dalje”, ku impenjohen misionarë dhe katekistë.

“M’u gëzua zemra që kalova pak kohë me misionarët dhe me katekistët e sotëm; dhe u preka duke dëgjuar këngët dhe muzikën e të rinjve: në ta pashë një të ardhme të re, pa dhunë fisnore, pa varësi, pa kolonializëm ideologjik dhe ekonomik; një të ardhme vëllazërimi dhe kujdesi për natyrën e mrekullueshme. Papua Guinea e Re mund të jetë një ‘laborator’ i këtij modeli zhvillimi të gjithanshëm, frymëzuar nga ‘tharmi’ i Ungjillit”.

Papa përmendi "kujtimin e bukur" nga vizita në Vanimo, "ku misionarët jetojnë ndërmjet pyllit dhe detit. Shkojnë në pyll për të kërkuar edhe fiset më të fshehura".

Kur feja bëhet kulturë

Ndërkaq, tiparet që gjeti Françesku në Timorin Lindor, janë “promovimi njerëzor dhe social i mesazhit të krishterë” në një vend, ku Kisha ka kontribuar në udhën drejt pavarësisë, “duke e orientuar gjithmonë drejt paqes dhe pajtimit”. E kjo, pa e ideologjizuar fenë, por, duke e bërë atë “kulturë, të cilën, njëkohësisht, e shndrit, e purifikon dhe e larton”. Feja, nënvizoi Papa, “duhet të inkulturohet dhe kulturat të ungjillëzohen”.

“Por, mbi të gjitha, më bëri përshtypje bukuria e atij populli: një popull i sprovuar, por i gëzuar, një popull i urtë në vuajtje. Një popull, që jo vetëm lind shumë fëmijë - e kishte një det me fëmijë, shumë eh? – por u mëson atyre të buzëqeshin. Nuk do t'i harroj kurrë buzëqeshjet e fëmijëve të atij atdheu, të atij rajoni. Buzëqeshin gjithmonë fëmijët atje dhe ka kaq shumë. Ajo fe u mëson të buzëqeshin e kjo është garanci për të ardhmen. Me një fjalë, në Timorin Lindor pashë rininë e Kishës: familje, fëmijë, të rinj, shumë seminaristë dhe aspirantë për jetën e shuguruar. Dua të them, pa e ekzagjeruar, thitha ‘ajër pranvere’!”

Një Kishë, që krijon harmoni

Së fundi, në Singapor, një "qytet-shtet shumë modern", ku "të krishterët janë pakicë", ka "një Kishë të gjallë, të angazhuar për të krijuar harmoni dhe vëllazërim ndërmjet etnive, kulturave dhe feve të ndryshme". Në këtë vend të pasur, kush ndjek Ungjillin bëhet "kripë dhe dritë", pohoi Françesku, dëshmitar "i një shprese më të madhe se ajo, që mund të garantojnë përfitimet ekonomike".

Në përfundim të katekizmit, Papa foli pa letër për popujt, që e pritën "me aq ngrohtësi, me aq shumë dashuri", duke i falënderuar ata dhe "qeveritë, të cilat ndihmuan shumë" që udhëtimi i tij i 45-të apostolik "të bëhej me rregull, pa probleme". Të gjithëve, Ati i Shenjtë u shprehu mirënjohjen e tij të thellë.

18 shtator 2024, 10:50

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >