Belgjikë: Papa takon komunitetin katolik."Kisha është grua"
R.SH. / Vatikan
Vazhdon udhëtimi i Papa Françeskut në Belgjikë. Dita e sotme, e dyta në Belgjikë, filloi me një takim privat në Nunciaturën Apostolike me disa autoritete të Bashkimit Evropian dhe më pas me të pastrehët në Kishën e Saint Gilles në Bruksel. Më vonë, takimi në Bazilikën e Zemrës së Shenjtë të Koekelberg ku Papa përshëndeti komunitetin katolik të vendit.
"Në Kishë ka vend për të gjithë, të gjithë dhe askush nuk duhet të jetë fotokopje e tjetrit. Uniteti në Kishë nuk është uniformitet, por është gjetja e harmonisë në diversitet", tha Bergoglio i cili më pas iu kthye çështjes së pedofilisë. "Abuzimet gjenerojnë vuajtje të tmerrshme dhe plagë, duke minuar edhe udhën e fesë. Dhe ka nevojë për shumë mëshirë, që të mos qëndrojmë me zemër të ngurtë përballë vuajtjeve të viktimave, për t'i bërë ata ta ndiejnë afërsinë tonë dhe t’u ofrojmë çdo ndihmë të mundshme, të mësojmë prej tyre të jemi një Kishë që i shërben të gjithëve pa nënshtruar askënd”, tha Papa e shtoi. “Po, sepse njëra rrënjë e dhunës qëndron tek shpërdorimi i pushtetit, kur ne përdorim rolet që kemi për të shtypur të tjerët ose për t'i manipuluar ata”, ripohoi ai.
Në Bazilikën e Zemrës së Shenjtë të Koekelberg në Bruksel, Papa foli edhe për periudhën e “minoritetit” që po kalon krishterimi. “Ndryshimet e epokës sonë dhe kriza e fesë që po përjetojmë në Perëndim na kanë shtyrë të kthehemi tek thelbësorja, pra tek Ungjilli, në mënyrë që lajmi i mirë që solli Jezusi në botë t’u shpallet sërish të gjithëve, duke bërë që të shkëlqejë gjithë bukuria e tij”, nënvizoi Papa, duke shpjeguar se “ne kemi kaluar nga një krishterim i vendosur në një kornizë mikpritëse shoqërore në një krishterim “minoriteti”, ose më mirë, në atë të dëshmisë. Dhe kjo – përfundon Papa – kërkon guximin e një konvertimi kishtar, për të nisur ato transformime baritore që kanë të bëjnë edhe me zakonet, modelet, gjuhët a fjalorët e fesë, në mënyrë që ato të jenë vërtet në shërbim të ungjillëzimit”.
Pasdite Ati i Shenjtë Bergoglio u zhvendos në Université Catholique de Louvain për të takuar studentët. Një mundësi për të folur edhe për temën e grave në Kishë. “Kisha është grua”, ripohoi Françesku, por “është keq kur një grua dëshiron të jetë burrë”. "Dhuna dhe padrejtësitë rëndojnë mbi gratë, së bashku me paragjykimet ideologjike. Prandaj ne duhet të rigjejmë pikënisjen: kush është gruaja dhe kush është Kisha". Papa Françesku saktësoi se "Kisha është populli i Zotit, jo një kompani shumëkombëshe". Dhe "gruaja në popullin e Zotit është bijë, motër e nënë. Ashtu siç jam unë bir, vëlla, baba. Këto janë marrëdhënie që shprehin qenien tonë në përngjasimin e Zotit, burrë e grua, së bashku, jo veçmas!".
Udhëtimi i Bergoglios në zemër të Evropës do të përfundojë nesër me kremtimin e Meshës në orën 10:00 në stadiumin 'King Baudouin' në Bruksel dhe me lutjen e Engjëllit të Zotit Gjatë Meshës do të bëhet lumturimi i një mistike karmelite. Kthimi i Papës në Romë pritet në orët e para të pasdites.