Nënshkrimi i deklaratës në xhaminë Istiqlal Nënshkrimi i deklaratës në xhaminë Istiqlal

Deklarata e Istiqlalit: besimtarët angazhohen për paqe e dialog

Gjatë takimit ndërfetar në Xhaminë Istiqlal të Xhakartës u nënshkrua një deklaratë e përbashkët nga Papa dhe Imami i Madh. Dokumenti përqëndrohet në angazhimin e të gjithë besimtarëve kundër dhunës dhe mbi rolin e feve për mbrojtjen e paqes dhe të harmonisë

R.SH. - Vatikan

Bota jonë është përballë dy krizave serioze: “çnjerëzimi dhe ndryshimi i klimës”. Bazohet mbi këtë konsideratë Deklarata e përbashkët e Istiqlal 2024, dokument që Papa Françesku dhe Imami i Madh, prof. Nasaruddin Umar, nënshkruan në kuadër të takimit ndërfetar në xhaminë e madhe të Xhakartës. Deklarata vëren me hidhërim se "feja shpesh shfrytëzohet", duke u shkaktuar vuajtje shumë njerëzve, në një botë të përshkuar gjithnjë e më shumë nga dhuna. Prandaj ritheksohet se roli i feve duhet “të përfshijë nxitjen dhe mbrojtjen e dinjitetit të çdo jete njerëzore” e jo të kundërtën. Njëkohësisht denoncon shpërdorimin e krijimit, të "shtëpisë sonë të përbashkët" me "pasoja shkatërrimtare, si fatkeqësitë natyrore dhe ngrohja globale”, që e bëjnë krizën ambientale "pengesë për bashkëjetesën e harmonishme të popujve".

Përgjigjja e feve, krizave të kohës sonë

Prandaj Deklarata thekson edhe përgjigjet, që mund t'i japin fetë, nëpërmjet një angazhimi të përbashkët, këtyre krizave të rënda të kohës sonë. Theksohet, prandaj, se "parimi filozofik indonezian i Pancasila" mund të ofrojë një kontribut të ndjeshëm në këtë drejtim.

 Papa dhe Imami i Madh kërkojnë orientimin e vlerave fetare "në mbrojtje të një kulture respekti, të dinjitetit, dhembshurisë, pajtimit dhe solidaritetit vëllazëror, për të kapërcyer dehumanizimin dhe shkatërrimin e mjedisit".

Një detyrë e veçantë, lexohet në dokument, i pret prijësit fetarë, të cilët duhet të bashkëpunojnë për të mirën e njerëzimit.

Dialogu ndërfetar duhet vlerësuar gjithnjë e më shumë

“Meqë ekziston një familje e vetme njerëzore globale - shkruhet në Deklarata e Përbashkët Istiqlal - dialogu ndërfetar duhet të njihet si mjet efektiv për zgjidhjen e konflikteve lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht ato të shkaktuara nga shpërdorimi i fesë”.

Dokumenti përfundon me ftesën drejtuar gjithë njerëzve vullnetmirë, “që ta ruajnë integritetin e ekosistemit" për t'ua përcjellë të gjitha burimet e trashëguara, breznive të ardhshme.

05 shtator 2024, 11:37