Kërko

Migrantë Migrantë

Françesku: emigrantët na kërkojnë të kultivojmë ëndrrën e vëllazërimit

Papa shkruan parathënien për librin e don Mattia Ferrari-t me titull “I shpëtuar nga emigrantët. Tregimi i një stili jete”. Në vëllimin, botuar ditët e fundit nga Edizioni Dehoniane Bologna (EDB), kapelani i shoqatës “Mediterranea Saving Humans” përshkruan përvojën e tij në det për shpëtimin e emigrantëve, që ikin nga vendet e tyre në kërkim të një ardhmërie më të mirë

R.SH. – Vatikan

Që në fillimet e papnisë – shkruan Papa Françesku në parathënien e librit “I shpëtuar nga emigrantët. Tregimi i një stili jete” - i kam kushtuar vëmendje të veçantë dramës së emigrantëve, një nga shenjat e kohës së kësaj epoke historike. Në udhëtimin tim të parë apostolik shkova në Lampeduzë, vend simbolik i mbytjes së anijeve dhe i mikpritjes. Aty nënvizova pikën qendrore të çështjes:

“Ku është vëllai yt?”, zëri i gjakut të tij lartohet deri tek unë, thotë Zoti. Kjo nuk është pyetje drejtuar të tjerëve, është pyetje që më drejtohet mua, juve, secilit prej nesh.

Drama e emigrantëve – vijon reflektimin e tij Papa - sfidon identitetin tonë më të thellë: duhet të vendosim nëse do të jemi vërtet vëllezër dhe motra apo jo. E përsërita këtë në takimin e ipeshkvijve dhe të rinjve të Mesdheut në Marsejë, më 22 shtator 2023:

Para nesh kemi një udhëkryq: nga njëra anë, vëllazërimi, që e mbars bashkësinë njerëzore me të mira; nga ana tjetër, indiferenca, që e gjakos Mesdheun. Ne e gjejmë veten në një udhëkryq qytetërimi. Ose kultura e humanizmit dhe e vëllazërimit, ose kultura e indiferencës, që thotë: secili të bëjë si mundet.

Vitet e fundit kam takuar vazhdimisht emigrantë, historitë e të cilëve përfshinin historitë e shumë njerëzve: disa nga këto takime, si ato me Bentolon dhe Paton, tregohen në këtë libër – vëren më tej Ati i Shenjtë. Duke u takuar me ta, kam dashur të nënvizoj se janë vërtet vëllezër e motra dhe na ndihmojnë të rizbulojmë vëllazërimin universal. Ata, që janë mikpritës, e dinë se miqësia me të varfërit është shpëtimtare, sepse nëpërmjet tyre, vëllezërve të preferuar të Jezu Krishtit, përjetojmë dashurinë e veçantë të Jezusit dhe rizbulojmë bukurinë e pjesëmarrjes në këtë vëllazëri të madhe. E përsërita këtë duke iu drejtuar drejtpërdrejt emigrantëve:

Të trajtuar si barrë, problem, kosto, përkundrazi, ju jeni dhuratë. Jeni dëshmi se Zoti ynë i dhembshur e i mëshirshëm di ta shndërrojë të keqen dhe padrejtësinë, nga e cila vuani, në të mirë për të gjithë. Sepse secili prej jush mund të jetë urë, që bashkon popujt e largët, që bën të mundur takimin e kulturave dhe feve të ndryshme, një mënyrë për të rizbuluar humanizmin tonë të përbashkët.

Emigrant
Emigrant

Vëllazërimi – vijon Papa - është britmë: emigrantët, që trokasin në dyert tona duan të njihen si vëllezër e motra. Shpëtimi dhe mikpritja e tyre nuk janë thjesht gjeste humanitare, janë gjeste që mishërojnë vëllazërimin, që ndërtojnë qytetërimin. Kujtojmë se Papa e ka falënderuar shpesh shoqatën “Mediterranea Saving Humans” dhe të gjitha organizatat, që ndihmojnë emigrantët. Kisha e shoqëron këtë rrugëtim, sepse është Ungjilli, që e kërkon: Kisha nuk ka alternativa, nëse nuk ndjek Jezusin, nëse nuk do siç do Jezusi, nënvizon Ati i Shenjtë, i cili e ka quajtur dhe e quan vëllazërimin universal, ëndërr, që Zoti ua ka besuar njerëzve.

Më pas, Françesku flet për Lëvizjet Popullore, një nga argumentet e librit. Është njohur me to që kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit. “Edhe pse nuk të lënë rehat, edhe pse disa "mendimtarë" nuk dinë t'i klasifikojnë, duhet të kemi guximin e ta pranojmë se pa to demokracia atrofizohet, bëhet nominalizëm, formalitet, humbet përfaqësimin, disinkarnohet, sepse e lë jashtë popullin në luftën e përditshme për dinjitet, në ndërtimin e fatit të tij”, shkruan Papa, që kujton pjesëmarrjen e tij në katër takimet botërore të Lëvizjeve Popullore dhe duke e ftuar Kishën t’i shoqërojë në çdo hap.

Ëndrra e vëllazërimit, thekson Françesku, është ëndrra e Zotit, që Kisha e ka promovuar gjithmonë, duke filluar nga Koncili II i Vatikanit dhe nga papnia e Shën Gjonit XXIII. Do të doja ta mbyllja parathënien e këtij libri – vëren së fundi Papa - duke cituar fjalët e sekretarit personal të tij, imzot Loris Capovilla, të cilin e kam krijuar kardinal në vitin 2014 dhe për të cilin flitet në këtë libër. Kur mbushi 100 vjeç, më 14 tetor 2015, e festoi ditëlindjen me disa emigrantë. Duke përqafuar njërin prej tyre, Isain, një musliman nga Mali, tha këto fjalë:

Isa, Zoti të bekoftë… Ka vetëm një familje njerëzore, unë jam qytetar i botës, si ti, i dashur Isa. Vetëm se tani unë e kam përfunduar udhën time, ndërsa ti po e fillon. Jep kontributin tënd për qytetërimin e dashurisë, sepse nuk ka tjetër, nuk ka qytetërim teknologjie, pushteti apo armësh. Vëllezërit e mi të krishterë janë shumë të dashur për mua, e di, por në të njëjtën masë, janë të dashur për mua të gjithë burrat dhe gratë e kësaj bote. Jam i lumtur që kam jetuar në këtë botë. Me sa kujtoj, gjatë gjithë jetës, nuk kam parë kurrë ndonjë njeri antipatik, një atdhe që nuk më pëlqen. Gjithçka e krijuar është dhuratë e Zotit. Ka diçka të mirë në secilin prej nesh; nëse secili prej nesh është i mirë, jam i lumtur, por nëse nuk është i mirë, është përsëri vëllai im, që e dua. E marr për dore dhe ecim së bashku drejt qytetërimit të dashurisë… Bashkohem si mik me burrat dhe gratë vullnetmira, që u përkasin të gjitha kombeve dhe e ndiej se me të vërtetë, me kontributin e mijëra grave dhe burrave të çdo race, po ecim drejt unitetit më të plotë të familjes njerëzore; një Atë, një Shëlbues, një Nënë e Shenjtë, një Bari universal i vetëm, një vështrim i vetëm kthyer drejt qiejve të amshuar.

Të jetë në gjendje për të dashur kështu – përfundon Papa Françesku parathënien e librit - është lutja që i drejtoj Jezu Krishtit për çdo njeri, që jeton në këtë botë.

23 shtator 2024, 10:04