Françesku mbërriti në Papua Guinenë e Re, për herë të parë në Oqeani
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku mbërriti sot në Papua Guinea e Re, nga Indonezia, në etapën e dytë të udhëtimit të tij më të gjatë apostolik, për herë të parë në Oqeani, për të sjellë afërsinë e tij me katolikët, 25% të popullsisë, në një vend ndër më të varfërit në botë dhe më të goditur nga efektet e ndryshimeve klimatike.
Në aeroportin ndërkombëtar të Port Moresby (në orën 19.09 lokale, 11.09 me orë të Romës), e vetmja qendër urbane në vend ku 80% e popullsisë së tij jeton në zonat rurale, Papa Françesku u prit nga Zëvendëskryeministri dhe disa fëmijë me veshje tradicionale të Papua Guinea e Re që i dhuruan një tufë me lule, në shenjë të mirëseardhjes. Pas ceremonisë e prezantimit të delegacioneve përkatëse, Ati i Shenjtë u nda nga zv.kryeministri, për t’u transferuar me makinë në Nunziaturën Apostolike, ku do të kalojë pjesën tjetër të ditës së sotme duke pushuar nga udhëtimi.
Programi zyrtar i këtij shtegtimit apostolik në Papua Guinenë e Re do të nisë nesër, të shtunë, me një takim të Papës me Guvernatorin e Përgjithshëm, Bob Dadae dhe me një fjalim para autoriteteve, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik të vendit, në APEC Haus, ndërsa nesër pasdite, në orën 17:00 Papa do të vizitojë fëmijët e "Streete Ministry" dhe "Callan Services" në shkollën e mesme teknike të Cáritasit (Caritas Technical Secondary School), dhe më pas do të vizitojë Shenjtëroren e Zojës Ndihmëtare, vend ku do të mbahet takimi i Atit të Shenjtë me klerin e Papua Guinesë së Re dhe Ishujve Solomon.
Të dielën më 8 shtator, në orën 08:45, Papa do të kremtojë një Meshë në stadiumin "Sir John Guise" dhe pasdite do të udhëtojë për në Vanimo, dy orë larg me avion, një port dhe qyteti më i madh dhe më i populluar i provincës së Sandaun dhe rrethit të lumit Vanimo-Green, në bregun veriperëndimor të vendit. Këtu, para Katedrales së Shëna Kryqit Papa do të takohet me besimtarët e dioqezës së Vanimo.
Të hënën më 9 shtator, pas takimit me të rinjtë në stadiumin "Sir John Guise" në Port Moresby, Papa Françesku do të largohet nga Papua Guinea e Re për të shkuar në Dili, kryeqytetin e Timorit Lindor, etapën e tretë të këtij shtegtimi apostolik ndërkombëtar, që nisi më 2 shtator e do të zhvillohet deri më 13 shtator të ardhshëm.
Papua Guinenë e Re është në një vend me 826 gjuhë, por me shumicë të krishterë: 64% protestantë, 26% katolikë, me nunciaturë apostolike që nga viti 1977. Megjithëse e pajisur me një trashëgimi të pasur minerale (në veçanti ari e bakër) dhe burime të mëdha energjetike me ujë, bujqësi dhe pylltari, është një nga vendet më të varfra në Oqeani dhe është ende shumë e kushtëzuar nga ndikimet e jashtme, veçanërisht nga Australia e afërt. Rreth një e treta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë, me një jetëgjatësi prej vetëm 67 vjetësh, ndërkohë që shkalla e infektimit nga SIDA mbetet e lartë dhe as dy të tretat e popullsisë nuk janë të shkolluar.