Papa, në takimin me një delegacion të Lëvizjes ndërkombëtare të studentëve katolikë "Pax Romana" Papa, në takimin me një delegacion të Lëvizjes ndërkombëtare të studentëve katolikë "Pax Romana"

Françesku me të rinjtë: bëni revolucionin e bamirësisë dhe të shërbimit

Në takimin me një delegacion të Lëvizjes ndërkombëtare të studentëve katolikë "Pax Romana", Françesku merr fjalët e Nxitjes Apostolike “Christus vivit”: promovoni "ndjenjën e qytetarisë globale", së bashku me "veprimtaritë në nivelin lokal"

R.SH. – Vatikan

Vlerësimi për impenjimin në favor të "promovimit të drejtësisë sociale dhe të zhvillimit të gjithanshëm njerëzor", inkurajuar "nga feja katolike dhe nga vizioni i një bote gjithnjë e më në përputhje me planin e dashurisë së Zotit për familjen njerëzore". Ky, qëndrimi e fjalët e Papës Françesku, gjatë takimit të paradites së sotme, 20 shtator, me një delegacion të Lëvizjes ndërkombëtare të studentëve katolikë “Pax Romana”, themeluar në Friburg, në vitin 1921, me qëllim ungjillizimin e ambienteve universitare.

Të rinj revolucionarë e protagonistë

Françesku e nisi reflektimin, duke e ndërthurur me atë të Sinodit për të rinjtë, mbajtur në vitin 2018, ku brezat e rinj u inkurajuan të ishin, sipas Nxitjes Apostolike post-sinodale “Christus vivit”, "protagonistë të revolucionit të bamirësisë dhe të shërbimit".

“Prania juaj, veprimtaria juaj - në kontekste akademike, në ambiente pune apo në rrugët e qyteteve - ka këtë synim, duke u impenjuar në ndërtimin e një bote më të dhembshur, më të harmonishme dhe më vëllazërore”.

Qytetaria globale dhe veprimi në nivelin lokal

Papa kujtoi veprat e "edukimit dhe të formimit" të Lëvizjes në Francë, Tajlandë dhe Kenia, vepra të bazuara "në dëshminë e Ungjillit dhe në doktrinën sociale të Kishës". Nisma që, nga njëra anë, promovojnë "ndjenjën e qytetarisë globale", dhe, nga ana tjetër, inkurajojnë "veprimtari në nivelin lokal". Kështu, "Pax Romana" ndihmon të kuptohen më mirë e më thellë "çështjet sociale më urgjente të kohës sonë", duke u dhënë të rinjve mundësinë të "promovojnë ndryshime të frytshme në bashkësitë e tyre e të shërbejnë kështu, si tharm ungjillor".

Dëgjim, pjesëmarrje dhe dialog

Një mesazh, ai i Papës Françesku, i cili preku edhe temën aktuale të Sinodit për sinodalitetin. Duke e përmendur, Ati i Shenjtë i inkurajoi të pranishmit "si individë dhe të gjithë së bashku" të përfshihen "në rrugën sinodale të Kishës". Hapa përpara të bëra përmes një “udhe të përbashkët, dëgjimit, pjesëmarrjes dhe përkushtimit, në një dialog të hapur, të vëmendshëm ndaj zërit të ëmbël të Shpirtit Shenjt".

“Ju inkurajoj ta konsideroni kremtimin e ardhshëm të Vitit të Shenjtë 2025 si rast të veçantë për ripërtëritje personale dhe pasurim shpirtëror në bashkim me gjithë Kishën”.

Jemi të gjithë shtegtarë, në bashkim me Jezu Krishtin

Porta e Shenjtë, simbol i Jubileut, "na kujton se të gjithë jemi shtegtarë, të gjithë për udhë, të thirrur së bashku për një bashkim më të thellë me Jezu Krishtin Zot dhe për të qenë gati për forcën e hirit të tij, që e shndërron jetën tonë dhe botën në të cilën jetojmë”, shpjegoi Françesku.

Punoni për paqe, harmoni dhe drejtësi

Papa u uroi të rinjve të Lëvizjes që takimi i tyre të jetë "burim frymëzimi të ripërtërirë" e që, gjithmonë duke marrë frymëzim nga Nxitja “Christus vivit”, t’i orientojë për të "punuar për zhvillimin e paqes, të harmonisë, të drejtësisë, të të drejtave të njeriut dhe të mëshirës, duke kontribuar kështu për përhapjen e Mbretërisë së Hyjit në këtë botë". Françesku e plotësoi mesazhin e tij, duke ia besuar të pranishmit ndërmjetësimit të shën Marisë dhe të të Lumit Pier Giorgio Frassati, “të cilin shpresoj ta përfshij ndër shenjtorët gjatë Vitit të Shenjtë të ardhshëm”, përfundoi Papa.

20 shtator 2024, 11:34