Papa në Singapor: një udhëtim shprese dhe dialogu në kufijtë e Azisë
R.SH. / Vatikan
Papa mbërriti sot në Singapor, etapa e fundit e udhëtimit të 45-të apostolik të Françeskut, më i gjati i papnisë të tij, i cili filloi më 2 shtator dhe do të përfundojë pas dy ditësh, më 13 shtator, pasi përshkoi ditët e fundit Indonezinë, Papua Guinenë e Re dhe Timorin-Lindor. Duke ardhur nga Dili, Airbus A320 i aviacionit Dili u ul në aeroportin Changi të Singaporit në orën 8:53 të mëngjesit me orën evropiane, në orën 14:53 me orën lokale, udhëkryq i kulturave dhe feve.
Te këmbët e avionit, sipas programit, Papa Françesku u prit nga ministri i Kulturës, Komunitetit e Rinisë dhe Ambasadori i Singaporit pranë Selisë së Shenjtë, me të cilët pati një bisedë të shkurtër, pas së cilës në sallën e aeroportit VIP katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza, i dhanë mirëseardhjen Papës me valle, lule dhe duartrokitje të mëdha korale.
Programi i vetëm i ditës së sotme në Singapor për Papën është takimi privat me anëtarët e komunitetit të Jezuitëve të pranishëm në vend, në St. Francis Xavier Retreatit Centre, një strukturë e cila nga viti 1997 shërben për tërheqje shpirtërore, ku Papa do të banojë gjatë kohëzgjatjes së këtij udhëtimi.
Takimet e nesërme
Nesër, dita e parafundit e udhëtimit apostolik të Papës, do të hapet me ceremoninë e mirëseardhjes në Shtëpinë e Parlamentit, me përshëndetjen e mirëseardhjes së Presidentit Tharman Shanmugaratnam, ndjekur nga vizita e kortezisë së Papës te Kreu i Shtetit dhe më pas te kryeministri Wong Shyun Tsai.
Menjëherë më pas, në Teatrin e Qendrës Kulturore Universitare të Universitetit Kombëtar të Singaporit, Papa Françesku do të ketë një takim me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik, gjatë të cilit Ati i Shenjtë do të mbajë fjalimin e tij të parë në Singapor.
Ngjarjet e tjera të ditës kanë në program një vizitë private me ish-kryeministrin Lee Hsien Loong, pranë Qendrës së Shën Françesk Ksaverit. Dita e nesërme do të mbyllet me kremtimin e Meshës shenjte në Stadiumin Kombëtar dhe Memorialin e Emrit të Shenjtë të Marisë.
“Bashkim-Shpresë” motoja e vizitës së Papës në Singapor
Po kujtojmë se motoja e etapës së fundit të këtij shtegtimit të 45-të ndërkombëtar apostolik të Papës në Singapor, nga 11 deri më 13 shtator, është “Bashkim-Shpresë”,ndërsa në logo të këtij shtegtimi apostolik shihet një Kryq i stilizuar.
Komuniteti katolik në Singapor është pakicë tejet e vogël, vetëm 6,2% e popullsisë, por e pranishme dhe aktive në një kontekst mirëqenieje, në të cilin nuk mungojnë problemet e varfëria. Siç kuptohet qartë nga motoja e kësaj vizite papnore që është “Bashkim-Shpresë”, Kisha Katolike në Singapor është bartëse e dialogut dhe e vëmendjes ndaj njerëzve që gjenden në vështirësi të ndryshme.
Qytet-shteti i Singaporit
Qytet-shteti i Singaporit, etapa e fundit e shtegtimit të gjatë apostolik të Papës, është një vend ku fetë e ndryshme bashkëjetojnë në harmoni dhe përfaqëson shembullin e bashkëjetesës paqësore në shoqërinë e sotme me shumë kultura e fe. Papa viziton një qytet-shtet, që pret njerëz nga e gjithë bota, një mozaik kulturash dhe traditash të ndryshme fetare e shpirtërore. Papa Françesku do të takojë veçanërisht të rinjtë e përfshirë në dialogun ndërfetar dhe do t'ua dorëzojë atyre të ardhmen e kësaj rruge, në mënyrë që ata të bëhen protagonistë të një bote më vëllazërore dhe më paqësore.