Françesku në Xhakartë me të vuajturit: ju jeni anëtarët më të çmuar të kësaj Kishe

Në orët e fundit të mëngjesit, në selinë e re të Konferencës Ipeshkvnore të Indonezisë, Papa, duke takuar rreth njëqind të sëmurë me aftësi të kufizuara dhe të varfër, që ndihmohen nga organizata të ndryshme bamirësie, i quajti "yje të vegjël të ndritshëm në qiellin e këtij arkipelagu”. Dëshmitë e një njeriu, që ka humbur shikimin dhe të një tjetri, me autizëm të lehtë

R.SH. - Vatikan

"Ju jeni yje të vegjël të shndritshëm në qiellin e këtij arkipelagu, anëtarët më të çmuar të kësaj Kishe". Papa Françesku, me delikatesë dhe afërsi, i përshëndeti kështu njëqind të sëmurë, njerëz me aftësi të kufizuara dhe të varfër, të ndihmuar nga organizatat bamirëse të kishës indoneziane, të cilët i takoi në mëngjesin e dytë në Xhakartë, në selinë e re të Konferencës Ipeshkvnore. E lavdoi Mikahilin, një të ri me autizëm të lehtë, i cili u zgjodh në kontigjentin e Xhakartës Lindore për lojërat Paraolimpike të notit dhe kërkoi një duartrokitje për të gjithë, sepse – theksoi: "jemi të thirrur të gjithë së bashku për t’u bërë kampionë të dashurisë në Olimpiadën e madhe të jetës" . Më pas i uroi ditëlindjen një nëne të moshuar “që nuk mundi të vinte, sepse ishte në shtrat edhe sot, kur mbushi 87 vjeç!”. Papa kërkoi duartrokitje edhe për të, duke treguar karrocën me rrota në rreshtin e parë, me foton e gruas përmbrapa.

Nevojat e periferive

Çaste të një takimi, që zgjati më pak se një orë, pas ndalesës së gjatë ndërfetare në xhami. Papa mbërriti në ora 10.45 në Xhakartë (nisja sipas orës 5.45 në Itali), i mirëpritur nga presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Indonezisë, Imzot Antonius Franciskus Subianto Bunyamin, ipeshkëv i Bandung, dhe kardinali Ignatius Suharyo. Në selinë e re, në qendër të Xhakartës, e inauguruar dhe e bekuar më 15 maj të këtij viti, Françesku u shoqërua në katin e tetë, në sallën Henry Soetio. Këtu imzot Subianto e përshëndeti, duke kujtuar se "jeta dhe vepra e tij pasqyrojnë dhembshurinë e Jezusit për ne, veçanërisht nëpërmjet kujdesit të tij për vëllezërit dhe motrat tona, njerëz të varfër, të ligshtë, të lënë mënjanë, në vuajtje". E se për të festuar njëqind vjetët e Konferencës Ipeshkvnore Katolike Indoneziane, Kisha lokale po përqendrohet kryesisht "në nevojat e atyre që jetojnë në periferi".

Dëshmia e Mimit
Dëshmia e Mimit

Dëshmia e Mimisë

Pranë e pranë ipeshkvit, Mimi Lusli, e cila humbi shikimin në moshën 17-vjeçare,  e mori fjalën duke kujtuar se gjeti ngushëllim në Udhën e Kryqit, ku takoi Jezusin, i cili "nuk e braktisi, por e mësoi të shtegtojë në jetë edhe pa dritën e syve". Ajo e quajti Papën "feneri ynë i shpresës" duke shprehur sigurinë se "Zoti krijoi qeniet njerëzore me aftësi unike për të pasuruar larminë e botës sonë dhe se aftësia e kufizuar është vetëm një nga këto aspekte unike". Nënvizoi edhe se roli i Kishës "është vendimtar në garantimin e dinjitetit të personit njerëzor" dhe se për këtë arsye, si katolikë, duhet të merren përgjegjësi dhe "të mbështeten aktivisht të drejtat e personave me aftësi të kufizuara". Por prania dhe dhembshuria e Papës, përfundoi, "na siguron se nuk do të harrohemi kurrë".

Historia e Mikailit

18-vjeçari Mikail Andrew Nathaniel është diagnostikuar me çrregullime të lehta të spektrit të autizmit dhe paaftësi të lehtë intelektuale. Përpiqet të flasë pa lexuar fjalimin e përgatitur, por më pas i kërkon ndihmë me të. I tregon Françeskut se "prindërit e duan pa kushte" dhe "e mjekojnë tek terapisti dhe eksperti më i mirë në qytet". Mikail dëshiron të jetë i pavarur dhe kështu përveç se u zgjodh në kontigjentin e Xhakartës Lindore për Lojërat Paralimpike të notit, po ndjek një kurs bartendi dhe mësime kitarre me bateri.

Përshëndetja e Papës
Përshëndetja e Papës

Pasuria e larmisë

Në urimin e tij, Françesku nënvizoi: “Është shumë bukur që ipeshkvijtë indonezianë kanë zgjedhur të festojnë 100 vjetorin e Konferencës së tyre Kombëtare” me të sëmurët, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të varfërit. E pajtohet plotësisht me atë, që tha Mimi: "Zoti krijoi qeniet njerëzore me aftësi unike, për të pasuruar diversitetin e botës sonë":

Ajo vetë na e tregoi këtë, duke na folur mrekullisht për Jezusin, ‘fenerin tonë të shpresës’, siç tha ajo. Faleminderit për këtë. Përballimi i  vështirësive së bashku, duke bërë të gjithë më të mirën, secili duke sjellë kontributin unik, na pasuron dhe na ndihmon të zbulojmë dita-ditës se sa vlen të jesh bashkë, në botë, në Kishë, në familje.

Rëndësia e dashurisë së anasjelltë

Të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin - përfundon Papa - "e kjo nuk është gjë e keqe: na ndihmon të kuptojmë gjithnjë e më mirë se dashuria është gjëja më e rëndësishme në jetën tonë, të kuptojmë se sa njerëz të mirë ka përreth nesh". Na kujton edhe “sa shumë na do Zoti të gjithëve, përtej çdo kufiri dhe vështirësie. Secili prej nesh është unik në sytë e tij, në sytë e Zotit, e Ai nuk na harron kurrë, kurrë. Ta kujtojmë këtë, për të mbajtur gjallë shpresën tonë dhe të angazhohemi, pa u lodhur kurrë, që ta bëjmë jetën tonë dhuratë për të tjerët”.

Një çast nga takimi
Një çast nga takimi

Lutja e realiteteve bamirëse

Takimi përfundoi me lutjen e shqiptuar nga Imzot Henricus Pidyarto, ipeshkëv karmelitan, përgjegjës i komisionit liturgjik. “Shikoje popullin tënd me dhembshuri të pakufishme - u lut prelati - në mënyrë që të të njohë si Atë, i cili na do pa kushte. Eja ndër ne me dhemshuri e mëshirë që, duke marrë nga Ti gëzimin e Ungjillit, t'u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona, njerëzve tanë të ligështë, të vuajtur, të paaftë, të sëmurë dhe të braktisur”.

Dhuratat dhe përshëndetjet e fundit

Papa i dhuroi Konferencës Ipeshkvnore të Indonezisë një ikonë të madhe të Virgjërës "Portaitissa", portret i veçantë i Marisë "Odighitria" - që në greqisht do të thotë "Ajo, që tregon rrugën" - dhe që tradicionalisht e mban Krishtin Fëmijë në krahun e saj të majtë, ndërsa e tregon me dorën e djathtë.

Para se të largohej nga salla Henry Soetio, Papa nënshkroi pllakën e mermertë të Selisë së Konferencës Ipeshkvnore. Më pas i përshëndeti personalisht dhe i bekoi gjithë të pranishmit.

Në fund Papa Françesku bekoi dhe përqafoi buzagaz besimtarët e shumtë me flamuj të Vatikanit dhe të Indonezisë, që e rrëmbushnin korridorin e hyrjes në selinë e re të ipeshkvisë, të zbukuruar me basorelieve të mëdha, mes të cilëve binte në sy ai i dy duarve, që shtrëngohen fort!

05 shtator 2024, 11:32