Kërko

Shkatërrimet në Liban Shkatërrimet në Liban

Françesku: situata në Liban është e papranueshme, të ndalet ky shkallëzim i tmerrshëm

Thirrja e Papës në fund të audiencës së përgjithshme në sheshin e Shën Pjetrit - e pesëqindta e papnisë së tij - për Tokën e Kedrave, goditur nga sulmet izraelite që shkaktuan mbi 500 viktima: bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë "çdo përpjekje" për t’u vënë fre tensioneve. Një mendim, edhe për popujt e prekur nga lufta: Ukraina, Toka e Shenjtë, Sudani, Mianmari. Më pas, kërkesa e Atit të Shenjtë që besimtarët ta shoqërojnë me lutje udhëtimin e tij në Luksemburg dhe Belgjikë

R.SH. – Vatikan

Një shkallëzim “i papranueshëm” për Papën Françesku, gjithçka po ndodh në Liban, ku valët e sulmeve izraelite kundër Hezbollahut kanë shkaktuar deri tani mbi 550 viktima ndërmjet civilëve dhe fëmijëve. Ndërsa numërohen të vdekurit në Bejrut, bien sirenat në Tel Aviv dhe shpërthejnë raketat libaneze në jug të Haifës dhe në zona të tjera të Izraelit, mbërrin thirrja e Atit të Shenjtë nga Sheshi i Shën Pjetrit, në fund të audiencës së përgjithshme, e pesëqindta e papnisë së tij.

“Më dhemb shpirti për lajmet që vijnë nga Libani, ku ditët e fundit bombardimet intensive kanë shkaktuar shumë viktima dhe shkatërrime”.

Të ndalet ky shkallëzim i tmerrshëm

Papa Françesku uroi "që bashkësia ndërkombëtare të bëjë çdo përpjekje për ta ndalur këtë shkallëzim të tmerrshëm". “Është i papranueshëm!”, ngriti zërin Ati i Shenjtë, duke treguar sërish afërsinë e tij me një popullsi, e cila vuan prej vitesh pasojat e krizës politike, ekonomike dhe sociale, që nga shpërthimi dramatik në portin e Bejrutit, në vitin 2020.

“I shpreh afërsinë time popullit libanez, që ka vuajtur shumë në të kaluarën jo të largët”.

Lutje për popujt në luftë

Nga Toka e Kedrave, mendimi i Papës shkoi edhe në territoret e popullsitë e prekura nga brutaliteti i konflikteve. Papa u lut për ta dhe kërkoi lutje.

“Të lutemi për të gjithë, për gjithë popujt që vuajnë nga lufta: për Ukrainën e martirizuar, Mianmarin, Palestinën, Izraelin, Sudanin, për të gjithë popujt e munduar. Të lutemi për paqen”.

Së fundi, Papa kërkoi lutje edhe për udhëtimin e tij në Luksemburg dhe Belgjikë, që fillon nesër e do të përfundojë të dielën, më 29 shtator.

25 shtator 2024, 11:13