Kërko

Libri i Enzo Bianchi-t "Fraternità" Libri i Enzo Bianchi-t "Fraternità" 

Françesku: vëllazërimi, mburojë kundër dhunës dhe luftës

Papa nënshkruan parathënien e librit të Enzo Bianchi-t "Fraternità" (Vëllazërim), botuar nga Einaudi. Më poshtë, teksti i plotë

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku

Nëse vëllazërimi përcaktohet nga efektet e tij, duhet thënë menjëherë se ai është rezistencë ndaj mizorisë së botës. Sepse, që kur ka ekzistuar njerëzimi, Polemos, demoni i luftës, ka qenë gjithnjë i pranishëm dhe i dukshëm në rivalitetet, që çojnë në mohimin e në vrasjen e tjetrit, siç tregon vrasja e Abelit nga ana e të vëllait, Kainit. Ja përse vëllazërimi duhet të rigjenerohet vazhdimisht dhe t'i rezistojë rivalitetit, që çon në dhunë dhe luftë.

Fatkeqësisht, pikërisht vëllazërimi i mungon më shumë jetës sonë të përbashkët e mungesa e tij shkakton vuajtje. Pa vëllazërim, barazia dhe liria mbeten gjithmonë vlera të kërcënuara, të brishta dhe lehtësisht të kundërshtueshme. Sigurisht, vëllazërimi është zgjedhje, që përfshin refuzimin e mënjanimit të tjetrit, vullnetin për pajtim, dëshirën për bashkim të thellë njerëzor.

Në këtë libër, vëlla Enzo Bianchi, me thellësinë e tij të zakonshme njerëzore dhe me inteligjencën shpirtërore, dëshmon se vëllazërimi është thirrje për njerëzimin. Të gjithë jemi vëllezër e motra si qenie njerëzore, të vdekshëm, por me vetëdijen se jemi gjallë për të qenë në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Dhurata e madhe, që mund ta pranojmë, është tjetri: i afërt a i largët, i njohur a i panjohur, mik a armik. Nëse qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, kemi gjithmonë përballë një vëlla, ose motër dhe ndiejmë se kemi një thirrje të vetme: të kalojmë nga "uni" personal në "ne", të jetojmë së bashku.

17 shtator 2024, 10:48