Kërko

Indonezi, Papa: sfidat e përbashkëta, luftimi i ekstremizmit dhe fitorja mbi varfërinë

Në Xhakartë, në fjalimin e parë zyrtar të udhëtimit apostolik me autoritetet e vendit, Françesku theksoi nevojën për të trajtuar çekuilibrin dhe intolerancën, duke u përqendruar në ndërtimin e harmonisë sociale, me besimin se paqja është gjithmonë "frut i drejtësisë”

R.SH. / Vatikan

"Drejtpeshim i mençur dhe delikat" ndërmjet kulturave dhe ideologjive të ndryshme”. “Harmoni, barazi dhe respektim i të drejtave themelore të qenieve njerëzore” - ndërmjet objektivave. E mendim i dyfishtë për Zotin dhe për nevojën e bekimit të tij, shkruar në Hyrjen e Kushtetutës. Papa Françesku e nisi fjalën e tij drejtuar autoriteteve të Indonezisë duke nënvizuar lidhjen ndërmjet vlerave themeluese të vendit dhe motos së shtegtimit të tij të 45-të apostolik: "Fe, vëllazëri, dhembshuri". E duke nxitur edhe për kontrastin “ekstremizëm dhe intolerancë”, me angazhim civil të ushqyer nga feja e qartë që synon dialogun, jo si fasadë që manipulon shpirtrat për të "nxitur përçarjet dhe urrejtjen".

"I kredhur në bukurinë e kësaj toke"

Mëngjesi i parë i angazhimeve të Papës në tokën indoneziane, pas mbërritjes së tij dje, filloi me një Meshë private kremtuar në nunciaturë apostolike dhe më pas, me transferimin në pallatin presidencial Istana Merdeka për ceremoninë e mirëseardhjes dhe vizitën e mirësjelljes te presidenti indonezian Joko Widodo. Pas ekzekutimit të himneve me rojën e nderit  rreshtuar jashtë pallatit - në një kornizë festive me gra, burra dhe fëmijë me veshje tradicionale - Papa Françesku, i shoqëruar nga kreu i shtetit, arriti në Sallën e Kredencialeve për nënshkrimin e Librit të Nderit, mbi të cilin la një mesazh që përmblidhte çka do ta thoshte pak minuta më vonë para rreth 300 përfaqësuesve institucionalë, shoqërisë civile dhe trupit diplomatik: “I zhytur në bukurinë e kësaj Toke, vend takimi dhe dialogu ndërmjet kulturave dhe feve të ndryshme, uroj që populli indonezian të rritet në fe, në vëllazëri e në dhembshuri. Zoti e bekoftë Indonezinë!”.

Barazi dhe respektim i të drejtave

Duke marrë fjalën pak më vonë, Papa Françesku ripohoi në disa aspekte vlerësimin për Indonezinë, parë si mozaik i pjesëve të ndryshme të drejtëpeshuara, që punojnë për "një strukturë të ekuilibruar shoqërore", me ndihmesën vazhdueshme të Kishës katolike lokale.

“Është punë artizanale besuar të gjithëve, por në mënyrë të veçantë  veprimtarisë së kryer nga politika, kur ajo ka si objektiv harmoninë, barazinë, respektimin e të drejtave themelore të njeriut, zhvillimin e qëndrueshëm, solidaritetin dhe ndjekjen e paqes, si brenda shoqërisë, ashtu edhe me popujt dhe Kombet e tjera”.

Feja e manipuluar

Një përpjekje, kjo e Indonezisë, të cilën Papa e paraqet si shembull në lidhje me ato "prirje" të cilat sot në botë - vëren - "pengojnë zhvillimin e vëllazërisë universale", duke përfshirë prirjen për ta manipuluar besimin në Zotin, duke mos e shfrytëzuar për të “siguruar paqen, bashkimin, dialogun, respektin, bashkëpunimin, vëllazërinë, por për të nxitur përçarjen dhe për të thelluar urrejtjen”:

“Në rajone të ndryshme vërejmë shfaqjen e konflikteve të dhunshme, të cilat shpesh janë rezultat i mungesës së respektit të anasjelltë, i dëshirës intolerante për mbizotërimin me çdo kusht të interesave të veta, të pozicionit të vet ose rrëfimit të vet të pjesshëm historik, edhe kur kjo shkakton vuajtje të pafundme për bashkësi të tëra dhe çon në luftëra të vërteta të përgjakshme”.

Indonezia, vendi i familjeve dhe bijve

Një shembull tjetër që Indonezia ia ofron botës, për Françeskun është niveli i lartë i lindjeve, me familje - vëren duke folur lirisht - që kanë "tre, katër, pesë fëmijë" dhe "vijojnë të ecin përpara, ndërsa në zona të tjera të botës zgjidhet një rrugë tjetër - stigmatizon Papa – ajo e "kufizimit të lindjeve,  domethënë, kufizimit të pasurisë më të madhe që ka një vend". Një lloj zgjedhjeje politike, që ecën me të njëjtin hap me mungesën, në disa raste, “të angazhimit efektiv dhe largpamës për ndërtimin e drejtësisë shoqërore”:

“Si pasojë, një pjesë e konsiderueshme e njerëzimit lihet mënjanë, pa mjete për jetë dinjitoze dhe pa mbrojtje për t'i bërë ball çrregullimeve shoqërore serioze, në rritje, që nxisin konflikte të mprehta”.

Puna e atyre që drejtojnë pasurinë publike - theksoi në përfundim Papa Françesku - duhet të frymëzohet gjithnjë nga besimi se "paqja është fryt i drejtësisë", sepse harmonia - ritheksoi dhe përfundoi Papa - "arrihet kur secili angazhohet jo vetëm për interesat e veta dhe vizionin e vet, por për të mirën e të gjithëve, për të ndërtuar ura, për të nxitur marrëveshje, për të bashkuar forcat me synimin që të mposhtet çdo formë e mjerimit moral, ekonomik, social dhe të promovohet paqja dhe harmonia”.

Pasi e përfundoi fjalimin, pasuar nga një duartrokitje e gjatë, Papa Françesku u largua nga zyra presidenciale e Indonezisë i shoqëruar edhe një herë nga valëvitja e flamujve dhe brohoritjet e turmës së veshur me kostume tradicionale.

04 shtator 2024, 11:56