Kërko

Papa me jezuitët e Indonezisë, Atë Spadaro: i impresionuar nga të rinjtë e shumtë

Sot paradite në Xhakartë, pas takimit me presidentin dhe autoritetet politike e civile, Papa u takua në nunciaturën me 200 jezuitë nga arkipelagu. “Një takim familjar, thotë nënsekretari i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin, gjatë të cilit u trajtuan tema të shumta, duke përfshirë dialogun ndërfetar dhe rëndësinë e inkulturimit

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku u takua sot në Xhakartë me Jezuitët e, në bisedë me sivëllezërit rregulltarë, u trajtuan tema të shumta: “Papa foli për shoqërinë e Jezusit, rëndësinë e gjykimit dhe të lutjes. Të rinjtë e pyetën se ku gjen kohë për t'u falur dhe ai tregoi disa anekdota”- shpjegon Atë Spadaro, drejtor i Civiltà Cattolica. U prekën të gjitha temat që u ndërthuren me njerëz të tjerë të rëndësishëm në këto vise “si dialogu ndërfetar apo inkulturimi, për të cilin ai këmbënguli shumë”. Nuk munguan as cekje rrëfimesh për përvojën personale e edhe shakatë; si fjalët që shqiptoi Papa në fund të mbledhjes: "Ja, erdhi policia të më marrë".

Program i ngjeshur

“Papës i pëlqen të flasë me sivëllezërit, me qetësi dhe në mënyrë të lirë e spontane, por gjithnjë me ritme të sakta”. Pas angazhimeve të paradites në Pallatin Presidencial Istana Negara, pasdite Papa Françesku pati dy takime të tjera: në orën 16.30 takimin me ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, rregulltarët, seminaristët dhe katekistët në Katedralen e Zojës së Ngjitur në Qiell; në orën 17:35 u takua me të rinjtë e rrjetit Scholas Occurrentes në Shtëpinë e Rinisë “Grha Pemuda”.

Rëndësia e të rinjve dhe kontributi i të krishterëve

Të rinjtë dhe kontributi i tyre për të mirën e përbashkët dhe për të tashmen dhe të ardhmen e botës është një nga temat kryesore të të gjithë udhëtimit të 45-të apostolik të Papës. Prandaj, kontakti i parë i Jorge Mario Bergoglios me brezat e rinj indonezianë ishte ai përmes jezuitëve në formim: "Shoqëri e re e Jezusit, do të thotë edhe Kishë e re", komenton Atë Spadaro. “Papa Françesku - shton jezuiti italian - i do ato Kisha, që unë i përcaktoj si pikë zero, me presje (0,…%). Këtu jemi në 3% të katolikëve, pra një përqindje e vogël e popullsisë, megjithatë janë 8 milionë dhe ka një prani të konsiderueshme brenda vendit. Qëllimi i të krishterit - vazhdon atë Spadaro - është të kontribuojë në rritjen e vendit, të jetë si maja në brumë, e kjo është vërtet e rëndësishme për Papën. Mesazhi për të krishterët është që ata të bashkëpunojnë plotësisht për të mirën e përgjithshme, përtej numrave; për Atin e Shenjtë ajo që ka rëndësi është gjallëria, aftësia krijuese”.

Një vështrim mbi realitetin dhe kërkim i së ardhmes

Nga i gjithë takimi i Papës me jezuitët - i pari nga tre takimet me Shoqërinë e Jezusit të planifikuar gjatë udhëtimit (dy të tjerët do të mbahen në Dili dhe Singapor) – çka i la përshtypjen më të madhe Atë Antonio Spadaros, ishte "pamja" e Françeskut. “Si në këtë takim sot paradite, por edhe në të tjerat që patëm deri  tani, Papa Françesku shikon në këtë tokë një mundësi, mundësinë e harmonisë brenda një konteksti pluralistik. Edhe presidenti sot foli për harmoni dhe pluralizëm. Besoj se këtu ka shpresë për një të ardhme shumë të kërcënuar, në një kohë kur bota është e ndarë dhe e përçarë. Prandaj Papa i hap mirë sytë për ta parë realitetin e për të kërkuar të ardhmen”.

04 shtator 2024, 12:40