Kërko

Medjugorje Medjugorje

Medjugorje, autorizimi i Papës

Dokumenti i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, miratuar nga Papa Françesku, nuk shprehet për mbinatyrshmërinë e fenomenit të Medjugorjes, por njeh frytet e begata shpirtërore në famullinë-shenjtërore të Mbretëreshës së Paqes dhe formulon një opinion përgjithësisht pozitiv mbi mesazhet, duke sqaruar disa pika të veçanta

R.SH. – Vatikan

 “Ka ardhur koha për t’i dhënë fund një historie të gjatë dhe të ndërlikuar rreth fenomeneve shpirtërore të Medjugorjes. Është një histori në të cilën janë shprehur mendime të ndryshme nga ipeshkvijtë, teologët, komisionet dhe analistët”. Hapet me këto fjalë nota me titull "Mbretëresha e Paqes" mbi përvojën shpirtërore të Medjugorjes, dokument i nënshkruar nga kardinali Victor Manuel Fernández dhe nga imzot Armando Matteo, përkatësisht prefekt dhe sekretar për seksionin doktrinor të Dikasterit vatikanas për Doktrinën e Fesë. Tekst i miratuar nga Papa Françesku më 28 gusht, i cili njeh frytet shpirtërore të përvojës së Medjugorjes, duke autorizuar besimtarët të shkojnë në vendin ku thuhet se është dukur Zoja - siç përcaktohet nga normat e reja për shoshitjen e këtyre fenomeneve - pasi "ka pasur shumë fryte pozitive dhe në popullin e Zotit nuk është përhapur asnjë efekt negativ apo i rrezikshëm”. Përgjithësisht pozitiv, edhe opinioni për mesazhet, por me disa sqarime për disa shprehje. Nënvizohet se "rezultatet e paraqitura në Notë nuk nënkuptojnë ndonjë gjykim për jetën morale të vegimtarëve të supozuar" dhe se, gjithsesi, dhuratat shpirtërore "nuk kërkojnë domosdoshmërisht përsosmërinë morale të njerëzve të përfshirë” në ngjarje.

Kremtime në Medjugorje
Kremtime në Medjugorje

Frytet pozitive

Vendet e lidhura me fenomenin Medjugorje janë destinacion shtegtimesh nga e gjithë bota. “Frytet pozitive shihen sidomos në nxitjen e një praktike të shëndetshme feje” në përputhje me traditën e Kishës. Ka "kthime të shumta kah Zoti" të njerëzve, që kanë zbuluar, ose kanë rizbuluar fenë; shumë i janë rikthyer sakramentit të rrëfimit e kungimit, ka thirrje të shumta në jetën e shuguruar, “shumë pajtime mes bashkëshortëve dhe ripërtëritje të jetës bashkëshortore e familjare”. “Duhet përmendur – lexohet ë Notë – se përvoja të tilla ndodhin më tepër në kuadrin e shtegtimeve në vendet e ngjarjeve origjinale sesa gjatë takimeve me “vegimtarët”, për të marrë pjesë në dukjet e supozuara”. Janë vërejtur edhe “shërime të shumta”. Famullia e fshatit të vogël në Hercegovinë është vend adhurimi, lutjeje, seminaresh, udhtrimesh shpirtërore, tubimesh të rinisë dhe "duket se njerëzit shkojnë në Medjugorje sidomos për të rinovuar fenë e jo aq për kërkesa specifike konkrete". Janë krijuar edhe vepra bamirësie, që përkujdesen për jetimët, të droguarit, personat me aftësi ndryshe e vihet re edhe prania e grupeve të të krishterëve ortodoksë dhe të myslimanëve.

Mesazhi i paqes

Nota e Dikasterit vatikanas shqyrton aspektet qendrore të mesazheve, duke u nisur nga ai i paqes, kuptuar jo vetëm si mungesë lufte, por edhe si paqe shpirtërore, familjare dhe shoqërore: titulli më origjinal, që Zoja i atribuon vetes, është në fakt "Mbretëresha e Paqes". “Unë dukem këtu si Mbretëresha e Paqes për t'u thënë të gjithëve se paqja është e nevojshme për shpëtimin e botës. Vetëm te Zoti mund të gjejmë gëzimin e vërtetë, nga i cili buron paqja e vërtetë. Prandaj kërkoj kthim tek Ai i Lumi” (16.06.1983). Kjo paqe është fryt i bamirësisë së jetuar, që “përfshin edhe dashurinë për jo katolikët”. Një aspekt, që kuptohet më mirë «në kontekstin ekumenik dhe ndërfetar të Bosnjës, pas një lufte të tmerrshme me komponentë të fuqishëm fetarë».

Mladifest në Medjugorje, 2022
Mladifest në Medjugorje, 2022

Zoti në qendër

Del në pah shpesh, ftesa për ta lëshuar veten në dorën e Zotit, që është dashuri: “Mund të vërehen një bërthamë mesazhesh, në të cilat Zoja nuk e vendos veten në qendër, por tregon se dëshiron plotësisht bashkimin tonë me Zotin”. Përveç kësaj, "ndërmjetësimi dhe vepra e Marisë duket qartë se i nënshtrohen Jezu Krishtit, si autori i hirit dhe i shpëtimit për çdo njeri". Maria ndërmjetëson, por Krishti "na jep forcë, prandaj, e gjithë puna e saj amnore është nxitja për të shkuar drejt Krishtit": "Ai do t'ju japë forcë dhe gëzim në këtë kohë. Unë jam pranë jush me ndërmjetësimin tim” (25.11.1993). Shumë mesazhe ftojnë të kuptohet rëndësia e kërkimit të ndihmës nga Shpirti Shenjt: «Njerëzit gabojnë kur u drejtohen vetëm shenjtorëve për të kërkuar diçka. Është më e rëndëishme t'i luteni Shpirtit Shenjt, që të zbresë mbi ju. Duke e pasur atë, keni gjithçka” (21.10.1983).

Thirrje për kthim në Zotin

Në mesazhet e Medjugorjes, vihet në dukje në dokumentin vatikanas, gjendet "një ftesë të vazhdueshme për të braktisur mënyrën e jetesës së kësaj bote dhe lidhjen e tepruar me të mirat tokësore, me ftesa të shpeshta për kthesën, që bën të mundur paqen e vërtetë në botë". Pikërisht kthesa duket se është pika kryesore e mesazhit të Medjugorjes, së bashku me "nxitjen këmbëngulëse për të mos e nënvlerësuar peshën e së keqes dhe të mëkatit dhe për ta marrë shumë seriozisht thirrjen e Zotit për të luftuar kundër së keqes dhe ndikimit të djallit", zanafillë e urrejtjes, dhunës e ndarjes. Themelor, roli i lutjes dhe i agjërimit, centraliteti i meshës, rëndësia e bashkimit vëllazëror dhe kërkimi i kuptimit përfundimtar të ekzistencës në jetën e amshuar.

Rrëfimet në Medjugorje
Rrëfimet në Medjugorje

Sqarimet e nevojshme

Pjesa e dytë e dokumentit nënvizon se "disa" mesazhe devijojnë nga përmbajtja e përshkruar deri tani. Prandaj, "për të parandaluar vënien në rrezik të këtij thesari të Medjugorjes, është e nevojshme të sqarohen disa konfuzione të mundshme, që mund ta çojnë ndonjë grup në shtrembërimin e propozimit të çmuar të kësaj përvoje shpirtërore". Nëse lexohen pjesërisht disa mesazhe, ato mund të duken "të lidhura me përvoja konfuze njerëzore, me shprehje të pasakta nga pikëpamja teologjike, ose me interesa jo plotësisht legjitime", megjithëse ndonjë gabim mund të mos jetë bërë "me qëllim të keq, por, për shkak të perceptimit subjektiv të fenomenit”. Në disa raste «Zoja duket se acarohet, sepse nuk ndiqet ndonjë udhëzim i saj; kështu, kërcënon e paralajmëron se mund të mos duket më”. Në të vërtetë, intepretimi i saktë jepet në mesazhe të tjera: «Ata që bëjnë parashikime katastrofike janë profetë të rremë. Ata thonë: ‘Në filan vit, në filan ditë, do të ketë një katastrofë’. Gjithmonë kam thënë se ndëshkimi do të vijë, nëse bota nuk bën kthesë. Prandaj i ftoj të gjithë të bëjnë kthesë” (15.12.1983).

Këmbëngulja për mesazhet

Pastaj, vazhdon Nota, ka mesazhe për famullinë, në të cilat duket sikur Zoja dëshiron kontroll mbi hollësitë e rrugëtimit shpirtëror dhe baritor, "duke dhënë kështu përshtypjen se dëshiron të zëvendësojë organet e zakonshme të pjesëmarrjes" kishtare. Herë të tjera, ajo ngul këmbë në dëgjimin e në pranimin e mesazheve, këmbëngulje e shkaktuar ndoshta "nga dashuria dhe entuziazmi bujar i vegimtarëve të supozuar, të cilët kishin frikë se mos thirrjet e Nënës për kthesë dhe paqe do të shpërfilleshin". Këmbëngulja bëhet më problematike kur mesazhet "i referohen kërkesave të çuditshme me origjinë të mbinatyrshme, ose kur Zoja jep urdhra për data, vende, aspekte praktike dhe merr vendime për çështje të zakonshme". Në të vërtetë, është vetë Zoja, që i relativizon mesazhet e veta, duke ia nënshtruar vlerës së Fjalës së shpallur në Shkrimin Shenjt: «Mos shkoni në kërkim të gjërave të jashtëzakonshme, por merrni Ungjillin, lexoni dhe gjithçka do t’ju sqarohet» (12.11.1982); “Pse bëni kaq shumë pyetje? Çdo përgjigje është në Ungjill” (19.09.1981). “Mos u besoni zërave mashtrues, që ju flasin për gjëra të rreme, për një dritë të rreme. Ju, bijtë e mi, kthehuni te Shkrimi Shenjt!” (02.02.2018).

Medjugorje
Medjugorje

Përmbledhje e Ungjillit

Nota vë në dukje si problematike ato mesazhe që i atribuojnë Zojës së Bekuar shprehje si "plani im", "projekti im", të cilat "mund të ngatërrojnë. Në të vërtetë, gjithçka bën Maria është gjithmonë në shërbim të projektit të Zotit dhe të planit të tij hyjnor të shëlbimit". Ashtu siç nuk duhet gabimisht t'i atribuojmë Marisë një vend unik, që përjashton Birin e Hyjit bërë njeri. Dikasteri për Doktrinën e Fesë nënvizon një mesazh, që mund të konsiderohet sintezë e propozimit të Ungjillit përmes Medjugorjes: "Dëshiroj t'ju afroj gjithnjë e më shumë me Jezusin dhe me zemrën e tij të plagosur" (25.11.1991).

Autorizohet kulti publik

"Megjithëse kjo nuk nënkupton deklaratë me karakter të mbinatyrshëm" dhe duke theksuar se askush nuk është i detyruar të besojë në të, autorizimi - i dhënë nga ipeshkvi i Mostar-Duvnos, në marrëveshje me Selinë e Shenjtë, - përcakton se besimtarët "mund të marrin një stimul pozitiv për jetën e tyre të krishterë nëpërmjet këtij propozimi shpirtëror dhe autorizon kultin publik”. Nota sqaron gjithashtu se "vlerësimi pozitiv i shumicës së mesazheve të Medjugorjes si tekste të frytshme nuk nënkupton deklarimin se ato kanë origjinë të drejtpërdrejtë mbinatyrore". E, megjithëse ka - siç dihet - mendime të ndryshme «për vërtetësinë e disa fakteve, ose për disa aspekte të kësaj përvoje shpirtërore, autoritetet kishtare të vendeve ku ajo është e pranishme ftohen të vlerësojnë vlerën baritore dhe të promovojnë përhapjen e këtij propozimi shpirtëror”. Nota i lë pushtet ipeshkvijve të çdo dioqeze të vendosin ndryshe, në rast se ka njerëz, ose grupe, që “nuk e përdorin drejt këtë fenomen shpirtëror dhe veprojnë në mënyrë të gabuar". Së fundi, Dikasteri fton ata që shkojnë në Medjugorje "të pranojnë se shtegtimet nuk bëhen për t'u takuar me vegimtarët, por për të pasur një takim me Marinë, Mbretëreshën e Paqes".

19 shtator 2024, 11:38