DBR, Françesku: preferoj lodhjen e të rinjve në lëvizje, sesa mërzinë e atyre, që ndalen
R.SH. – Vatikan
U bë i njohur sot mesazhi i Papës Françesku për Ditën e 39-të Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në nivelin dioqezan, në kuadrin e Jubileut të vitit 2025. Tema e zgjedhur nga Ati i Shenjtë, mbi të cilën bazohet edhe mesazhi i tij, është marrë nga fjalët e profetit Isaia: “Ata që shpresojnë në Zotin, ecin pa u lodhur” dhe përqendrohet në temën e shpresës dhe të rezistencës.
Në mesazh, Papa i inkurajon të rinjtë ta shohin jetën si shtegtim, një kërkim për lumturinë që, pa dyshim, është edhe i lodhshëm. Pikërisht në këtë rrugëtim, shpresa duhet të shdrisë më shumë, shkruan Françesku.
Ata që shpresojnë në Zotin nuk lodhen
Në dritën e vështirësive me të cilat përballen të rinjtë, duke filluar nga luftërat, padrejtësitë, pabarazitë, ankthi për të ardhmen, Ati i Shenjtë i inkurajon ata të vijojnë udhën, duke nënvizuar se “ata që shpresojnë në Zotin... ecin pa u lodhur”. Ai thekson se shpresa nuk është thjesht ndjenjë pasive, por forcë aktive, e cila na lejon "të shkojmë përpara, sepse është dhuratë e marrë nga vetë Zoti".
Papa vë në dukje lodhjen, që mund të shfaqet nga vështirësitë e jetës. Kjo lodhje, thekson ai, është e zakonshme për të gjithë ata që nisin udhëtime të rëndësishme e zgjidhja për një lodhje të tillë nuk është ndalimi, por shndërrimi në “shtegtarë të shpresës". Ati i Shenjtë i fton të rinjtë ta përqafojnë plotësisht jetën, duke i paralajmëruar kundër amullisë, në të cilën njerëzit "qëndrojnë pa dëshirë për të lëvizur", pas ekranit të telefonit, duke e parë jetën nga ballkoni. Thekson se kjo apati shpesh mund të çojë në ndjenjën paralizuese të kotësisë. "Preferoj lodhjen e atyre që ecin përpara e jo mërzinë e atyre, që qëndrojnë pa lëvizur”, pohon Papa.
Eukaristia është autostrada për në Parajsë
Më pas, Françesku e krahason rrugëtimin e të rinjve në jetë me historinë biblike të udhëtimit të Izraelit nëpër shkretëtirë. I siguron se edhe në çaste krize e dëshpërimi, Zoti nuk e braktis popullin e vet. Përkundrazi, si baba i dashur, Ati Qiellor i mbështet me praninë e Tij, ashtu siç u dha manën hebrenjve në shkretëtirë. Papa u bën thirrje të rinjve të rizbulojnë dhuratën e madhe të sakramentit të Eukraistisë, - mana, që u çon Zoti - duke u kujtuar se “Eukaristia është autostrada për në Parajsë”. “Krizat – shkruan më tej, duke iu referuar edhe krizave shpirtërore - nuk janë kohë të kota”, por mundësi të rëndësishme për zhvillim, pasi ato zhdukin shumë “shpresa” të rreme, duke na lënë para pyetjeve themelore të jetës, përtej çdo iluzioni.
Jo turistë, por shtegtarë
Duke parë drejt Jubileut të vitit 2025, Papa Françesku uron që ky shtegtim i ardhshëm t’u japë mundësi të rinjve të thellojnë marrëdhëniet e tyre me Zotin dhe të përjetojnë mëshirën dhe dashurinë e Tij. Ati i Shenjtë i fton të gjithë në Romë, duke u thënë: “Mos u nisni thjesht si turistë, por si shtegtarë të vërtetë” dhe u kujton se udhëtimi drejt Jubileut nuk është vetëm fizik, por edhe shpirtëror. “Ecja juaj të mos jetë thjesht kalim nëpër vendet e jetës në mënyrë sipërfaqësore, pa kuptuar bukurinë e asaj që hasni, pa zbuluar domethënien e rrugëve të përshkuara, duke kapur vetëm çaste të shkurtra, përvoja kalimtare për t'u fiksuar në një selfie. Turisti e bën këtë. Ndërsa shtegtari zhytet me gjithë vetveten në vendet që sheh, i bën të flasin, i bën të bëhen pjesë e kërkimit të lumturisë”.
Në përfundim të mesazhit, Papa i nxit të rinjtë të tregohen të guximshëm. "Guxim" shkruan Françesku, përpara se t'i sigurojë për lutjet e tij dhe t'ia besojë shtegtimin e tyre së Shenjtnueshmes Virgjër Mari. Me shembullin e saj, vëren Ati i Shenjtë, të rinjtë mund të vijojnë “udhëtimin e tyre si shtegtarë të shpresës e të dashurisë".