Mesazhi i Papës për IEC2024: 'Kultivoni vëllazërimin eukaristik'

Papa i drejton një mesazh Kongresit të 53-të Ndërkombëtar Eukaristik në Quito, Ekuador, duke i inkurajuar pjesëmarrësit të kultivojnë vëllazërimin rrënjësor me Zotin dhe me njëri-tjetrin

R.SH. – Vatikan

Ndërsa vazhdon udhëtimin e tij apostolik në Azi dhe Oqeani, Papa Françesku u dërgon një videomesazh pjesëmarrësve në Kongresin e 53-të Ndërkombëtar Eukaristik (IEC2024), që fillon pikërisht sot në Quito të Ekuadorit. Veprimtaria, e cila zhvillohet nga 8 deri më 15 shtator, në Qendrën Metropolitane të Konferencave në kryeqytetin ekuadorian, mbledh rreth 4000 pjesëmarrës me moton "Vëllazërimi për të shëruar botën". Në mesazhin e tij në spanjisht, Papa Françesku vlerëson zgjedhjen e kësaj teme "të bukur", e cila thekson lidhjen e ngushtë ndërmjet Eukaristisë dhe vëllazërimit, "kusht thelbësor" për një botë më të drejtë dhe më humane.

Eukaristia i bashkon njerëzit

Duke përmendur Etërit e hershëm të Kishës, Papa kujton se buka, simbol i Eukaristisë, i bashkon njerëzit, pasi nuk mund të bëhet nga një kokërr e vetme gruri. Në mënyrë të ngjashme, njerëzit duhet të ecin së bashku në unitet, sepse megjithëse të shumtë, ata janë një korp i vetëm në Krishtin. Ati i Shenjtë citon Shën Agustinin dhe Shën Injacin e Antiokisë për të treguar se Eukaristia nxit ndjenjën e vëllazërimit të thellë, lindur nga bashkimi i thellë me Hyjin.

"Vëllazërim eukaristik" proaktiv

Papa Françesku bën thirrje për një formë proaktive të "vëllazërimit eukaristik", duke përmendur shembullin e murgeshës gjermane Angela Autsch, e cila vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit. Ai kujton se edhe para se të arrestohej, "kur e keqja, që po vinte mbi botën, dukej qartë tashmë", ajo i frymëzoi të afërmit e saj t'i rezistonin asaj të keqeje përmes gjesteve të thjeshta por të thella, si kungimi i shpeshtë, me bindjen se Eukaristia e forconte Kishën dhe besimtarët. “Këto gjeste të thjeshta – pohon Papa – na bëjnë më të vetëdijshëm se nëse një gjymtyrë vuan, i gjithë trupi vuan me të; ato na ndihmojnë të bëhemi si Simoni i Cirenës për Krishtin, që mori mbi vete peshën e vuajtjes së botës për ta shëruar atë”.

Në përfundim, Papa u bën thirrje besimtarëve që ta përvetësojnë këtë mësim dhe ta rimëkëmbin këtë "vëllazërim radikal" me Zotin dhe me njëri-tjetrin, duke u bërë të vetëdijshmë se janë të bashkuar në Krishtin dhe se vetëm në këtë unitet mund të shërohet bota.

08 shtator 2024, 17:02