Në dialog me të rinjtë e të gjitha feve, fjalët e fundit të Françeskut në Singapor
R.SH. – Vatikan
Në orën 12.25 me orën lokale, Papa Françesku u nis nga Singapori për fluturimin e kthimit, që e sjell në Romë këtë mbrëmje, pas udhëtimit të gjatë, ku përveç qytet-shtetit ishullor, Ati i Shenjtë shkoi edhe në Indonezi, Papua Guinea e Re dhe Timor, që nga 2 shtatori. Në aeroport, Papa mbërriti nga Kolegji Katolik Junior, një nga institucionet më të rëndësishme edukative të Kishës vendase, ku pati veprimtarinë e fundit të kësaj vizite: një takim ndërfetar me protagonistë të rinjtë e feve të ndryshme, ndërsa liderët ishin ulur në rreshtin e parë për të dëgjuar dialogun e tyre me Papën Françesku.
Dëshmitë e të rinjve
Ishte një diskutim i gjallë, në të cilin Papa - siç pati bërë me rininë e Timorit Lindor - iu përgjigj lirisht dëshmive dhe pyetjeve të tyre, duke e lënë mënjanë fjalimin e përgatitur. Raaj, një i ri hinduist, i rrëfeu ndjenjën e hidhur se po çonte përpara dialogun ndërfetar sikur të ishte "brenda një flluske": "Ka ditë kur qaj - tregoi ai - sepse e ndiej se pikërisht kur bëjmë hapa përpara në promovimin e miqësisë ndërmjet të rinjve, befas, dëgjojmë për dhunë globale dhe humbje jetësh në emër të fesë”. Preet, një sikh i ri, e pyeti Atin e Shenjtë si të "kapërcejë frikën nga paragjykimet, duke pasur parasysh presionin e fortë për të pasur rezultate të mira në çdo aspekt të jetës". Nicole, një edukatore e re katolike, ngriti temën e inteligjencës artificiale dhe përdorimit të saj ndërmjet së vërtetës dhe manipulimit, madje edhe për çështje fetare.
“Dialogu i sinqertë” në përgjigjet e Papës
Duke u përgjigjur, Françesku foli për guximin, që duhet të ketë secili, duke i lejuar të tjerët edhe ta kritikojnë, në një "dialog të sinqertë". Sepse kushdo që zgjedh të jetojë gjithmonë pa probleme “është i ri, që veç i dhjamoset mendja. Prandaj, u them të rinjve: rrezikoni, dilni, mos kini frikë, frika është qëndrim diktatorial, që paralizon”. Për mediat dhe mjetet e reja dixhitale, Papa përsëriti ftesën për t'i përdorur, pa u bërë skllevër të tyre. Ai përmendi përsëri plagën e bullizmit dhe kërkoi respekt për njerëzit me aftësi ndryshe.
Fetë janë “gjuhë të ndryshme" në "rrugën për të arritur tek Zoti"
Përsa i përket ndryshimeve ndërmjet feve, Françesku ftoi të shihen si "gjuhë të ndryshme" në "rrugën për të arritur tek Zoti". "Nëse fillojmë të themi 'feja ime është më e bukur dhe më e vërtetë se e jotja' përfundojmë në grindje", komentoi ai. “Por Zoti është Zot për të gjithë. Dhe ashtu si Hyji është Hyj për të gjithë, ne jemi të gjithë bij të Zotit". Ati i Shenjtë i nxiti të pranishmit e të gjitha feve "të luten në heshtje për njëri-tjetrin".
"Nëse dialogoni që kur jeni të rinj, do të dialogoni edhe kur të rriteni, do të dialogoni si qytetarë, si politikanë. E dua t’ju them diçka për historinë: çdo diktaturë në histori, gjëja e parë që bën është ndërprerja e dialogut”.
Deklarata e rinisë së Singaporit
Në fund të takimit, të rinjtë lexuan së bashku një deklaratë ku shkruhet: “Ne, brezi i ardhshëm, zotohemi se do të jemi fener bashkimi dhe shprese në nxitjen e bashkëpunimit dhe të miqësive, që ushqejnë bashkëjetesën e harmonishme të njerëzve me fe të ndryshme”. Me ta, edhe Papa Françesku përfundoi simbolikisht, me një penelatë, një pikturë, që do të mbetet kujtim i kësaj dite dhe i këtij angazhimi.
Takimi me klerin dhe me të moshuarit
Para takimit ndërfetar me të rinjtë, Françesku priti privatisht meshtarët, rregulltarët dhe ipeshkvijtë e Konferencës Ipeshkvnore lokale, e cila bashkon Malajzinë, Singaporin dhe Brunein. Më pas, ashtu si në secilën nga etapat e shtegtimit të tij apostolik, Papa takoi disa të moshuar dhe të sëmurë, që ndihmohen nga strukturat lokale katolike, në Shtëpinë e Shën Terezës, themeluar në vitin 1935 nga Motrat e Vogla të të Varfërve. “Ju kërkoj të luteni për Kishën dhe për njerëzimin – u tha Ati i Shenjtë. – Lutja juaj është shumë e rëndësishme para Zotit”.