Kërko

Papa niset nga Luksemburgu Papa niset nga Luksemburgu

Papa në Belgjikë, për 600-vjetorin e Universitetit Katolik të Louvain

Brukseli dhe Louvain, në qendër të vizitës së nesërme të Françeskut, që sot në mbrëmje, mbërrin në Belgjikë. Veprimtaritë kryesore të ditës: takimi me autoritetet dhe shoqërinë civile, paradite e, takimi me pedagogët e studentët e Universitetit Katolik të Louvain, pasdite

R.SH. - Vatikan

Sot pasdite, reth orës 18.38, Papa Françesku u nis nga aeroporti ndërkombëtar i Luksemburgut për të shkuar në bazën ajrore të Melsbroek, në Belgjikë, ku mbahet ceremonia e mirëseardhjes në etapën e dytë të shtegtimit të tij apostolik.

Nesër, veprimtaria e parë e Atit të Shenjtë në Bruksel do të jetë vizita e kortezisë tek mbreti i belgëve në kështjellën e Laeken. Më pas, Papa do të takohet me kryeministrin dhe me autoritetet e shoqërinë civile. Pasdite, Bergoglio do të zhvendoset rreth 26 kilimetra nga Brukseli për të shkuar në Louvain, ku do të takohet, rreth orës 16.30, me pedagogët dhe me studentët e Universitetit Katolik të kryeqendrës së provincës së Brabantit fiaming, në qendër të Belgjikës.

Ky universitet është më i vjetri katolik në botë. U themelua me bulën papnore “Sapientie immarcessibilis” të Papës Martini V, më 9 dhjetor 1425, me kërkesën e qytetit të Louvain-it, mbështetur nga Gjoni IV, Duka i Brabantit dhe nga kleri i qytetit. Fillimisht, universiteti kishte katër fakultete: Shkenca Humane, e Drejta Kanonike, e Drejta Civile dhe Mjekësia. Në vitin 1432, Papa autorizoi shtimin e Fakultetit Teologjik.

Aktualisht, universiteti është ndarë në dy pjesë, njëra në gjuhën fiaminge e tjetra, në frëngjisht. Misioni i tij, bazuar në vizionin e krishterë për njerëzimin dhe botën, është të jetë vend për diskutim të hapur mbi çështjet sociale, filozofike dhe etike, si edhe qendër e mendimit kritik. Në vitin akademik 2024-2025, të dyja pjesët e këtij Universiteti Katolik do të kremtojnë 600-vjetorin e themelimit me ekspozita, takime, konferenca dhe ngjarje të tjera.

26 shtator 2024, 18:50