Kërko

Papa: zhvillim për të gjithë e parandalim të dhunës fisnore në Papua Guinea e Re

Në Port Moresby, në fjalimin e parë zyrtar të udhëtimit të tij në vendin oqeanik, Françesku u kujtoi autoriteteve përgjegjësinë që rrjedh nga pasuria e jashtëzakonshme kulturore dhe mjedisore e arkipelagut, për t'u përdorur për promovimin e "mirëqenies së të gjithëve, pa përjashtim". Realizimi i sfidës së harmonizimit të dallimeve mund t'i japë botës "një shenjë vëllazërie"

R.SH. – Vatikan

Që dje, Papa Françesku ndodhet në Port Moresby, kryeqyteti i Papua Guinesë së Re, ku sot paradite, 7 shtator, i bëri një vizitë kortezie Guvernatorit të Përgjithshëm të vendit, me shumicën e popullsisë të krishterë, prej së cilës 28% është katolike dhe u takua me autoritetet civile e Trupin Diplomatik. Më pas shkoi për një takim të gëzueshëm me fëmijët e shkollës së Karitasit dhe u foli, në shenjtëroren e Zojës Ndihmëtare, ipeshkvijve e klerit të vendit. Filloi kështu, etapa e dytë e shtegtimit të tij të 45-të apostolik në Azi dhe Oqeani.

Mesazhi i Papës drejtuar autoriteteve të vendit

"Harmonia e dallimeve", në një vend që është një arkipelag me qindra ishuj, më shumë se tetëqind gjuhë, po aq grupe etnike, dhe për këtë arsye ka "një pasuri të jashtëzakonshme kulturore" e cila gërshetohet me atë të burimeve natyrore, është sfidë për "vlerat e shpirtit" në Papua Guinenë e Re.

Popullsitë e shumta të saj mund t'i japin "botës një shenjë vëllazërimi" nëse, të vetëdijshëm për "përgjegjësinë e madhe" që rrjedh nga kjo pasuri, ato angazhohen për "krijimin e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të barabartë, që promovon mirëqenien e të gjithëve, pa përjashtuar askënd”, dhe nëse parandalojnë “dhunën fisnore”, e cila përveçse shkakton shumë viktima, “nuk i lejon njerëzit të jetojnë në paqe dhe kështu pengon edhe zhvillimin e vendit”.

Ky është mesazhi që Papa Françesku u drejtoi sot autoriteteve të Papua Guinesë së Re në fjalimin e tij në Leaders Foyer e Apec House, qendra më e madhe e konferencave në Port Moresby, përpara rreth 300 liderëve politikë dhe fetarë, ambasadorëve, sipërmarrësve, përfaqësuesve të shoqërinë civile dhe kulturën. Këto janë fjalët e para të Françeskut në vend, por dita e sotme e Papës filloi me Meshën kremtuar privatisht në nunciaturën apostolike dhe transferimin e mëpasshëm në pallatin presidencial për vizitën e mirësjelljes te guvernatori i përgjithshëm i Papua Guinesë së Re, Bob Bofend Dadae.

Pasuria natyrore e Papua Guinesë së Re, “e destinuar nga Zoti për gjithë kolektivitetin”

Në vijim, në fjalën e tij para autoriteteve të Papua Guinesë së Re në fjalimin e tij në Leaders Foyer e Apec House, Papa Bergoglio vlerësoi menjëherë larminë e vendit, “një arkipelag me qindra ishuj, ku fliten më se tetëqind gjuhë, që korrespondojnë me po aq grupe etnike: kjo nxjerr në pah një pasuri të jashtëzakonshme kulturore; e ky është një aspekt që më mahnit shumë, madje edhe në planin shpirtëror, pasi imagjinoj se kjo larmi e madhe është sfidë për Shpirtin Shenjt, i cili i harmonizon dallimet!”

Ati i Shenjtë vuri në dukje pasuritë natyrore dhe kulturore të Papua Guinesë së Re, shpesh, shkak për shfrytëzimin ndërkombëtar të vendit, por edhe burime, “të destinuara nga Zoti për gjithë kolektivitetin”. “Kjo pasuri mjedisore dhe kulturore – nënvizoi Papa - kërkon përgjegjësi të madhe, sepse i impenjon të gjithë, qeveritë e qytetarët, të favorizojnë çdo iniciativë të nevojshme për vlerësimin e burimeve natyrore dhe njerëzore, në mënyrë që t'i japin jetë zhvillimit të qëndrueshëm e të barabartë, i cili promovon mirëqenien e të gjithëve, pa përjashtim, përmes programeve konkretisht të ekzekutueshme dhe përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, në respekt të ndërsjellë dhe me marrëveshje të dobishme për të gjitha palët”.

Kushtet për zhvillimin e mbarëvajtjen e kombit

Françesku theksoi se kusht për këtë është “qëndrueshmëria e institucioneve” dhe “marrëveshja” për vendimet themelore në favor të gjithë shoqërisë, por edhe largpamësia e bashkëpunimi ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore. “Uroj, në veçanti, - kërkoi Ati i Shenjtë Françesku - që të ndalet dhuna fisnore, e cila fatkeqësisht shkakton shumë viktima, nuk i lejon njerëzit të jetojnë në paqe dhe pengon zhvillimin. Ndaj i bëj thirrje ndjenjës së përgjegjësisë së secilit, që të ndërpritet spiralja e dhunës dhe të ndërmerret me vendosmëri rruga, që çon në bashkëpunimin e frytshëm, për të mirën e gjithë popullit të vendit”.

Statusi i ishullit Bougainville

Papa përmendi statusin e ishullit Bougainville, në konflikt që nga viti i kaluar, për shkak të një miniere ari, ndër më të pasurat e zonës, e cila ka rindezur tensione të vjetra. Secili, nënvizoi Papa Bergoglio, duhet të jetë i gatshëm të sakrifikojë diçka për të mirën e të gjithëve, sidomos, për të përmirësuar infrastrukturat, shëndetësinë, arsimin dhe punësimin dinjitoz.

Jo vetëm bukë, por edhe “një shpresë të madhe në zemër”

Por, jo vetëm ekonomi! Papa Françesku theksoi se njerëzit nuk kanë nevojë vetëm për bukë, por edhe për “një shpresë të madhe në zemër”, e cila i bën të jetojnë më mirë, u jep guximin dhe dëshirën për të ndërmarrë projekte të mëdha dhe për ta lartuar vështrimin drejt horizonteve më të gjera. Ati i Shenjtë bergoglio e quajti këtë “fryma e shpirtit”, pa të cilën shoqëria mbyllet në vetvete, e humb orientimin dhe i harron vlerat e vërteta, duke mbytur shpresën në të ardhmen. “Për këtë arsye – vuri në dukje Ati i Shenjtë Françesku - është e nevojshme të orientohet shpirti drejt realiteteve më të mëdha; qëndrimet duhet të mbështeten nga një forcë e brendshme, e cila i mbron nga rreziku i korrupsionit dhe nga humbja e aftësisë për t’i dhënë kuptim veprimtarisë personale dhe për ta kryer atë me përkushtim dhe vazhdimësi”.

Logo e moto e vizitës apostolike në Papua Guinenë e Re

Këtë e kujtojnë edhe logo e motoja e vizitës apostolike në Papua Guinenë e Re. “Të lutemi” është motoja e shtegtimit të Papës në këtë vend, që – pavarësisht se duket si “politikisht jo korrekte”, nënvizoi Ati i Shenjtë – tregon se një popull, që lutet, ka një të ardhme, e cila merr forcë e shpresë nga Ati Qiellor. E kështu, edhe emblema e zogut të Parajsës, simbol i lirisë së brendshme, mbrojtur nga Zoti, që i do të lirë bijtë e vet.

Feja të mos reduktohet kurrë në respektimin e riteve dhe të normave

Papa, duke përmendur shën Palin apostull, u tha akoma autoriteteve e diplomatëve se do të qëndrojë në vendin e tyre si “bashkëpunëtor i gëzimit”, i falënderoi bashkësitë e krishtera për veprat e tyre të bamirësisë kudo në Papua Guinenë e Re, përmendi shembujt e të lumëve të vendit, duke filluar nga autoktoni i Lumi Pietër To Rot dhe e përfundoi fjalën e tij me këshillën: “Për të gjithë ata që e quajnë veten të krishterë - shumica dërrmuese e popullit tuaj - uroj sinqerisht që feja të mos reduktohet kurrë në respektimin e riteve dhe të normave, por të përbëhet nga dashuria për Jezu Krishtin dhe nga ndjekja e tij; të bëhet kulturë e jetuar, duke frymëzuar mendjet dhe veprimet dhe duke u kthyer në fener drite, që ndriçon rrugën. Në këtë mënyrë, feja do ta ndihmojë edhe shoqërinë në tërësi të zhvillohet dhe të gjejë zgjidhje të mira dhe të frytshme për sfidat e saj të mëdha”.

 

07 shtator 2024, 10:50