Françesku përshëndet të rinjtë e mbledhur për Hope Happening
R.SH. / Vatikan
Në përfundim të takimit të tij me sivëllezërit e tij jezuitë në Belgjikë, të shtunën pasdite, Papa Françesku kaloi mbrëmjen e së shtunës me 6000 të rinj të mbledhur në Expo në Bruksel në kryeqytetin belg. "Hope Happening" është një ngjarje e organizuar në frymën e Ditëve Botërore të Rinisë, duke përfshirë shtegtime, veprimtari krijuese mbi fenë dhe spiritualitetin, një festival i vërtetë muzikor dhe vigjilje lutjeje nën hijen e stadiumit King Baudouin. Veprimtaria u organizua nga rreth 40 shoqata rinore të krishtera në Flanders, Wallonia dhe Bruksel, me mbështetjen e Konferencës së Ipeshkvijve të Kishës Katolike të Belgjikës.
Kujtojeni Zotin në zemrën tuaja
Duke kujtuar Ditët Botërore të Rinisë, Ati i Shenjtë u prit nga të rinjtë e gëzuar pa masë, të cilët nuk prisnin t'u bënte një vizitë. Gjatë takimit festiv, Papa Françesku inkurajoi të rinjtë në fenë e tyre, duke i ftuar që ta lejojnë Zotin t'i udhëheqë në dashuri. "Të rinjtë bëjnë zhurmë!" tha Papa. "Dhe nëse e gjeni një të ri si ky, të mërzitshëm - atij të riu i mungon rinia". Ati i Shenjtë i nxiti të rinjtë që të përpiqen të ecin gjithmonë përpara "duke e mbajtur Zotin në zemrat e tyre në lutje".
Lutuni përherë
“Mos e harroni lutjen”, tha Papa dhe u kërkoi të rinjve që të mos i shikojnë kurrë të tjerët me përbuzje, përveç nëse qëllimi i tyre është për "t'i ndihmuar të ngrihen lart". Para se të përfundonte vizitën e tij duke dhënë Bekimin Apostolik, Papa Françesku vuri në dukje një foshnje të porsalindur dhe i inkurajoi të rinjtë të rifitonin ndjenjën e pafajësisë dhe pastërtisë së një foshnjeje. "E shihni atë [të porsalindurin] atje?" pyeti Ati i Shenjtë Françesku. "Ata janë më të mëdhenjtë nga të gjithë ju, sepse Jezusi na ka thënë se më i madhi është ai që bëhet si një fëmijë".