Papa: dinjiteti i barabartë midis burrave e grave, jo dikotomive ideologjike

Françesku vizitoi Université Catholique de Louvain, ku u takua me studentë të rinj, të cilët në një letër i paraqiten kërkesat dhe kritikat e tyre për krijimin, pabarazitë dhe rolin e gruas. Papa theksoi rëndësinë që kanë gratë, kërkoi që të mos bien në "pretendime" duke i vënë burrat dhe gratë kundër njëri-tjetrit, pastaj denoncoi brutalitetin e luftërave, të këqijat e korrupsionit e shfrytëzimit, dhe i nxiti të studiojnë për të mirën e përbashkët, duke kërkuar " të vërtetën që na bën të lirë"

R.SH. - Vatikan

Në veprimtarinë e fundit publike të ditës së dytë të udhëtimit të tij Apostolik në Belgjikë, Papa Françesku u takua me studentët e Universitetit prestigjioz Katolik të Louvain, i cili feston 600-vjetorin e themelimit. Ati i Shenjtë Bergoglio u prit nga anëtarët e Këshillit të Rektoratit, Rektorja Françoise Smets dhe para se të hynte në sallën e takimit, firmosi Librin e Nderit.

Letra e paraqitur nga studentët

Studentët i paraqitën Atit të Shenjtë një letër në të cilën bashkëndanin reflektimet e tyre mbi temat e përgjegjësisë mjedisore, rolin e universiteteve në nxitjen e ndërgjegjësimit e të ndryshimit dhe nevojën për një qasje të re kulturore dhe shpirtërore për trajtimin e krizave aktuale ekologjike dhe sociale. Letra është fryt i një përpjekjeje kolektive që përfshin profesorë, studiues të rinj dhe studentë që u mblodhën për të diskutuar Letrën Enciklike të Papës "Laudato si" mbi kujdesin për shtëpinë tonë të përbashkët. Në letër ata u përqendruan në pesë tema: rrënjët filozofike dhe teologjike të krizës aktuale klimatike; roli i emocioneve dhe i përkushtimit; çështja e pabarazisë; pozita e gruas dhe solidariteti përballë emergjencës klimatike.

Shpresa nuk zhgënjen kurrë

Në fjalën e tij, Papa Françesku falënderoi ngrohtësisht studentët për bashkëndarjen e shqetësimeve të tyre për të ardhmen dhe vlerësoi “pasionin dhe shpresën” në dëshirën e tyre për drejtësi dhe kërkimin e së vërtetës. Ati i Shenjtë u ndal te disa çështje të ngritura në letër, duke përfshirë luftën, shfrytëzimin pa kriter të burimeve e të popujve në Jugun Global dhe përgjegjësitë e Kishës në legjitimimin e dominimit kolonial të Evropës mbi popujt e tjerë. Papa Françesku dënoi çdo keqpërdorim të fesë për dominim si një shtrembërim blasfemues të imazhit të Zotit. Përballë këtyre të këqijave Ati i Shenjtë i nxiti studentët të vazhdojnë të shpresojnë, sepse “shpresa nuk zhgënjen kurrë”.

Pastaj, foli për të ardhmen dhe ankthet e shumë të rinjve; foli për të këqijat që po shkatërrojnë botën, duke filluar nga lufta që ndot edhe fenë (dhe kjo është “blasfemi”); foli për shtypjen, abuzimin dhe refuzimin; foli për urgjencën e çështjes ekologjike dhe arrogancën e të pushtetshmëve që gjithmonë vënë përpara njeriut interesin ekonomik. Por mbi të gjitha foli për gratë, dinjiteti i të cilave nuk sanksionohet nga ideologjitë; gruaja është "bijë, motër e nënë" për Kishën, e cila, nga ana tjetër, është "populli i Zotit", Kisha dhe jo "shoqëri shumëkombëshe". Prandaj gruaja si person, pra, duhet të jetë e dashur dhe e respektuar “që në fillim” dhe të mos përfshihet në “pretendime” të ndryshme. Me pak fjalë, para studentëve të rinj të Université Catholique de Louvain, të cilët i takoi sot, në takimin e parafundit të udhëtimit në Belgjikë, Papa Françesku foli për emergjencat e së sotmes e të së nesërmes dhe për “dikotomitë ideologjike” që shkatërrojnë dialogun.

"Kisha është grua"

Papa Françesku mes tjerash, u ndal te një pikë tjetër të theksuar në letër: roli i grave në Kishë dhe shoqëri, pyetje e cila gjithashtu ka të bëjë me çështjen e dhunës dhe të padrejtësisë gjinore, si dhe me paragjykimet ideologjike. Duke kujtuar rolin e rëndësishëm të grave në historinë e shpëtimit (fesë), Papa kujtoi natyrën thelbësore të grave në Kishë e shoqëri dhe hodhi poshtë çdo nocion rivaliteti midis burrave dhe grave. Ati i Shenjtë bëri thirrje që në vend të kësaj të ketë respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë, të rrënjosur në dinjitetin dhe njerëzimin e përbashkët. "Në Kishë, burrat dhe gratë janë të thirrur që nga fillimi për të dashur dhe për t'u dashur," vuri në dukje Papa.  "Ajo që karakterizon gratë, është ajo që me të vërtetë është femërore, që nuk përcaktohet me konsensus ose ideologji, ashtu si vetë dinjiteti sigurohet jo nga ligjet e shkruara në letër, por nga ligji origjinal i shkruar në zemrat tona”, tha Papa.

28 shtator 2024, 19:32