Papa emëron ipeshkëv të Kotorrit në Mal të Zi Atë Mladen Vukšić

Papa Françesku ka emëruar Atë Mladen Vukšić, O.F.M., ipeshkëv të Dioqezës së Kotorrit në Mal të Zi, deri tni Ministër Definator i Provincës Françeskane të Hercegovinës dhe Famullitar në Posušje.

R.SH. / Vatikan

Të enjten, më 12 shtator, Papa Françesku emëroi At Mladen Vukšić, OFM, ish-famullitar i Famullisë së Zojës së Papërlyer në Posušje, në dioqezën Mostar-Duvno dhe Definitor i Provincës Françeskane të Zojës së Papërlyer, ipeshkëv të ri të Kotorrit, njoftoi zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë dhe Nunciatura Apostolike në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ipeshkvi ri imzot Mladen Vukšic, O.F.M., u lind më 28 dhjetor 1965 në Ljubuški. Pasi e kaloi novacionin e tij në Humac, shërbeu në ushtri në Shkup e Kumanovë (tani Maqedonia e Veriut). Më 16 shtator 1990 bëri kushtet solemne të jetës rregulltare françeskane në Kocerin dhe më 26 korrik 1992 u shugurua meshtar në Çitluk. Studime teologjike i kreu në Makarska (Kroaci) (1986-1989) dhe Bolonjë (Itali) (1989-1992); punoi si zëvendës famullitar i Shën Antonit të Padovës, në Humac (1992-1994); Kreu licencën në teologjinë baritore të rinisë dhe katekezë pranë Universitetit Papnor Salezian (1994-1997); Mjeshtër i Klerikëve, Zagreb (1997-2000); Kujdestar i Kuvendit Françeskan dhe Famullitar i Shëna Vlashit, në Slano (2000-2003); famullitar i Shën Françeskut të Asizit, në Posuški Gradac (2003-2010); Famullitari i Apostujve të Shenjtë Pjetër e Pal, në Kocerin (2010-2013); Famullitari i Zojës së Papërlyer, në Posušje (2013-2024).

12 shtator 2024, 12:26