Papa është më mirë, sot priti ipeshkvijtë e Mozambikut
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku ndihet më mirë pas gripit të lehtë të djeshëm, për të cilin u detyrua të anulojë audiencat. Sot paradite Ati i Shenjtë Françesku priti në audiencë në Vatikan – siç njofton Salla e shtypit e Vatikanit - ipeshkvijtë e Mozambikut, në vizitën e tyre "ad limina apostolorum".
Çfarë është vizita ad Limina Apostolorum?
Është vizita që të gjithë ipeshkvijtë katolikë të botës duhet të bëjnë në Romë çdo pesë vjet. Kjo vizitë përfshin një shtegtim te varret e apostujve Pjetër dhe Pal, në Vatikan, si shprehje e bashkimit kishtar dhe një takim me Papën si pasardhës i Shën Pjetrit. Kështu, sipas një tradite të lashtë të Kishës, çdo pesë vjet, ipeshkvijtë e Konferencave të ndryshme Episkopale shkojnë në vizitë ad Limina Apostolorum për të takuar Atin e Shenjtë e për ta njoftuar mbi Kishën vendore të cilën e drejtojnë.