Kërko

Kardinali Dom Alexandre do Nascimento Kardinali Dom Alexandre do Nascimento

Papa falënderon Zotin për kardinalin e ndjerë do Nascimento

Në një telegram drejtuar kryeipeshkvit të Luandës, Papa Françesku shpreh dhimbjen e tij për vdekjen e kardinalit Alexandre do Nascimento dhe kujton kujdesin dhe shërbimin e tij për më nevojtarët

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku shprehu sot, 30 shtator, dhimbjen e tij për vdekjen e kardinalit angolez Alexandre do Nascimento, i cili ndërroi jetë të shtunën, më 28 shtator, në moshën 99-vjeçare.

Kardinali, një nga prelatët që ndihmoi në tragetimin e Kishës Afrikane në mijëvjeçarin e ri, u rrëmbye më 15 tetor 1982, gjatë një vizite baritore, nga një grup njerëzish të armatosur, të cilët e liruan më 16 nëntor. Papa shenjt Gjon Pali II pati bërë thirrje për lirimin e tij, gjatë Engjëllit të Tënzot të së dielës, 31 tetor. Gjatë Krezhmëve të vitit 1984, predikoi në Vatikan ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake. U emërua ipeshkëv i Luandës në vitin 1986 dhe e drejtoi atë kryedioqezë deri në vitin 2001.

Në një telegram drejtuar kryeipeshkvit të Luandës, Dom Filomeno do Nascimento Vieira, Papa shkruan se e ndan dhimbjen me klerin angolez, me bashkësitë fetare dhe me të gjithë besimtarët e kryedioqezës, si edhe me anëtarët e familjes së kardinalit. Gjithashtu, shpreh afërsinë me "të gjithë njerëzit në Angolë, që janë pikëlluar nga humbja e një bariu kaq të shquar".

Ati i Shenjtë kujton edhe “kujdesin e Dom Aleksandrit për grigjën e tij në kohë të trazuara dhe të vështira, duke qenë për të gjithë shprehje e fytyrës së mëshirshme të Jezusit, Samaritanit të Mirë të njerëzimit”.

“Besimi i tij në Krishtin dhe shpresa në jetën e amshuar e bënë atë të guximshëm dhe të lirë, të aftë për t’i orientuar hapat në favor të së mirës së përbashkët, duke bashkëpunuar me Selinë Apostolike në impenjimin për të varfrit dhe nevojtarët, ndërsa drejtoi Karitasin Ndërkombëtar”, shkruan Ati i Shenjtë.

Papa e përfundon telegramin duke falënderuar Zotin për kardinalin e ndjerë. Lutet që “Ai ta mbështjellë këtë shërbëtor besnik me dritën e mëshirës dhe t’i hapë portat e plotësisë së jetës”, ndërsa, njëkohësisht, u jep bekimin të gjithë atyre, që marrin pjesë në ritet funebre.

30 shtator 2024, 16:37