Kërko

Papa fondacionit "The Economy of Francesco": të punojmë për një botë pa luftëra

“Duajeni ekonominë, konkretisht duajini punëtorët, të varfërit, duke favorizuar situatat e vuajtjeve më të mëdha” kjo ftesa e Françeskut për ekonomistët e rinj, anëtarë të fondacionit “The Economy of Francesco” që bashkon sipërmarrës nga e gjithë bota të angazhuar në një proces dialogu gjithëpërfshirës: ndryshoni botën jo duke u bërë fitues apo ministra të çmimit Nobel, por duke vendosur vlerat dhe forcën e së mirës

R.SH. / Vatikan

“Jam i lumtur që keni krijuar, me ipeshkvin e Asizit dhe promotorët e tjerë të caktuar nga unë, Fondacionin “The Economy of Francesco”. Nga idealet tuaja ka lindur një institucion, i cili është i rëndësishëm sepse do të shërbejë për të mbështetur idealet; dhe ju do të jeni jo vetëm përfitues, por edhe protagonistë, duke marrë përsipër detyrat që ju janë caktuar me entuziazëm dhe ndjenjë besimi” me këto fjalë Papa Françesku përshëndeti sot, para audiencës së përgjithshme, në Vatikan delegacionin e “The Economy of Francesco” .

Në fjalën e tij, Papa Françesku falënderoi komunitetin "The Economy of Francesco" që "e mori seriozisht" ftesën e tij për "rigjallërimin e ekonomisë" dhe udhëzimet që ju dhashë gjatë konferencave tuaja vjetore. Ato janë pjesë e doktrinës shoqërore të Kishës dhe, në fund të fundit, i kanë rrënjën tek Ungjilli”. Më pas, Ati Shenjtë kujtoi se: “Tani fillon një fazë e re për ju. Ky realitet i juaj i bukur duhet të rritet, të forcohet, të arrijë gjithnjë e më shumë të rinj dhe të japë frytet tipike të Ungjillit dhe të së mirës”.

Ati i Shenjtë Bergolio, përherë i vëmendshëm ndaj çështjeve ekonomike, kujtoi figurën e Shën Françeskut të Asizit, “birit të një tregtari” që i “njihte meritat dhe të metat” e botës ekonomike. Kështu Papa nxiti ta duam “ekonominë”, t’i duam “konkretisht punëtorët, të varfërit, duke ndihmuar ato situata ku ka vuajtje më të mëdha”. Papa citoi edhe të Lumin Giuseppe Toniolo, një ekonomist dhe sociolog italian, ndër protagonistët e lëvizjes katolike italiane të fund shekullit të 19-të, i cili shkroi se kushdo që do të shpëtojë vërtet shoqërinë, "nuk do të jetë një diplomat, një studiues, një hero, por një shenjtor, në të vërtetë, një shoqëri shenjtorësh".

Në vazhdim Papa u ndal në tre fjalë kyçe: "Jini dëshmitarë, mos kini frikë, shpresoni pa u lodhur".  

Të jesh dëshmitar: “Nëse dëshironi që të rinjtë e tjerë t'i qasen ekonomisë me idealet tuaja, ato që ju dhe unë kemi nënshkruar në Paktin e Asizit më 24 shtator 2022, do të jetë dëshmia juaj e jetës që do t'i tërheqë ata. Jini të qëndrueshëm e koherentë - qëndrueshmëria sot është diçka që është jashtë modës! – në zgjedhjet tuaja”. 

Fjala e dytë: “Mos ki frikë. E përsëris atë që u thashë të rinjve në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë: "mos jini administratorë të frikës, por sipërmarrës të ëndrrave". Çoni përpara ëndrrat dhe idealet. Ka kaq shumë për të bërë, prandaj duhet të guxojmë me ideale dhe fjalë të reja: të krishterët kanë vepruar gjithmonë kështu, nuk kanë pasur kurrë frikë nga e reja”. 

Fjala e fundit, e treta: “Shpreso pa u lodhur. E di që nuk është e lehtë të propozosh një ekonomi të re në një skenar luftërash të reja dhe të lashta, ndërkohë që industria e armëve lulëzon, duke u hequr burimet të varfërve", tha Papa e shtoi: "Ndoshta ndonjëherë keni përshtypjen se "luftoni kundër mullinjve të erës”. Atëherë të kujtojmë atë që Jezusi u tha dishepujve të tij: "Mos kini frikë"". Së fundi, nxitja për t'i qëndruar besnik thirrjes suaj, jeta juaj do të lulëzojë, do të keni histori të mrekullueshme për t'u treguar fëmijëve dhe nipërve tuaj.

25 shtator 2024, 14:23